Nje njeri si shtylle e kultures

Një njeri si shtyllë e kulturës
Nuk vdiq thjesht një njeri por një shkollë e tërë brenda një njeriu i cili me erudicionin dhe traditën shkekullore që ngërthente në vete na ngjan si shtyllë nga ato të paktat që mbajnë në këmbë kulturën shqiptare.


Nëse do mund të përkthehet përsëri poezia e madhe botërore siç arriti ta shqipërojë me gegnishten e tij Pashko Gjeçi, kjo njëherë për njëherë duket utopi.


Me vdekjen e Pashko Gjeçit le ta pranojmë që vdes një traditë e tërë: ajo e shqipërimit të klasikëve të mëdhenj botërorë në variantin gegënisht të shqipes.


Një shkollë e madhe që zë fill me Budin dhe Bogdanin, që e njeh zenitin e saj në gjysmën e parë të shekullit 20 me Fishtën, Mjedjën, Shantonë, Prenushin, Koliqin dhe që arrin në dhjetëvjeçarët e parë të pasluftës të përkthejë kryeveprat poetike të botës: Homerin - Iliadën - prej Gjon Shllakut, Virgjilin prej Henrik Lacajt e sidomos Danten, por edhe Homerin - Odisenë - Gëten e Shekspirin prej Pashko Gjeçit, i cili u nda dje nga jeta.


Që poezia gegnisht ka tjetër tingëllim nga poezia jonë e Jugut, sot e shqipes standarde, kjo nuk ka nevojë për ndonjë shpjegim sepse e dallon edhe fëmija. Por le të ndalemi pak në disa arsye të brendshme që e diktojnë këtë tingëllim dhe të kuptojmë se ç'kemi humbur bashkë me një poet-shqipërues të madh.


Shkaktare kryesore të një muzikaliteti tjetër janë pikësëpari zanoret e Veriut (ç'ironi: zâ humbi dhe e la kujtimin e vet te fjala zanore); ato kanë gjatësi të ndryshme, siç e tregon me mprehtësi Camaj kur merr shembullin e fjalës shi që ka tri kuptime kur i-ja është e shkurtër, e mesme dhe e gjatë, sikurse edhe bar,li, me etj..


Më pas nazaliteti, që prek edhe ai të gjitha zanoret të cilat mund të jenë hundore ose jo, dukuri që sjell pashmangshëm dallime kuptimore, bie fjala mes ve e vê, hi e hî etj. - madje gegënishtja ka edhe një oe: voe (për vezë), të cilën do ta përcaktonim si një e të rëndë drejt o-së.


Edhe më të shumta janë pastaj dallimet në rendin morfologjik dhe sintaksor.


Këtu nuk është vendi të ndalemi e t'i klasifikojmë këto dallime, por mjaft të kujtojmë që në tërësinë e vet gegnishtja është më lakonike se toskërishtja në një numër lidhjesh morfo-sintaksore (ku paskajorja është ajo më dukshmja), të cilat pasqyrohen më së miri në radhë të parë në këngë e në poezi.


Bjerrja e ë-ve fundore, rënia e shpeshtë e nyjeve të përparme apo nyjes së gjinore, e mbaresave të rrjedhores etj., janë disa nga tiparet më të dukshme që i gjejmë nga Buzuku e këndej.


E pastaj, gjithë këtyre vetive fonetike e strukturore shkaktare të një tjetër tingëllimi e një tjetër lakoniciteti, vijnë e u shtohen edhe një numër fjalësh e trajtash përgjithësisht më të shkurtra se përgjegjëset e tyre jugore, që theksojnë karakteristikën e dytë, duke i ngjeshur edhe më shumë fjalinë, togfjalëshat, vargjet.


Për të ilustruar këto dallime ndër fjalët po marr pak shembuj vetëm nga shqipërimi i Faustit prej Pashko Gjeçit: të mujshin (tosk. të mundshin), ket (tosk. këtë), kto (këto), pa prâ (pa prerë), fshehë (fshehur), me kcye (për të kërcyer), tue u... (duke u...), të ngjyruem (të ngjyrosur), pluhni (pluhuri), mblon (mbulon), dhimbë (dhimbje), shêj (shenjë), shpirtna (shpirtëra) etj. etj.


Po të kemi parasysh që këta shembuj u morën nga vetëm 2 faqe (f. 38-39, botimi Çabej 2009), le të përfytyrojmë se çfarë lakoniciteti ka krejt shqipja në këtë vepër krahasuar me variantet toskërishte apo standarde të përkthimit të Faustit.


Ishte befasim për mua krahasimi i përkthimit të kryeveprës së Goethes me origjinalin: e kemi njohur Pashko Gjeçin si helenist e latinist dhe si përkthyesin e madh të Dante Alighierit; nuk e prisja që ai ta njihte edhe gjermanishten në detajet më të imta, madje edhe në arkaizmat që Goetheja i përdor se janë të kohës ose se kërkon t'ia përshtasë edhe më shumë gjuhën doktorit mesjetar.


E, sikurse ndodh me ata mjeshtër që e zotërojnë një gjuhë në majë të gishtave, zotërimin sovran e ndjek rikrijimi i hajthëm: Gjeçi kryen interpretimin e vet si ai mjeshtri violinist që rrallë e tek ia hedh vështrimin partiturave, sa mos të shkëputet nga rrjedha e qetë ose e rrëmbyer e krijimit.


Këtu luan me sigurinë që i jep zotërimi i shkëlqyer i gegënishtes së vet (të cilën studiuesit sot gabimisht shpesh e quajnë shkodranishte, duke ngatërruar një shkollë të caktuar me një të folme qyteti: mirëpo gjuha e Pashko Gjeçit, e Gjon Shllakut, e Martin Camajt e sa të tjerëve i përket vërtet një shkolle, porse buron nga një trevë e tërë, sikurse mbledh Drini Valbonë e Rrjoll e Kir e lumenjtë e tjerë), së cilës ia luan të gjitha akordet, notat, ngjyrimet.


Dhe ngaqë, siç e shpjeguam më lart, idioma e vet është tejet lakonike (në parantezë: një përkthim i mirë shqip është gjithmonë më i shkurtër se teksti përkatës gjermanisht), ai ka rezerva në rrokje e në vargje që ta shkrythë e ta shtrijë edhe më gjuhën e tij! E këtu zë pastaj në njëfarë mënyre ta tradhtojë origjinalin, por me disa nga ato tradhtiza që në të vërtetë e bëjnë edhe më të bukur artin e përkthimit.


Si poet jugor-mesdhetar që është, i shkollës latine dhe neolatine, Gjeçi i jep shqipërimit një si tis që origjinali shpesh nuk e ka, pasi gjermanishtja e Faustit është përgjithësisht fjalëpake, herë-herë e zymtë, me ftohtësinë kontinentale që mund ta përfytyrojmë në dhomën e doktorit magjistar të Mesjetës. Po japim shembuj vetëm 12 vargje, po nga prologu i Faustit te Nata:


O hanë hirplote n'heshtje të pasosun,
shiko për t'fundit herë ket shpirt t'brengosun!
Ah, sa e sa herë der në mesnatë
ty të kam pritë në ket lexore t'ngratë,
e ndër kto letra e libra, e vezullueshme
m'ke ndejë mbi krye, o mike e trishtueshme!
Ah, t'mujshe unë nën dritën tande t'qetë
te t'naltat maje me u ngjitë përpjetë,
me u endë me shpirtna shpellave,
me kcye mbi t'zbehtin bar t'livadheve,
prrallat e ditunis tue i qitë n'harresë,
t'lahem, t'përtrihem në të bardhën vesë!

Origjinali thotë:

O sähst du, voller Mondenschein,
Zum letzenmal auf meine Pein,
Den ich so manche Mitternacht
An diesem Pult herangewacht:
Dann über Büchern und Papier,
Trübsel'ger Freund, erschienst du mir!
Ach! könnt ich doch auf Bergeshöhn
In deinem lieben Lichte gehn,
Um Bergeshöhle mit Geistern schweben,
Auf Wiesen in deinem Dämmer weben,
Von allem Wissensqualm entladen,
In deinem Tau gesund mich baden!

Vargu i parë thotë thjesht: O, të shikoje ti, dritë e plotë e hënës; shqipëruesi e bën: O hanë hirplote n'heshtje të pasosun. „Dhimbje" - Pein - është bërë: shpirt i brengosun. „Pult" është bërë: lexore e ngratë; vargu i fundit: „In deinem Tau gesund mich baden" = „të lahesha e të shëndoshesha në vesën tënde" është bërë: t'lahem, t'përtrihem në të bardhën vesë!


Ja pra mekanizmi i brendshëm: një gjuhë e zhdërvjelltë e lakonike që nga vetë natyra e saj dhe zotësia e poetit-shqipërues krijon laguna të cilat vijnë e mbushen me ngjyrime plus, si hanë hirplote, lexore e ngratë, vesë e bardhë, të cilat vërtet origjinali nuk i ka, por që i kërkon një poezi mesdhetare e që i japin asaj një bukuri si të larë në vesë - po t'i qëndrojmë poetit.


Ne që u rritëm me Iliadën e Gjon Shllakut dhe e mësuam tingëllimin e poezisë me Ferrin e Pashko Gjeçit e kuptojmë mirë se çfarë humbi dje: Nuk vdiq thjesht një njeri por një shkollë, ose më saktë një shkollë e tërë brenda një njeriu i cili me erudicionin dhe traditën shkekullore që ngërthente në vete na ngjan si shtyllë nga ato të paktat që mbajnë në këmbë kulturën shqiptare. Nëse do mund të përkthehet përsëri poezia e madhe botërore siç arriti ta shqipërojë me gegnishten e tij Pashko Gjeçi, kjo njëherë për njëherë duket utopi.

Ardian Klosi : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama