Sipas agjencive më të njohura të lajmeve në botë, “BBC”, “Foxnews” etj, ekziston një kërkesë zyrtare ndaj qeverisë amerikane për të çelur të ashtuquajturin “Libri blu”. Ai konsiston në hetimin e rivlerësimin e dëshmive të vjetra në mënyrë që të sqarohet njëherë e mirë fenomeni dhe ato ngjarje që nganjëherë dhe nuk besohen. Paneli, i cili përfshin ish-oficerë ushtarakë nga shtatë vende bën të ditur se të gjithë kanë parë UFO apo kanë kryer kërkime mbi këtë fenomen. Ky grup shprehet se ka ardhur koha që pamjet e qarta të sferave fluturuese, dritave të ndezura dhe objekteve fluturuese me shpejtësi skëterre të mos anashkalohen më.
Libri blu
Paneli i pilotëve dhe zyrtarëve të aviacionit në pension i kërkon ushtrisë amerikane që të rihapë një hetim të prerë në vitin 1969, projekt i quajtur “Libri blu”. Ky projekt ka pasur si subjekt hetimin 12.500 rasteve, ku raportoheshin raste të UFO-ve. Ndër anëtarët e panelit bën pjesë dhe ish-guvernatori i Arizonës, Fife Symington dhe gjithashtu, gjatë muajit të kaluar, kandidati demokrat për president Dennis KUcinich u shpreh gjatë një debati televiziv se kishte parë UFO.
Rastet
Ndër incidentet e UFO-ve të diskutuara në mbledhjen e zhvilluar në Uashington D.C. këtë javë, u përmend dhe vrojtimi i një objekti fluturues me formë trekëndëshe me ngjyra jo të zakonshme, i cili endej nëpër hapësirën ajrore pranë ish-bazës ajrore amerikane në Sufolk në vitin 1980.
“Asgjë në trajnimin tim nuk më kishte përgatitur për atë që do të dëshmonim”, tha për panelin James Penniston, një pilot në pension i forcave ajrore amerikane. Ai u shpreh se UFO-ja me “drita të ndezura blu dhe të verdha dhe e ngrohtë kur e prekje fluturoi me një shpejtësi të paimagjinueshme para 80 dëshmitarëve”. “Në ditarin tim shkrova “shpejtësia: e pamundur”, u shpreh më tej Penniston. Në atë kohë ku rast u emërtua “English Rosëell (Rosuelli anglez) në referencë të bujës që u shkaktua nga pretendimi i zbulimit të pjesëve të një alieni në Nju Meksiko në vitin 1948. Jean-Claude Duboc, një ish-pilot i “Air France” kujton të ketë vrojtuar një “disk të stërmadh fluturues” rreth 305 metra, i cili nuk la asnjë gjurmë në radar teksa fluturonte mbi Paris në mes të ditës në janar të vitit 1994. Ai tha se objekti filloi të bëhej transparent dhe brenda 10-20 sekondash ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Skeptikët e UFO-ve insistojnë se “pamjet” janë shkaktuar nga fenomene natyrore si meteorët. Por ky shpjegim nuk është i mjaftueshëm sipas Fife Symington, ish-guvernator i Arizonës, i cili është gjithashtu një anëtar i panelit. Ai u shpreh se është koha që qeveria të rihapë projektin “Blue Book”, hetimit i Forcës Ajrore Amerikane mbi 12,500 raste të raportimi të UFO-ve, projekt që u braktis si “humbje kohe” në vitin 1969. “Ne duam që qeveria t’i japë fund mitit se gjithë UFO-t mund të shpjegohen në mënyrë tokësore”, u shpreh Symington. Diskutimet mbi disqet fluturuese ridolën në sipërfaqe në median amerikane para disa javësh, pretendenti për kandidat demokrat për president, Dennis Kuchinich u shpreh gjatë një debati televiziv se kishte parë UFO.
Incidenti “Roswell”, autopsia e nje alieni
Incidenti “Roswell” përfshin gjetjen e materialeve të një objekti të paidentifikuar në Rosuell, Nju Meksiko në SHBA, 1947. Që prej asaj kohe ky rast është kthyer në objekt spekulimesh e hipotezash nga më të ndryshmet. Ekzistojnë hipoteza të ndryshme në lidhje me atë që ka ndodhur në të vërtetë atje. Forcat ushtarake të SHBA-së pretendojnë se mbetjet që u zbuluan në vendin e aksidentit ishin ato të një balone top-sekrete që ishte përplasur. Sidoqoftë shumë ithtarë të UFO-ve vazhduan të besojnë se objekt i përplasjes ishte një UFO. Incidenti u kthye në një legjendë urbane dhe Rosuell njihet si incidenti më i njohur që ka lidhje me UFO-t. Në vitin 1995, sipërmarrësi i videove, Ray Santilli nxiti debate të shumta me të ashtuquajturën “autopsia e alienit”, kur pretendoi se kishte xhirime të kryera në një kamp ushtarak amerikan, menjëherë pas përplasjes në Rosuell. Në fillim Santilli i paraqiti filmimet që dispononte në një audiencë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të mediav e, studiues UFO-sh, etj, në Muzeun e Londrës më 5 maj, 1995. Filmimet u shfaqën në shumë vende të botës por, televizioni amerikan FOX, më vonë, pasi i shfaqi ato, deklaroi në një program tjetër se xhirimet ishin false.
Si mendohet të jenë alienët:
1. Ndërsa elementi kryesor në trupin e njeriut është karboni, mendohet se ai në trupin e një alieni është silic.
2. Alienët kanë trup të vogël, me një gjatësi sa pothuajse një e dyta e trupit të një njeriu normal.
3. Kanë kokë të madhe, e cila vjen e ngushtë pranë qafë dhe zgjerohet në majë.
4. Kanë sy të mëdhenj e të zinj së bashku me veshë të mprehtë e të mëdhenj.
5. Nuk kanë hundë, por në vendin e saj ndodhen dy vrima.
6. Janë ngjyrë gri dhe nuk kanë flokë dhe qime në trup.
7. Zhvillimi i inteligjencës tek këto qenie jashtëtokësore është shumë më i zhvilluar se tek njerëzit.
8. Nuk komunikojnë, mendohet se lëshojnë ultratinguj.
9. Disa objekte UFO kanë formën e një pjate filxhani, me majë në formën e lodrës apo në formën e diskut pa një forcë shtytëse të dukshme apo të dëgjueshme.
10. Disa objekte të tjera UFO mendohet të kenë formën e puros pa dritare të shndritshme
Rastet
1985, SHBA
Shkrimtari paranormal Whitley Strieber, pretendon se është rrëmbyer nga alienët dhe shkruan për eksperiencën e tij në romanin që u kthye në një best-seller në SHBA, “Communion”. Në vitin 1996 në një intervistë tek Larry King, Strieber e mohoi që ai të ishte rrëmbyer duke thënë se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë. Ai aktualisht drejton një program radiofonik me emër “Dreamland”.
1986, Brazil
Në “Natën Zyrtare të UFO-ve” më shumë se 20 Objekte Fluturuese të Paidentifikuara u kapën në radar në pjesë të ndryshme të vendit. Koloneli Ozires Silva, i cili në ato momente po fluturonte afër vendit merr informacion dhe niset për të ndjekur UFO-t. Ai më vonë deklaroi, “Dritat shfaqeshin në radar si një objekt konkret”. Pasi u shfaqën dritat për disa kohë në radar ato u zhdukën.
1970, SHBA
Sherif Barry A. Delong në Mein, SHBA, dëshmoi se kishte parë një UFO. “Ata po lundronin në ajër disa metra sipër automjetit tim, natën vonë. Objekti kishte drita të fiksuara të cilat fikeshin e ndizeshin. Ishte një objekt i madh me formë ovale. E kuptova menjëherë se nuk ishte një avion luftarak. Avash-avash filloi të largohej dhe pas një kohë filloi të lëvizte me shpejtësi të paimagjinueshme.
1980, SHBA
Një seri të rasteve të UFO-ve u shfaqën sidomos gjatë viteve ’80 dhe ’90. Kjo rezultoi në mijëra raporte nga njerëz që thanë se kishin parë objekte të këtij lloji, të gjitha në një formë. Rasti i parë u raportua nga një polic në pension në Kent, Nju Jork, pak para Vitit të Ri 1981. “Incidenti në Indian Point”, në një uzinë bërthamore në vitin 1984 ishte një prej këtyre rasteve.
2000, Lindje e Mesme
Banorët në pjesën perëndimore të Pakistanit dhe atë lindore të Afganistanit, pretenduan se kanë parë drita të çuditshme në qiell. Regjimi i atëhershëm taleban dyshoi se SHBA po vinin në shënjestër kampet e stërvitjes së Al-Kaedës ose se Pakistani po kryente testim të raketave të reja. Ky dyshim u zhduk kur dritat u panë duke u tërhequr lart në qiell. Të njëjtat drita u panë sërish brenda dy javësh.
2006, SHBA
Një grup punonjësish të aeroportit në Çikago, SHBA, ku dhe pilotë deklaruan se kishin parë një objekt misterioz në formë disku, i cili nuk kishte drita dhe që qëndronte pezull mbi terminalin e aeroportit “Chicago O’Hare” përpara se të zhdukej nëpër re. Këto deklarata u mohuan nga organet, në të cilat punonjësit dhanë dëshmi.
2007, Angli
John Gregory dalloi një UFO pas orës dhjetë të darkës dhe u shpreh, “Unë po shihja lart në qiell kur pikasa këtë objekt. Në fakt ma zuri syri ngaqë shkëlqente shumë. Në fillim mendova se ishte yll por tani jam i sigurt se nuk ishte i tillë. Ishte shumë i pazakonshëm dhe isha shumë i habitur që e pashë. Imazhi qëndroi në qiell për rreth 20 minuta dhe pastaj u zhduk”.
2007, SHBA
Rosemary Lyons dhe një kolege e saj po pinin një cigare jashtë punës në orën 22.40 të mbrëmjes në Ohajo kur ato panë një UFO. Sipas tyre, objekti kishte një diametër prej 18 metrash. Lyons e shpjegoi këtë rast kështu, “Ne e pamë për rreth 20 sekonda. Ishte rrethor dhe me shkëlqim. Nuk ishte aeroplan, as helikopter, as objekt zbulimi dhe nuk ishte balonë. Nuk lëshonte asnjë tingull”.
Projekti “Blue Book”
Projekti “Blue Book” (Libri blu) ishte një prej serive sistematike të studimit e verifikimit të UFO-ve (Objekteve fluturuese të paidentifikuara), i kryer nga Forcat Ajrore Amerikane (U.S.A.F). Ky projekt filloi në vitin 1952 dhe ishte ringjallja e dytë e një studimi të këtij lloji. Urdhri për pezullimin e këtij projekti u dha në dhjetor të vitit 1969. Projekti “Blue Book” kishte dy qëllime: të përcaktonte nëse UFO-t ishin kërcënim për sigurinë kombëtare dhe të analizonte shkencërisht të dhënat që kishin lidhje me UFO-t. Në kohën që “Blue Book” u pezullua, kishte mbledhur rreth 12,500 raportime mbi objektet fluturuese të paidentifikuara duke arritur në përfundimin se shumica e tyre ishin keqinterpretime të fenomeneve natyrore si retë, yjet, etj, apo objekte fluturuese të zakonshëm. Disa prej tyre u cilësuan si mashtrime. Raportimet mbi UFO-t janë të arkivuara dhe janë të disponueshme nën “Aktin e lirisë së informimit”, por emrat dhe informacionet personale të gjithë dëshmitarëve janë redaktuar.
Blendina Cara : Gazeta TiranaObserver











