Nje shqiptare ne X-Factor

Nje shqiptare ne X-Factor

J. Toma është një ndër talentet shqiptare në Britani të Madhe, por që fshihet nga vetvetja. Në serialin më të fundit të spektaklit më të famshëm televiziv në Mbretërinë e Bashkuar “X-Factor”, zonjushë Toma ka arritur të klasifikohet ndër 40 më të mirët, nga dhjetëra mijëra konkurrues. E mbështetur nga dy prindërit e saj, zonjushë Toma, vetëm 16 vjeçe, ka arritur kështu një rekord që asnjë shqiptar tjetër se ka provuar në këtë spektakël, pavarësisht se shumë syresh kanë provuar të bëjnë karrierë në fushën e muzikës dhe kanë ngritur grupet e tyre. Megjithë insistimin tonë, Mirela Toma, e ëma e zonjushës së talentuar nuk pranoi që e bija të prononcohej për gazetën tonë dhe refuzoi që ajo vetë të prononcohej zyrtarisht. Sipas saj, një nga rregullat e brendshme të spektaklit “X-Factor” është që konkurentët të mos shprehen për publikun pa lejen e drejtuesve të spektaklit. Por, kjo nuk e ndalonte aspak zonjën Mirela që ajo vetë të prononcohej. Një tjetër gazetar që ka tentuar të kontaktojë me familjen Toma rreth kësaj çështjeje u shpreh se kishte një ndjesi se gjysma e familjes Toma donte ta mbante në hije origjinën shqiptare. “Pata përshtypjen se babai ishte shumë i entuziazmuar për arritjen e së bijës, por e ëma kishte krijuar bindjen se ajo ishte skualifikuar pikërisht sepse kishte origjinë shqiptare, çfarë për mua është arsye e pavend”, tha gazetari i cili preferon të mbetet anonim. Familja Toma, me orgjinë nga Shkodra, jeton në Londrën jugore. Për ta, J është tashmë shpresa për një sukses. Kemi mësuar se zonjushë J ka pasur disa oferta nga studio të vogla, pas suksesit në “X-Factor” dhe po konsideron më të mirën prej tyre.

Pritet që ajo t`i bashkohet ndonjë grupi ekzistues të muzikës pop. Familja ka shpenzuar mijëra sterlina që zonjushë J të ketë një studio të saj të regjistrimeve muzikore. Pavarësisht moshës së re, ajo ka interpretuar nëpër disa skena dhe koncerte si në Angli edhe në Shqipëri, deri tani në role shoqëruese. Seleksionimi paraprak i “X-Factor” për Londrën u bë në stadiumin e Arsenalit, në muajin qershor. Sipas statistikave që paraqet vetë kompania “X- Factor”, të paktën 50 000 veta kanë marrë pjesë në spektaklin kualifikues të Londrës. Kësaj radhe, “X- Factor” ka bërë ndryshime në rregulloren e brendshme. Tashmë mosha më e vogël për tu pranuar në konkurs është 14 vjeç, nga 16 që ka qenë më parë. Megjithatë, konkurruesit nën moshën 18 vjeç duhej të paraqisnin leje të posaçme nga prindërit e tyre. Tradicionalisht, ky spektakël televiziv i ITV ka një juri prej tre personash që tashmë janë ndër personazhet më të njohur në ekran. Kësaj radhe, një person i katërt i është shtuar jurisë dhe ajo vjen nga Australia e largët; Dannii Minogue, e motra e këngëtares së njohur Kylie Minogue.

Linda Lufo : Albanianmail.co.uk


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama