Çe Gevara posteri qe e ktheu ne ikone

Çe Gevara, posteri që e ktheu në ikonë

Argjentinasit simbol të komunizmit, e di mirë se saktësisht më 8 tetor të 40 viteve më parë Çe Gevara u ekzekutua pas arrestimit në Bolivi. Fidel Kastro, njeriu që gjatë viteve më të zjarrta të revolucionit kubanez i ndenji më pranë se kushdo tjetër dhe i detyrohet shumë për kontributin e dhënë gjatë betejave e më pas në kohë paqeje, ishte shumë i sëmurë për ta nderuar personalisht në mauzoleumin ku prehen eshtrat e heroit që nga viti 1997 (pas zhvarrosjes nga Bolivia ku kishin qëndruar deri në atë kohë). Kastro e kujtoi përvjetorin e vdekjes së heroit përmes një artikulli të gjatë, i cili u lexua në publik gjatë evenimentit për nderimin e komandantit revolucionar. "Po ndalem një ditë gjatë luftës sime të pandërprerë, për të përkulur kokën me nderim përpara luftëtarit të jashtëzakonshëm që ra 40 vjet më parë" shkruante Kastro në artikull.

Historia e mitit të Çe Gevarës nis 40 vjet më parë, kur guerilasi me origjinë argjentinase u vra në Bolivi, teksa luftonte për të eksportuar revolucionin në vendet e tjera të Amerikës Latine. Prej muajsh, trupat me të cilat Gevara mendonte të ndizte shkëndijat e revolucionit në Bolivi ishin vënë në shënjestër të autoriteteve të vendit, të cilat mbështeteshin edhe nga CIA amerikane. Më 31 gusht të vitit 1967, revolucionarit i kishin mbetur me vete vetëm forcat e pararojës, duke qenë se pjesa tjetër e trupave qenë asgjësuar gjatë një prite të forcave qeveritare. Gjithçka kishte ndodhur falë tradhtisë së një fshatari, i cili i torturuar nga trupat e rregullta kishte treguar vendndodhjen e guerilasve. Në tetor të po atij viti gjendet i rrethuar, me shumë pak njerëz me vete, pa asnjë lidhje me Kubën dhe pa ushqime e municione. U arrestua më 8 tetor të vitit 1967, pak kilometra nga fshati La Higuera, pasi u dorëzua për shkak të plagëve në këmbë dhe pasi pushka i ishte prishur nga goditja e një plumbi. Presidenti bolivian, Barrientos, me të marrë vesh lajmin e arrestimit dha urdhër që të vritej menjëherë, duke shpërndarë shumë shpejt një komunikatë, sipas së cilës guerilasi ishte vrarë gjatë luftimeve. Gjatë natës u mbajt në shkollën e fshatit për t‘u ekzekutuar në orët e para të paradites të së nesërmes nga Mario Terán, një rreshter i ushtrisë boliviane i zgjedhur me short.

Ikona më e riprodhuar në shekullin XX

Një gazetar i të përditshmes britanike "Observer", ka shkruar se portreti i simbolit të revolucionit gjendet së fundmi edhe në konfeksionin e një pluhuri larës me sloganin "Çe i lan më mirë rrobat". Me prodhimet e Çe Gevarës merren një pafundësi kompanish, duke filluar nga korporatat e mëdha, për të shkuar te firmat e vogla si "Bulington Coat Factory", spoti publicitar i të cilit tregon një djalosh të veshur me rroba pune e me bluzën e Çe Gevarës, apo "Flamingos Boutique" e Union City të Nju Xhersit; pronari i dyqanit i është përgjigjur tërbimit të emigrantëve kubanezë me argumentin e pakundërshtueshëm "shes vetëm ato gjëra që dëshirojnë njerëzit". Portreti i tij shfaqet nëpër filxhanë, bereta, çakmakë, mbajtëse çelësash, portofola, nëpër kutitë e çajit dhe, sigurisht, nëpër bluzat që t‘i zë syri kudo me portretin ku lideri komunist shfaqet me beretë gjatë viteve të para të revolucionit, portret që edhe tani, 39 vjet pas vdekjes është simboli i revolucionarit. Dhe ajo që e ka bërë këtë imazh kaq të veçantë, sidomos nga pikëpamja artistike është përpunimi i një fotoje të revolucionarit të madh të realizuar nga fotografi Alberto Korda, në vitin 1960. Pikërisht kjo foto u përdor në vitin 1967 nga Xhim Fitzpatrik, që atëherë ishte veç një grafist i ri, për të krijuar atë imazh që e kemi parë me mijëra herë. Në intervistat e dhëna nëpër vite Xhim Fitzpatrik ka treguar se e manipuloi me shumë kujdes foton e Çesë në mënyrë që të përmblidhte në vete gjithçka duhej për të kthyer në një vepër të madhështore arti. "U vra në mënyrën më dashakeqe të mundshme. Nuk kishte as memorial, as vend ku njerëzit mund të vizitonin eshtrat, asgjë. Isha i vendosur të krijoja një imazh që do të qarkullonte në gjithë botën e për shumë vite. Imazhi i tij nuk do të vdesë, ai kurrë nuk do të vdesë", tha artisti në një intervistë të dhënë përpara pak ditësh. Kushdo mund ta vërë re se aq e fortë është ajo fotografi, sa shumë dashamirës dhe kritikë të Çe Gevarës ia atribuojnë asaj në masë të madhe përhapjen që ka gjetur në mbarë rruzullin figura e Çe Gevarës. "Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe", thotë Trisha Ziff, kuratorja e një galerie fotografike të hapur këto ditë në Angli për nder të argjentinasit komunist. "Ishte një burrë i pashëm, me sy që të bënin për vete. Nuk ka imazh tjetër aq të fortë sa ai i Çe Gevarës. Tashmë përfaqëson një markë dhe markat që përfaqësojnë ndryshime dalin jashtë kontrollit të kufijve e të njerëzve".

Dhe prej kohësh fakti nëse komandanti i madh revolucionar po kthehet në diçka që nuk do ta donte kurrsesi është bërë temë debatesh. Vihet re lehtë se është kthyer në një markë për të shitur mallra. Ka nga ata njerëz që famën e tij në të gjithë botën ia dedikojnë pikërisht transformimit të tij në imazh komercial (i cili në pjesën më të madhe i dedikohet atij posteri të mrekullueshëm). Ndër të paktët që e mendojnë ndryshe është Feliks Ismael Rodrigez, i dërguari i CIA-s që dha urdhër ta pushkatonin. "Përse është bërë mit?", thotë. "Për shkak të propagandës kastriste. Ndryshe Kastros do t‘i duhej të pranonte se kishte dështuar me Çe Gevarën. Këtë ma tha vetë Çe gjatë bisedës së shkurtër që bëmë përpara se të vritej. Më tregoi se si ai - student mjekësie nga Argjentina - kishte arritur të bëhej president i Bankës Shtetërore të Kubës. Një ditë, gjatë një mbledhjeje, Fideli i kishte pyetur të gjithë të pranishmit nëse mes tyre gjendej ndonjë ekonomist i vërtetë. Çe ngriti dorën dhe u emërua president. Në të vërtetë në rrëmujë nuk kishte dëgjuar mirë. I ishte dukur sikur Kastro kishte thënë komunist".

Ekzekutimi

Sipas një prej versioneve më të njohura, Mario Terjn, rreshteri që i ra në short të kryente vrasjen, ishte shumë nervoz dhe nuk pranonte në asnjë mënyrë ta vriste Gevarën, aq sa në një çast doli nga dhoma për t‘u kthyer më pas me forcë nga kolegët e tij. Sipas një tjetri, nuk donte ta shihte viktimën në sy, kështu që i qëlloi në fyt. Për të tjerë akoma, nuk mundej t‘i qëllonte në asnjë mënyrë, kështu që kërkoi për të pirë e u deh krejtësisht përpara se të kryente ekzekutimin. Versioni më i besueshëm është ai, sipas të cilit, Gevarës i qëlluan disa herë nëpër këmbë. Kjo për disa arsye: për të mos i dëmtuar fytyrën, në mënyrë që ai të mund të identifikohej, si edhe për të bërë më të besueshëm versionin që guerilasi ishte vrarë gjatë shkëmbimeve të zjarrit, për të fshehur kështu ekzekutimin me gjak të ftohtë. Goditjen fatale e mori në gjoks, plagë nga e cila iu mbushën mushkëritë me gjak. Mendohet që përpara se të ekzekutohej i është drejtuar rreshterit Mario Terán me fjalët: "E di që je këtu për të më vrarë. Qëllo, burracak..." Trupi i pajetë u lidh pas karelit të një helikopteri ushtarak, i cili e dërgoi në një spital, ku iu tregua edhe shtypit. Pasi një mjek ushtarak i kishte prerë trupit pa jetë duart, trupat e ushtrisë boliviane e zhvendosën në një lokalitet sekret. Autoritetet ushtarake boliviane nuk pranuan të jepnin asnjë lloj informacioni lidhur me fatin e mëtejshëm të trupit, madje as për faktin nëse u varros apo u dogj.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama