Sa vlen buzeqeshja

Sa vlen buzëqeshja

Nëse një foto vlen sa për mijëra fjalë, atëherë sa vlen një buzëqeshje? Rreth 350 dollarë dhe kjo bazuar në një kamera Sony “që fokuson buzëqeshjen”. Duke përdorur teknologjinë e theksimit të fytyrës, kamera me kapacitet 8 megapiksel, DSC-T70 dhe DSC-T200 Cyber, nuk do të nxjerrë një imazh mjaft të përforcuar në rast se subjekti i përzgjedhur nuk do të buzëqeshë. Edhe në rast se në foto ka më shumë se një person, atëherë fotografi do të dijë kë fytyrë të fokusojë më vonë, duke shtypur një panel LCD me një penë të veçantë. Sipas Akira Tokuse nga Zhvillimi i Produkteve Sony, duke përdorur kapësin e buzëqeshjeve në aparatet me anë të panelit, ju mund të përzgjidhni një nga tetë personat në foto, në rast se ai do të jetë i vetmi që buzëqesh. Në një foto të një prindi me fëmijën e tij, ka më shumë mundësi që të theksohet fëmija. E ashtuquajtura Teknologjia “Say Cheese”, “Thuaj djathë”, ka tre nivele përdorimi. Produkti do të dalë në treg javën e ardhshme në Japoni, ndërsa nëpër botë pritet të shpërndahet gjatë këtij muaji. Teknologjia e buzëqeshjes së Sonit është një pasuese e prodhimit japonez, “Omron Corp”, që zhvilloi “kërkimin e buzëqeshjes”, e cila analizon lumturinë në sajë të gjesteve të fytyrës, si rrudhja e gojës, ose syve, apo edhe hapja e buzëve.

Dagllas luan “të çmendurin”
Majkëll Dagllas duket shumë më i shëndetshëm se karakteri që ai interpreton në filmin e tij të ri “Mbreti i Kalifornisë”, por shprehet se rikthimi i tij si një baba maniako-depresiv prek disa aspekte të jetës së tij. Dagllas ka qenë gjithmonë tepër përzgjedhës për rolet e tij, që në vitin 2000, kur edhe është martuar me aktoren hollivudiane, Kethrin Xeta Xhons, si dhe pas lindjes së dy fëmijëve të tyre. Por megjithatë, ai shpreh keqardhjen për kohën që nuk mundi të kalonte me djalin që ka nga martesa e parë, kur ai ishte më shumë i fokusuar në karrierën e tij, që përfshinte role në hitet e viteve ‘80, në filma si “Ëall Street” dhe “Fatal Attraction”. “Djali im i madh është 28 vjeç dhe unë në kohën që ai rritej, shqetësohesha më shumë për karrierën time”, tregon aktori. “Unë nuk kam kaluar aq kohë sa duhej me të”, është shprehur Dagllas, 62 vjeçar në prapavijat e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. Por, pranimi i rolit në filmin “King”, nuk duhet të interpretohet si një përpjekje për të bërë paqe me të kaluarën e tij. Në të kundërt, Dagllas po shijon një punë të madhe këto ditë dhe po pranon mjaft role që i përshtaten, në përputhje edhe me kërkesat familjare. Në film ai interpreton rolin e Çarlit, një baba beqar që del nga një spital për njerëzit me probleme mendore dhe rikthehet në shtëpi, ku vajza i tij 16 vjeçre, Miranda, e interpretuar nga aktorja Evan Rakel Ud, është detyruar të lëeë shkollën dhe të punojë tek McDonald's për të siguruar ushqim.


Në vend që të stabilizojë jetën e vajzës së tij, Çarli fillimisht duket me më shumë shqetësime, ndërsa përpiqet të luftojë fiksimet e tij, njëri prej të cilëve është edhe kërkimi për thesarin që ai beson se është varrosur nën një zonë urbane.
Dagllas thekson se ajo që ky karakter i dha mundësi të bënte ishte pjesërisht një mundësi për të luajtur “të çmendurin”, por gjithashtu aktori vlerësonte dëshirën e Çarlit për të lënë pas një trashëgimi për vajzën e tij. Dagllas, ashtu si edhe vetë personazhi i tij në film, është shprehur se po bën të njëjtën gjë, po përpiqet të provojë se ai ekziston, “duke lënë një trashëgimi në këtë planet”.

Babuini adopton pulën
Një babuin i vetmuar në një kopësht zoologjik në Lituani ka adoptuar një pulë, të cilën e ka shpëtuar nga ngordhja e sigurtë muajin e kaluar, dhe tani, dyshja ka formuar një miqësi të shpejtë. Drejtori i kopshtit zoologjik është shprehur se pula ishte marrë për t’u përdorur si ushqim për kafshët e tjera në kopshtin zoologjik, por është rrëmbyer nga Mitis në kafazin ku ajo ishte vendosur. Mitis është një babuin Hamadrays 6 vjeçar, që jeton në kopshtin privat zoologjik në qytetin port të Klaipedas, në Lituaninë perëndimore. Mitis më parë është ushqyer me mish pule, por kësaj rradhe ai “ra në dashuri me ushqimin e tij”. Sipas drejtorit të kopshtit, babuini luan me pulën, e pastron vendin ku qëndron ajo, fle me të dhe kujdeset për pulën si të ishte fëmija i tij. Por megjithatë, nuk mund të dihet se sa do të zgjasë kjo miqësi, sepse në fund babuini mund të arrijë të kuptojë se pula është një ushqim për të. Babuinët, me nuhatjen e tyre të zhvilluar, të ngjashme me atë të qenit dhe me dhëmbë të mëdhenj e të fuqishëm, hanë çfarëdolloj ushqimi, por zakonisht preferojnë frutat. Në jetën e egër, ata jetojnë në grupe. Por, sipas drejtorit, kjo miqësi ka shumë mundësi të ketë lindur për shkak të nevojës që ka pasur babuini për të komunikuar.

Propozimi i rrallë
Një bankier nga Varedo, në Milano, për t’i propozuar të dashurës së tij për martesë, ka blerë faqen e fundit me ngjyra të një gazete. Ajo është një shitëse në Nibiono dhe ai ka dashur që në faqen e fundit të gazetës “Provinca e Lecco”-s, të riprodhohej imazhi i një shisheje të marrë nga deti, me një mesazh në brendësi: “Do të martohesh me mua?!”. Tani mbetet të shikohet nëse vajza do të pranojë të martohet me të dhe mënyra se si do t’i përgjigjet.

Mesazhi i hajdutit
Një keqbërës, në vitet e tij të para të profesionit të ri, ka tentuar të vjedhë një bankë, duke shkruar një mesazh kërcënues në një nga çeqet e tij personalë. Forest Keli Bisonet është prezantuar këtë javë në sportelin e një banke në Ingëllvud, në Kolorado, duke dorëzuar një punonjësi të saj një mesazh, me anë të të cilit kërkonte dorëzimin e të gjithë parave në kasë. Por mesazhi që ishte shkruar mbi çek e ka tradhëtuar: Arkëtari ka mundur të lexojë emrin dhe mbiemrin mbi çekun e tij dhe ka lajmëruar menjëherë FBI-në.

Blerina Kosta : Gazeta Albania

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama