Misteri i testanentit te Pavarotit

Misteri i testanentit te Pavarotit

Vetëm pak ditë pasi ka mbyllur sytë, "Big Luçiano" është sërish në qendër të kronikave të shtypit. Kështu, sipas asaj që raportohet në mediat italiane, tenori që vdiq pas një kanceri në pankreas kishte ndryshuar testamentin vetëm një muaj para vdekjes, duke "favorizuar" kështu vajzat që kishte nga martesa e tij e parë me Adua Veronin. "Disa biznese që ishin në emër të anëtarëve të tjerë të familjes u kthyen në emrin e tij dhe kam dëgjuar gjithashtu se ai ka ndryshuar testamentin", ka treguar një mik i ngushtë, që nuk ka dashur të identifikohej. Në fakt, pasuria e tenorit të madh, që përfshinte prona të ndryshme në Nju-Jork, Itali dhe Monte Karlo, mendohet se i kalon 250 milionë dollarët dhe ndryshimet e fundit në testament kanë favorizuar ndjeshëm tri vajzat që ai pati me gruan e tij të parë: Lorenza, Kristina and Xhuliana. Në fakt, Luçiano Pavaroti e donte shumë familjen, aq sa kishte dy të tilla. Madje, deri në fund të jetës këngëtari i madh mbeti i mbërthyer mes të kaluarës dhe të tashmes. Nga njëra anë qëndronte gruaja e parë, Adua Veroni, tri vajzat e mëdha lindur nga kjo martesë dhe miqtë e tij të përhershëm, për të cilët ishte dhe është akoma një tenor i madh dhe një njeri i jashtëzakonshëm.

Nga ana tjetër, gruaja e dytë, Nikoleta Mantovani, rreth 37 vjet më e re se ai dhe miqtë e saj të rinj. Në mes të këtyre, qëndronte ai. Mes këtyre dy botëve, asaj të vjetrës dhe asaj të resë, nuk kishte një pikë takimi.

Siç u pa edhe në funeral, Adua dhe Nikoleta nuk shkëmbyen qoftë edhe një shikim përpara arkivolit të njeriut me të cilin të dyja kishin qenë të martuara. Zërat që qarkullonin thoshin se më parë nuk ishte folur sepse Luçiano ishte gjallë dhe sepse ishte shumë i sëmurë. "Tani jemi të sigurt se do të shpërthejnë konfliktet", sigurojnë njerëzit e tij të afërm. Në fakt, nuk janë fjalë kot. Një gjë është e sigurt: njerëzve të Pavarotit, Nikoleta nuk u ka pëlqyer kurrë, madje vazhdimisht e akuzonin që ajo ishte përpjekur t‘i largonte nga tenori. Sipas tyre, kur Pavaroti doli nga spitali në Nju-Jork, ku u diagnostikua për një kancer në pankreas, Nikoleta nuk ishte me të, por në Itali, ndërsa të shtunën e kaluar shkoi e veshur elegante në martesën e një mikut të Luçianos, ndërsa bashkëshorti ishte në grahmat e fundit të jetës. Në fakt, zërat se çifti Pavaroti-Mantovani nuk shkonte mirë, kishin nisur të dëgjoheshin prej kohësh. Për më tepër, një vit më parë, para se të zbulonte se ishte i sëmurë dhe pa asnjë shpresë, Pavaroti i kishte thënë një mikeshës së tij: "Nikoleta dhe unë jemi duke menduar për divorcin.

Po mendoj të shkoj te një avokat". Madje, sipas një tjetër miku të ngushtë, ishte vetëm sëmundja ajo që po pengonte që çifti të "shpërthente", apo lidhja e ngushtë me vogëlushen Alice, të lindur katër vjet më parë nga martesa e tij e re. Megjithatë, më i çuditshmi nga të gjithë mbetet misteri mbi testamentin. Thuhet se një muaj më parë Luciano shkroi një të ri, pas atij që kishte shkruar në Nju-Jork vitin e kaluar. Sigurisht që askush nuk mund të flasë me siguri, por mbi përmbajtjen e tij hipotezat janë të ndryshme. Ka nga ata që thonë se pas shumë kërkesave në kohën kur ishte gjallë, e ka bërë për t‘i lënë menjëherë Nikoletës apartamentin e tij të mrekullueshëm në Hampshire House, në "Upper East Side" të Nju-Yorkut, ekzaktësisht poshtë atij të Karlo Pontit, me një pamje mahnitëse mbi "Central Park" dhe me një vlerë rreth 11 milionë dollarë. Por, ka nga ata që thonë se ndryshimi i fundit në testament është bërë për të futur "në lojë" tri vajzat që pati nga martesa e parë me Aduan. Megjithatë, një gjë është e sigurt: me të dhe Aduan në muajt e fundit ka pasur një afrim. Ndoshta me siguri kishte vendosur të harronte natën e vitit 1993, kur në një orë të vonë të natës kishte telefonuar në shtëpinë e Andrea Stratas një dietolog nga Modena, mik i ngushtë me tenorin. Ishte Luçiano.

"Ku je, në Honolulu?", e kishte pyetur Strata. "Jo, para portës tënde. Mund të fle te ti? Adua më ka nxjerrë nga shtëpia". (Aty jetoi për rreth nëntë vjet). Më pas ndoqën procedurat e divorcit dhe u dëgjuan zëra në shtyp për ndarjen e pasurisë. Në fund martesa me bukuroshen Nikoleta. Vajzat në fakt nuk kishin dëshiruar të qëndronin as me njërin dhe as me tjetrin prind. Por kur babai i tyre u sëmur, u kthyen tek ai dhe me të ndenjën deri në pesë të mëngjesit të së enjtes, kur "Big Luçiano" mbylli sytë. Madje edhe me Aduan situata ishte qetësuar ndjeshëm.

Luciano i telefononte rregullisht dhe në pranverë u paraqit në festën e ditëlindjes së mbesës së vetme, Katerinës, duke u kthyer kështu në shtëpinë ku kishte jetuar me Aduan, dhe ku kishin jetuar edhe pas divorcit prindërit e tij. Madje dhe Adua, duke lënë mënjanë zënkat dhe poteret e mëdha që ishin bërë në shtyp, kishte shkuar ta takonte në spital. Madje edhe në ditën e vdekjes ishte e pikëlluar dhe mundohej t‘u qëndronte pranë të bijave. Gjendja u bë më e tensionuar kur gjendja e Pavarotit po përkeqësohej dhe ai ishte në dijeni të kësaj. Në korrik shkoi të takonte në Francë Maria Korfinin, gruan e Stratas. Nuk arriti të zbriste as nga makina. Nga dritarja kishte thënë: "E dashur, po vdes"! Një frazë e dëshpëruar, ku nuk donte ta fshihte atë që po i ndodhte. Pastaj kishte pëshpëritur: "E di, kësaj here nuk do të mundem t‘ia dal mbanë". Pjesa që ngelet plotësohet nga kronika e djeshme: Adua dhe Nikoleta në katedrale, njëra në fund, tjetra në fillim të të njëjtit stol. Por asnjë nga ata që kanë folur për "dy gratë e jetës së tij" nuk e kuptoi që në funeral ishte edhe Madelyn Rene, nxënësja sekretare, me të cilën, për shtatë vjet, nga viti ‘79 deri në ‘86, ky njeri i dashuruar me dashurinë jetoi një nga historitë e tij më pasionante.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama