Karl Rove *
Unë i kam parë nga afër dy Klintonët që njeh Amerika. Ai është një njeri me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, me dorën të gozhduar në krahun tënd dhe me shumë sharmë. “Hej, shkojmë flasim në bibliotekën time. Dua të flas pak me ty për politikë”.
Dhe ajo? Ajo ka tendencën të jetë e fortë, por e thyeshme. Unë trashëgova zyrën e saj në krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë. Pak pas inaugurimit presidencial të vitit 2001, unë thashë se vlerësoja shumë faktin që kisha atë zyre, pasi ajo kish pasqyrën e vetme të gjatë sa trupi në këtë anë, gjë që më krijonte mua mundësinë të përmirësoja paraqitjen time të çrregullt. Senatorja nga Nju Jorku më takoi pak kohë më pas dhe më tha me një ton plot nënkuptim se nuk e kish vendosur ajo atë pasqyrë në atë vend. Unë nuk kisha thënë se e kish bërë ajo, por vetëm që pasqyra ishte aty. Kështu që pak javë më pas, në një tjetër bisedë, përsërita atë historinë në lidhje me pasqyrën. Dhe pak kohë më pas, senatorja më takoi sërish dhe përsëri pa as më të voglën shenjë humori apo çelje në zërin e saj, ftohtësish më tha se kish dëgjuar se e kisha përsëritur historinë e pasqyrës dhe se ajo...nuk...e...kish...vënë...atë pasqyrë në zyrë.
Një histori e vogël, por që shpreh shumë: Ajo është e ashpër, e fortë, këmbëngulëse dhe nuk harron asgjë. Këto janë disa prej arsyeve përse ajo është kaq e frikshme si kandidate, dhe përse republikanët që mendojnë se do ta kenë të lehtë me të gabohen. Konkurrimi mes kandidatëve republikanë për President është më i paparashikueshmi i dekadave të fundit, por kandidatja demokrate me shumë gjasa do të jetë Hilari. Jo pa luftë, jo pa humbur në garat e para (Ajoua për shembull) dhe jo pa “plagë” e “xhunga”.
Kështu që, pyetja që iu bë Xhon MekKeinit nga një grua në Karolinën e Jugut të hënën e kaluar ishte e pashije, por kyçe: “Si të gjejmë fjalë për të bërë rimë me fjalën “witch” (“shtrigë”)? Kritika e saj e bashkon partinë, rrit edhe më ndjenjat e turbullta që shumë votues të lëkundur kanë për të dhe lejon çdo kandidat që të thotë përse është më i afti për ta mundur. Për momentin, kaq mjafton. Por kur të dalë një kandidat nga republikanët, ai duhet të kujtojë se asnjë republikan nuk është aq i njohur sa Hilari. Republikani ka hapësirë për rritje në sondazhe, pasi votuesit marrin një kuptim më të plotë se cili është dhe çfarë e nxit. Ja çfarë duhet të bëjë.
Luaj tani, për tu prezantuar edhe një herë djathtas pas fitores së nominimit. Mos kujto se të gjithë të njohin. Shumë njerëz ende nuk do të dinë se çfarë ke bërë në jetën reale. Krijo një narrativë që shpjegon jetën dhe angazhimet e tua. Çdo zgjedhje presidenciale është për ndryshimin dhe të ardhmen, jo për të shkuarën. Kështu që, duhet të tregosh kush je në një mënyrë që u jep shpresë, optimizëm dhe depërtim amerikanëve. Ky është antidoti më i mirë ndaj përqindjeve të ulëta të mbështetjes për Presidentin republikan. Këto shifra nuk do ta ndihmojnë kandidatin republikan, ashtu sikurse edhe përqindja e ulët e mbështetjes për kongresin nuk do të ndihmojë kandidaten demokrate.
Thuaj në terma autentikë atë që beson. Kandidati republikan duhet të vërë theksin në bindjet e tij të thella për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë se cili është dhe për të krijuar një kontrast të natyrshëm me Klintonin, si në stil edhe në substancë. Mos ki frikë për të thënë një gjë që do të shkaktonte polemikë. Populli amerikan do që Presidenti i tij të jetë autentik. Dhe kundër një demokrateje që përllogarit pothuajse gjithçka, duke përfshirë aksentin dhe të qeshurën, është një ndihmë e madhe që të jesh dikush që thotë atë që beson në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Merru me çështjet që u interesojnë familjeve dhe të cilave republikanët shpesh herë u largohen. Vendet e punës, ekonomia, taksat dhe shpenzimet do të jenë çështje të mëdha këtë fushatë, por disa çështje që dikur kanë qenë të preferuara për republikanët, si krimi dhe mirëqenia nuk kanë aq shumë spikatje. Shqetësimet si kujdesi shëndetësor, kostoja e kolegjit dhe lëvizshmëria sociale do të jenë më të rëndësishme. Kandidati republikan duhet të shfaqë vetëbesim, kur të flasë për këta shqetësime dhe besueshmëri kur parashtron mënyrat se si do t’i zgjidhë. Duhet të jesh i patrembur në qasje dhe prezantim.
Vihu në kërkim të njerëzve që nuk janë republikanë tradicionalë. Bëj fushatë agresive për votat e minoriteteve të Amerikës. Shko në komunitetet e tyre, dëgjo dhe mëso, demonstro angazhimin tënd dhe thekso se si mesazhi yt mund të ofrojë shpresë dhe akses për të gjithë në ëndrrën amerikane. Kandidati republikan duhet të kërkojë vota në çdo pjesë të elektoratit. Ai duhet të bëjë më shumë mes minoriteteve dhe të shihet si një njeri që përpiqet.
Tregohu i fortë në lidhje me Irakun. Demokratët kanë vënë bast për dështim. Gjithnjë e më shumë ky duket një bast i humbur, duke parë progresin e shënuar të vërë re së fundmi. Nëse pyetja është se kush do të dalë më shpejt nga bati i vënë, përgjigja është Hilari. Kandidati republikan duhet ta ribëjë pyetjen: Kush do të udhëheqë Amerikën drejt fitores në një fushëbetejë vitale në luftën kundër terrorizmit? Do të ketë shumë polemika në lidhje me financimin e trupave si dhe grumbullimin e të dhënave të zbulimit, menjëherë sapo partitë të kenë caktuar kandidatët. Të dy betejat do të ndihmojnë kandidatin republikan që të demonstrojë se kush do të jetë më i fortë për të fituar betejën e re të shekullit 21.
Urtësia tradicionale tani sugjeron që Hilari do të jetë presidentja e ardhshme. Në realitet ajo mund të mundet. Historia e saj risjell kujtime të pakëndshme. I mungojnë dhuntitë politike të bashkëshortit dhe ajo refuzon një pjesë të mirë të centrizmit që ai mbështeste. Fiasko e kujdesit shëndetësor tregoi më së miri stilin dhe ideologjinë e saj. Dhe të gjithë këto shpjegojnë përse, si një kryekandidate për garën e hapur të presidencës, Hilari ka negativët më të lartë në histori.
Ndërkohë që kandidati i mundshëm republikan flet për Hilarinë sot, shumë shpejt do të vijë koha kur ai duhet të shpenzojë më shumë kohë duke rrëfyer historinë e tij. Duke u shpjeguar votuesve përse meriton të jetë Presidenti ynë i ardhshëm, ai do të bëjë të qartë gjithashtu përse ky post nuk duhet t’i shkojë një tjetër personi që quhet Klinton.
· Rove është ish-këshilltar dhe zëvendës shef i stafit të Presidentit Bush
Marre nga : Gazeta Metropol











