Kanuni totemi i vrasesit

Kanuni, totemi i vrasësit

Të vetmen lidhje që kanë me kanunin historitë e zgjedhura nga Donika Mustafaj në dokumentarin “Jetë pezull”, është ngujimi. Kanuni i Lekës si një totem në kokat e njerëzve që vrasin dhe mbyllen me gjindjen në shtëpi e kulla, me frikën se do të vriten me çdo kusht, dhe ky është i vetmi “nen” i kushtetës së maleve, i zbritur sot dhe në qytet, nga ata që e zbatojnë. Kjo është një nga temat e fenomenit. Donika Mustafaj veç mesazheve për falje që pretendon të përcjellë me dokumentarin, vë në dukje se çfarë raporte njohjeje kanë të ngujuarit për gjakmarrjen. Përfundimi është që kanuni është një pretekst dhe si pushtet i panjohur, gati i verbër, ka më shumë pushtet se pushtetet reale, ligjor, politik, ekonomik, kulturor që janë ligje shumë larg territorit ku ndodh fenomeni, po jo dhe aq afër qytetarisë pak të zhvilluar të Shqipërisë.

“Jetë pezull” prodhim i Televizionit Publik Shqiptar, i Drejtorisë së Programit Satelitor është realizuar nga DonikaMustafaj dhe është debutim i saj në gjininë e dokumentarit, pas përvojës disavjeçare në mikrofonin e Radio Tiranës. Operator është Ardian Kamberi, operator zëri Bardhyl Xhani dhe nmontazhier Agim Bulku. Premiera e “Jetës pezull” jepet të martën, më 18 shtator, ora 19.00 në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar.

Na thoni diçka për “Jetën pezull”

Dokumentarit ka për temë gjakmarrjen. Nuk ka një linjë nga fillimi në fund, janë histori të lidhura me njëra-tjetrën dhe jam munduar që të jap jetën, jo vdekjen dhe faljen. Dhe duke parë që në ato vende ku isha unë, barra e gjakmarrjes binte më shumë mbi fëmijët e gratë, gjë që me kanun nuk njihet, ata janë të paprekshëm, kështu që dhe unë jam përqëndruar më shumë tek këto dy kategori.

Si gjithmonë Veriu në fokus?

Jam përqendruar në veri të Shqipërisë, duke filluar nga Oroshi, Dukagjini, Melgush, Bushat, kam shkuar dhe në Poliçan ngaqë aty ka një qendër rehabilitimi për fëmijët. Por nuk mendoj se gjakmarrja është veriore pavarësisht sa flitet, mendoj se i përket gjithë Shqipërisë, jam e bindur që ekziston nga veriu në jug në vendit dhe që tani nuk ka më gjakmarrje të mirëfilltë. Në qoftë se do ta shohim fenomenin me kanun, kanuni nuk është më. E vetmja gjë që ka ngelur nga kanuni, nga kanuni klasik flas, është ngujimi. Asgjë tjetër nuk i lidh vrasjet e sotme me kanunin.

Po përsonazhet e perceptojnë në mënyrë të tillë?

Të pyetur përse janë të ngujuar ata përgjigjen: se kështu thotë kanuni. Ata do të na vrasin. Të pyetur se çfarë thotë kanuni për këtë, ata nuk dinë të të kthejnë përgjigje. Pjesa më e madhe nuk e dinë se çfarë thotë kanuni për këtë. Ata janë të bindur kur thonë se sipas Kanunit po vrave do të të vrasin.

Në ç’gjendje i keni gjetur këto familje?

Të gjitha familjet kanë të njëjtin problem o kanë vrarë, o i kanë vrarë, dhe të gjithë janë të ngujuar. Gjendja e tyre ekonomike është pak të them e keqe, pjesa më e madhe të papunë, madje edhe gratë nuk guxonin të dilnin. Ishte një tmerr i vërtetë, nëse do të pyesje vajzat e vogla pse nuk dilnin në rrugë të luanin përgjigja ishte: do më kapin do më çojnë për prostitucion, ose do më vrasin.

Ndjenin vërtet një rrezik real apo ngujimi shkaktonte një antkh më të fortë se kërcënimi?

Me aq sa pashë unë ato duke njohur se kush ishte ai që i kishte vrarë apo që kishin vrarë, mendonin që çdo gjë mund të ndodhte, ngaqë kishin frikë dhe nuk dilnin.

Por në dokumentar janë më të pranishëm ata që i kanë vrarë dhe nuk kanë marrë gjak. Pra jam përqendruar tek falja, sepse më shumë doja të jepja mesazhin e faljes tek shqiptarët që ne duhet të falim.

Kjo duket një temë që nuk shteron kurrë, njerëz vazhdojnë e vriten në emër të kanunit, ligji mbetet jashtë këtyre diskutimeve, ju çfarë mund të sillni ndryshe në këtë rreth të pambyllur ku futen vazhdimisht edhe të huaj të fotografojnë gjendjen, shkruhet, botohen katalogë më gra të mjera dhe portrete të pafajshëm fëmijësh.

Mendoj se në qoftë se dikush do që ky fenomen të mbyllet, unë them se mbyllet. Por nuk e di. Shumicën e rasteve që unë ndoqa ishte kanuni ai që i kishte nxitur. Po ju tregoj një. Duke dalë nga një familje e zonja e shtëpisë më tha që neve nuk do marrim hak. Kishin dy të vrarë në shtëpi, i shoqi dhe i kunati. Një nga misionarët që na shoqëronte kur dolëm më tha: nuk ia mban asaj me marrë gjak se nuk merr dot gjak, prandaj flet kështu. Ekzistonte edhe kjo gjë.

Nëse do të marrim masa parandaluese për konflikte, dhe unë pashë që kishte konflikte që përfundonin në vrasje, nëse pushteti vendor të cilit këta njerëz u kanë dhënë votën, pra nëse ky pushtet do të merret seriozisht qoftë dhe për një gardh që ka ndodhur vrasje, do merret me zgjidhjen e këtyre konflikteve, atëherë ka për t’u parandaluar shumë. Por ndihma e këtij pushteti ishte shumë larg.

Donika, është marrë me mend pavarësisht se nuk është provuar hapur që ka forca u intereson që kjo gjendje të mos ndryshojë.

Unë kam mendimet e mia edhe për këtë, por nuk dua të prononcohem për këtë pikë, pasi duhet vërtet t’i kesh studiuar dhe investiguar gjërat. Unë nuk u përqëndrova për shembull tek misionarët e pajtimit të gjaqeve, por tek tragjedia e këtyre njerëzve dhe i bëj apel shtetit dhe shoqërisë kur ndodhemi para fakteve të tilla, kur duam të shkojmë në Evropë dhe zihemi për një gardh. Unë jam marr me anën njerëzore të fenomenit. Kishte aty një grua që i nxiste fëmijët e vetë me ndjenjën e hakmarrjes dhe thoshte që nëse shteti s’do të veprojë, atëherë unë këtë kam për të bërë.

Ka ndodhur që një grua e tillë ka pozuar gati si një modele me një thikë në dorë, ndërsa e bija e saj si një Shotë me armë në dorë, për një media të huaj. Pra është rasti kur viktimat e “rrëfejnë” lehtë dramën e tyre si një primitivitet që të huajve gati u pëlqen ta tregojnë në vendet e tyre.

Unë nuk mendoj se të huajve u pëlqen primiteti i shqiptarëve të paktën me aq njohje sa kam unë. Dihet që mediat shfrytëzojnë skupe për t’u shitur, dihet që ka gazetarë të përgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm. Personalisht nuk kisha për ta bërë një gjë të tillë. Por nuk mendoj që atyre u pëlqen dhe është një fenomen që atyre u bën përshtypje, dhe një i huaj bëhet kurioz dhe thotë si ka mundësi që shqiptarët janë në Evropë dhe vendeta, ashtu si në Korsikë dikur, vepron kaq ashpër. Me aq sa njoh të huaj që e njohin temperamentin ballkanik, e shohin këtë fenomen nisur edhe nga ky temperament i nxehtë i shqiptarëve që jeta shpeshëherë u duket pa vlerë dhe vrasin për hiçgjë. Pa dyshim që këtu ndikon niveli ekonomik, kulturor, që janë vende të largëta. Ashtu siç ka ndodhur që një shqiptar i ardhur nga Italia ka vrarë në mes të Vlorës.

Po të marrim Bushatin, aty, të zgjedhurit lokalë i njohin se kush ka konflikte dhe kush mund të përfundojë në një vrasjë. Mendoj se po të ketë një vullnet nga shteti, mbështetur nga gjykatat që kanë mangësi pa fund, mendoj se nuk është një problem që s’mund të zgjidhet.

Ky është dokumentari juaj i parë?

Ky është dokumentari i parë, sapo kam mbaruar dhe një të dytë dhe po punoj për një temë tjetër. Dokumentari që kam mbaruar është për klarinetën, një vegël e rrallë muzikore ku shqiptari vë shpirtin. Unë e kam kapur në sensin e shqiptarëve. Personazhi kryesor është klarineta kjo vegël poetike dhe imagjinare, si i bien shqiptarët, pse i bien dhe që ka të bëjë shumë me shpirtin e shqiptarëve.

Elsa Demo : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama