Inva Mula jo ne marke parfumi por inspiruse e tij

Inva Mula jo në markë parfumi, por inspiruse e tij

“Sempre libera”. Eshtë ky titulli i njërës prej arieve, që Inva Mula ka kënduar gjatë karrierës së saj të suksesshme, por që vetëm pak kohë më parë është shndërruar edhe në markën e një parfumi, inspiruar pikërisht nga këngëtarja. Bëhet fjalë për parfumin “Sempre libera” (Gjithmonë e lirë) i hedhur në treg nga një mikeshë e sopranos së njohur në Paris. Në fakt ky lajm është bërë i njohur fillimisht në revistën albaniac në internet, ku thuhet se parfumi do të mbajë emrin e artistes shqiptare, pra thjesht Inva Mula dhe se vetë ajo do të kujdeset personalisht për aromën e tij.

Por në një telefonatë me bashkëshortin e sopranos së njohur, këngëtarin Pirro Çako, ai na tregon se Inva është thjesht inspiruese e emrit të këtij parfumi, që hidhet në treg nga një prej shoqeve të saj në Paris dhe se nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me të. Madje, Pirro saktëson se emri i këtij parfumi lidhet vetëm me arien që mban të njëjtin titull dhe tashmë është në treg prej pak kohësh. Sopranoja e njohur shqiptare prej vitesh jeton në Paris ndërkohë, që zëri i saj ka arritur të ngjisë veprat më të mëdha të muzikës klasike në disa prej superskenave botërore. Hera e fundit, që Inva ka ardhur në Shqipëri ka qenë gati një muaj më parë, kur mori pjesë në një koncert në qytetin e Gjirokastrës, ndësa përfitoi nga rasti edhe për të pushuar sadopak së bashku me familjarët.

Marre nga : Gazeta Panorama


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama