Historia e Fiks Fare

Historia e
Shqipërinë e kamerës së fshehtë që për fat të keq këlthiste nën kthetrat e krimit, mediokritetit, gënjeshtrës, mashtrimit, vesit, dhe arrogancës.

Bëhej fjalë pikërisht për atë realitet që çdokush e haste rëndom në të përditshmen e tij, herë duke e pranuar heshturazi dhe herë duke bërtitur më kot në një vesh të shurdhër.

Por cila është historia e Fiksit?

Fiksi lindi në "Top Channel", televizionin që brenda një viti të daljes në transmetim kishte arritur të bëhej një nga televizionet më të mira në vend dhe tashmë ishte i gatshëm për këtë format kaq të veçantë, ambicioz dhe të paaplikuar ndonjëherë në Shqipëri.

Filip Çakuli, gazetari i vjetër i "Hostenit" të famshëm, i fundit i brezit të humoristëve klasikë në Shqipëri, do të ishte ndër të parët që iu besua emisioni "Fiks Fare".

E si mund të kuptohej Fiksi pa Saimirin dhe Doktorin që me artin e tyre të lindur plot batuta e humor, treguan se do të bëheshin të pazëvendësueshëm për publikun, duke u kthyer në personazhet televizive më popullore të kohës.

Për të arritur deri tek ajo që shohim në ekran, natyrisht që nuk është e lehtë, sepse nuk është e lehtë të përballesh me dyert e mbyllura të zyrave, me zemërimin e atij që ndihet në faj, apo me dhunën e atij që nuk dëshiron të përballet me të vërtetën. Po a thua nuk e ka një të metë ky emision? Të paktën një, e dinë që të gjithë: thumbi i tij nuk kursen askënd, madje as vetveten. Dhe sigurisht, lezeti i emisionit thumbues, janë velinat tashmë të pandara nga imazhi, i dy drejtuesve klasike Saimirit dhe Doktorit. Një bionde dhe tjetra brune, velinat jo pak herë e kanë nisur karrierën e tyre të mëtejshme në ekran pikërisht në "Fiks Fare".

Në fakt, pesë vjet janë pak dhe shumë në jetën e një televizioni. "Fiks Fare", megjithatë, ka mundur në kaq pak kohë, të kthehet në atë që e njohin të gjithë: Në emblemën e gazetarisë hetuese të Shqipërisë. Urime dhe njëherë dhe Gëzuar Ditëlindjen, "Fiks Fare"!

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama