Kroaci, Serbi, shtator - Joshka Broz qëndron në një cep të tarracës dhe përshëndet mysafirët, që sapo kanë filluar të mbushin verandën në fillim të një nate të freskët në fundjavë. Kamerierët respektojnë urdhrat e tij, punojnë shpejt dhe kujdesshëm me sjellje të bukura. Ai koordinon gjithçka dhe i tërë stafi qëndron duke vëzhguar sytë e tij sikur ata të ishin pjesë e brigadës ushtarake. Restoranti ka edhe një orkestër prej tre vetash që si brumbull vizitojnë tavolinat e myshterinjve që hanë darkë. Një tarracë që u ngjan ballkoneve të shtëpive dhe e rregulluar me thjeshtësi. Joshka qëndron ulur në një tavolinë të rezervuar dhe çdo natë është aty. Trashëgimtari i Presidentit të përjetshëm, Titos së Jugosllavisë, tashmë është vetëm një drejtues lokali të marrë me qira. Por, qëndrimi dhe shikimi i tij tregojnë se është nga familja që dikur mbante presidencën me tipare mbretërore.
Familja e varfër Broz
Shteti i mbi 20 milionë banorëve tashmë kujtohet vetëm si Titaniku që është fundosur me qindra njerëz brenda. Por, kanë edhe nostalgji për këto kohëra dhe figura e Presidentit prodhon mjaft para. Vendet ku ai ka qëndruar qoftë edhe për një minutë tashmë janë materializuar dhe aty shitet gjithçka për turistët e huaj. Por, vetëm trashëgimtarët e Josip Broz Titos kanë mbetur ende qiraxhinj. Joshka nuk i ka vënë emrin e gjyshit në restorantin e tij, edhe pse ka shumë vizitorë që shkojnë sa për të parë një lokal që drejtohet nga nipi i komunistit liberal të kohës. "Cuburska Lipa", kafeneja e Brozëve në lagjen afër Sllavisë në kryeqytetin e Serbisë, nuk ka asnjë simbol. "Nuk dua ta prish emrin e gjyshit. E për ta bërë mirë një restorant me kujtimet e kohës duhen shumë para…", thotë nipi i liderit të partizanëve komunistë. Joshka në fakt i ngjan gjyshit të tij në tërësi. Fytyrën e ka pak më të tharë, por me uniformën e paraardhësit, sigurisht mund të tërbonte Ballkanin me ngritjen e fantazmës. Është veshur me një këmishe xhins dhe ka lëshuar pak bark. Derisa gjyshi i tij ka qenë gjallë, edhe Brozi i ri ka qenë autoritar gati sa vet i pari. Joshka ka qenë shef i sigurimit të gjyshit të tij. Por, kur ai ka vdekur i është dashur ta braktisë edhe banesën njëdhomëshe që e ka pasur në Beograd të Ri. Vdekja e liderit komunist, që për shumëkënd mbetet i mirë, për familjen e tij ka përfunduar si rrëfim tragjik.
Shtatë shtete që përbënin federatën e madhe të Ballkanit, tashmë nuk kanë qejf ta shohin më sy njëri-tjetrin. Megjithatë, kjo është shndërruar në një biznes për ekonomitë e vendeve. Titoja ka lënë prapa tij Mishon dhe Zharkon, të cilët i kanë sjellë gjashtë nipa. Misha është kroat tashmë, ndërsa pasardhësit e Zharkos, prej të cilëve edhe Joshka, janë serbë, por ata nuk e pranojnë. Misha është ende në skenën politike dhe përfaqëson Kroacinë si ambasador në Indonezi. Ndërsa Zharko ka ndërruar jetë duke lënë djalin fukara. "Ka qenë dëshira e tij që të gjitha t‘ia lërë shtetit, edhe pse ka pasur shumë dhurata. Por, edhe shtëpinë shtetit ia ka lënë", thotë nipi.
Po Jovanka?
Jovanka e Titos, e veja tragjike, një vajzë zeshkane dikur e bukur dhe figurë e madhe si zonja e parë, jeton një jetë të varfër në lagjen e pasur diplomatike Dedinje të Beogradit. E tërë lumturia e saj është vetëm pjesë albumesh me fotografi. Ajo ka mbetur aty ku dikur ka jetuar i shoqi. Por, tashmë nuk mund të lëvizë shumë dhe rrallë arrin të vizitojë varrin e burrit të saj. Ka qenë gruaja e fundit e Titos, por me tërë familjen i ka ndërprerë marrëdhëniet dhe dëshiron të jetojë fundin e saj nën kujtimin e bukur të luksit dhe "Shevroletit" që e kishin lakmi miliona banorë.
Titoja nga Kina
Kumroveci, është një fshat turistik në kufirin kroat me Slloveninë. Aty ka lindur Titoja i madh dhe shtëpitë prej tri dekadash janë shndërruar në muze. Tufa misri, qerre kuajsh dhe kujtime të jetës së vjetër të katundit. Fshati ka shtëpi të vogla që u ngjajnë atyre vendbanimeve me rrugica serenatash. Shtëpia me oborrin më të madh ka qenë e një fermeri të njohur në ato anë, babai i Titos. Aty është ruajtur edhe djepi, mbulojat, një bukë e ngrirë dhe shkallët prej druri. Një uniformë dikur më vonë dhe fotografi të Titos me nipat e tij. Fotografitë në mure tregojnë takimet e rëndësishme të mbajtura në fshat. Aty kanë qenë shumë njerëz me rëndësi nga Naseri i Egjiptit e deri te Nehra. Richard Niksoni, ka qenë aty në vitin 1970. Titoja qëndron në foto si president i përjetshëm i ish-Jugosllavisë. Por, fshati duket se nuk ka ndonjë kuptim të veçantë për banorët, përveç që sjell të holla të mëdha nga çmimet e ngritura. Pak më larg shtëpisë kryesore, janë të vendosura shtëpitë e tjera dhe ‘Harvardi Jugosllav‘, "Shkolla politike e Kumrovecit". Kafeneja e vetme me tavolinat e bukura të shtruara në një tarracë ka shumë punë, ndonëse e vetmja gjë në meny është një pite me djathë.
Gergio Batoiconi, 50 vjeç, është nga Italia, por thotë se është i minoritetit slloven. Ai së bashku me një turmë njerëzish kanë zbarkuar aty për të bërë fotografi. Gergio, si njeri që ka jetuar një jetë fshatrash të fshehura prapa kufirit të ish-Jugosllavisë, e ka/ idol Titon. "Ka qenë njësh në gjithçka…", thotë ai duke treguar se ka seleksionuar mbi 100 fotografi dhe 30 libra në gjuhë të ndryshme që flasin për historinë e këtij njeriu që ai nuk ka pasur rastin ta takojë kurrë. Megjithatë, valët e televizionit kanë kaluar kufirin dhe e tërë kjo gjeneratë ka jetuar me nostalgjinë e një shteti që për një kohë ka qenë më i mirë se i tyre. Ai blenë një bluzë me foton e Titos që kushton 100 kuna (rreth 15 euro). Edhe Marko Jarc dhe Marina Marusic kanë jetuar me këtë histori dhe nuk përtojnë që paratë e tyre t‘i harxhojnë për vizita të tilla. "Ka qenë një vend i stabilizuar Jugosllavia", thonë ata. Por, më e lumtura në këtë mes është shitësja e dyqanit të suvenireve me simbole të ndryshe. Një bust i Titos 5-6 centimetra kushton 70 kuna. Ajo ka shitur shumë të tillë dhe malli shpesh i harxhohet. "Vijnë mbi 40 mijë turistë në vit", thotë. Aty ka punuar prej vitit ‘84 dhe është e lumtur me punën që bën. Por, Titot e ndryshëm nuk kanë vulë prodhimi. "Për dy gjëra e di se janë prodhim i Zagrebit. Edhe të tjerat, atje i marrim, por nuk e di ku janë prodhuar. Nuk e besoj që në Kinë", arsyeton ajo.
Ishulli i shtrenjtë
Ish-luftëtari kroat, Mihovill Zharincic, ka dërguar fëmijët e tij në fshatin e Titos për t‘ua treguar historinë. Por, ata mezi presin ta mbarojnë këtë ekskursion dhe bëhen të padurueshëm. Mohovilli ka qenë kryetar i një komune të quajtur, Sunja, dhe mendon se Titoja duhet përkujtuar sepse ka qenë kroat. "Kujtdo që ia përmend në botë, Kroacia dhe Tito ata e dinë¦", mendon ai. Sipas tij, shteti duhet ta promovojë më shumë figurën e këtij njeriu, së pari për veprimet e tij, por ai është i vetëdijshëm se kjo mund të jetë biznes i mirë. "Marshall pubi" është edhe në fshatin e vogël. Kroacia tashmë është më së afërmi e përkufizuar me Bashkimin Evropian, por më shumë i ngjan me çmimet dhe pastërtinë që ofron. Kumroveci duket si fshat Alpik i ndonjë pjesë austriake. Të gjitha së bashku kanë bërë që veturat në parking, 80 për qind, të jenë me targa të huaja.
Në Pulë, mbi 300 kilometra nga vendlindja e Titos shumë turistë presin në liman. "Perojka", anija që bart udhëtarët, niset në ora 11:00 dhe atje dërgon udhëtarë disa herë në ditë. Agjencive që shesin tiketat nga 25 euro për të vizituar ishullin Brijuni, nuk u duhet shumë reklamë. Në kohë vere ata kalojnë një mijë vizitorë. Përtej shihet një hotel i vjetër klasik ku dikur Presidenti jugosllav ka kaluar kohën e tij me diplomatët e rëndësishëm.
Kristina Cerin, një bionde e bukur kroate, është cicerone në anglisht. Trenat, veturat e vogla të golfit dhe njerëz në këmbë vërshojnë ishullin. Aty ndalohet duhani. Shifra një mijë duket se është më e preferuara në atë pjesë. Një natë në hotel kushton vetëm një mijë euro, por mund të ketë një plazh privat, kamerierë dhe gjithçka është si turizëm aristokratësh. Hoteli me tri yje kushton 102 euro nata, ndërsa më i liri, me dy yje 70 diku thellë në qytet. Ishulli i bukur është shpallur park nacional që nga viti 1983 dhe kroatët dinë të bëjnë të holla me të. Aty Presidenti Tito është takuar me 19 presidentë shtetesh. Ka ende kafshët e tij të dhuruara nga diplomatë të ndryshëm dhe elefantët e Indira Gandit të Indisë. Fusha të mëdha golfi dhe pjesë me kuaj. Gjithçka duket aq e rëndësishme sikur /ranci i Teksasit të Xhorxh Bushit. Kadillaku që është përdorur vetëm në rrugët e ishullit është ende si i ri. Është ekspozuar para vilës dhe kush dëshiron të ndihet si Josip Boriz Tito mund të shëtitet me të për një orë, normalisht për 1000 dollarë. Brenda vilës Titoja përshëndet të gjithë mysafirët e tij që kanë shkuar kohë pas kohe atje, të cilët i ka tubuar në një dhomë. Ai është i zënë pak me aktoren Elizabeth Taylor, por më vonë do të takohet edhe me dublerin e tij, Richard Burto, i cili ka luajtur rolin e Titos në filmin "Sutjesha". Aty është edhe lideri palestinez, Jaser Arafati, dhe më pas në gjendje të mirë shëndetësore është edhe diktatori kubanez nga Habana, Fidel Kastro. Të gjithë këta janë mbledhur në ekspozitën e fotove të bëra në Brijuni. Por, aty qëndrojnë edhe shumë njerëz të tjerë që kanë përbërë ngjarjet e kohës. "Për fëmijët, Brijuni ka qenë si dënim…", thotë Joshka derisa kujton atë kohë.
Miti i shitur mirë
Por, tash të gjithë ata që punojnë me emrin e Titos kanë para, përveç nipit të tij që mezi mbulon faturat nga muaji në muaj. Dikur ka qenë njeri me nam, tash i duhet të flasë në mënyrë tragjike për prishjen e kohërave. Në Beograd nuk dinë se si ta prezantojnë, ndërsa në Kroaci kërkojnë më shumë promovim të Titos. Në Shtëpinë e Luleve, në krahasim me Brijunin dhe Kumrovecin, nuk ka asnjë gjë. Të paktën kunata e Titos nuk shet kek në rrugë. "Është interesante që të rinjtë e duan më shumë. "Ajo ka qenë kohë kur me një rrogë kanë jetuar katër veta, e tash me katër rroga s‘mund të jetojë një njeri…", thotë Joshka. Ai mendon se më të mira janë aksionet e rinisë komuniste. "Kam lindur në këto rrugë, por gjithmonë do të mbetem jugosllav", thekson ai. Kroatët, ndonëse fitojnë shumë me gjyshin e tij, ata nuk ia kanë pranuar nënshtetësinë e dyfishtë dhe i kanë kërkuar shumë dokumente. "Narod je cudo…", thotë ai (populli është i çuditshëm". Nuk i ka ardhur mirë kur emri i Titos ka filluar të fshihet me të madhe. Por, vera dhe prodhimet e tjera shiten mirë. Gjithsesi, ai dhe mbesa e Titos, Sasha, nuk do e lënë me kaq. Kanë menduar që të bëjnë një të drejtë autoriale mbi përdorimin e emrit të gjyshit. Kanë filluar gjyqin dhe presin edhe për Strasburgun. Megjithatë, nuk kanë menduar ta zëvendësojnë liderin e madh. "Një njeri i tillë nuk zëvendësohet", thotë. Joshka shpreh keqardhje që të gjithë shesin mallra të lira, bluza për një larje dhe figura të tjera me "syretin" e tij. "Ne do të mbrojmë prodhimet, por paratë do t‘i dërgojmë në fonde humanitare për fëmijë", tregon ai.
Libri "Titoja si kuzhinier" është bestselleri më i mirë për një kohë, i shkruar nga një kuzhinier. "Asnjë ata që kanë shkruar nuk kanë pasur ide për Titon. Ai nuk ka ngrënë 10 herë në ditë, madje mjekët ia patën ndaluar mishin", mohon nipi. "Por, tani kanë dalë gjithë ato restorante që thirren në emrin e tij, si kuzhina speciale me kuzhinierin që i ka gatuar edhe Titos…", thekson ai. Te Joshka kanë shkuar plot njerëz dhe i kanë thënë se me gjyshin e tij kanë qenë në gardën e rojave. "Unë kam qenë aty, të gjithë nën komandën time kanë qenë. Nuk i ka pasur garda pesë milionë veta", vazhdon i zemëruar pasardhësi. Një restorant rrugës për në Nish mban emrin "Tito". Dhjetëra autobus ndalojnë aty për të pushuar nën atraksionin komunist. Joshka fillon të grumbullojë pazarin e pak tavolinave që ka pasur të mbushura atë natë dhe me ata pak dinarë do të paguajë tërë stafin në fund të muajit. Por, edhe qiranë e lokalit. Banesën e ka blerë vetëm njëzet vjet pas vdekjes së gjyshit. Ndërkohë që ai bën llogaritë e fundit, vetëm qindra metra larg vendit të tij, në "Marshall Pub" në "Bulevar Revolucija" përplot simbole, dhjetëra të rinj kanë zënë vendet e tyre. Vajzat janë nxehur dhe përveç tatuazhit pak mbi prapanicë, veshjeve të shkurtra, ato tregojnë sharm edhe me kapelën e Titos duke vallëzuar për rreth tavolinave. "Çdo natë është plot", thotë kamerieri, i cili flet për rezervimin e natës së karaokes.
Falsifikatori shqiptar
Pasaporta origjinale e Titos prodhohet në Kroaci. Tifti, një vend i vogël, vërshohet nga turistët ditën e stafetës më 25 maj. Ajo ka qenë ditëlindja e kreut komunist. Por, Marko Perajovic, i cili në versionin origjinal është një shqiptar me emrin Mark Peraj, ka bërë mjaft para nga puna e tij dhe shet pasaporta dhe nostalgjinë për Titon.
Marre nga : Gazeta Shqip











