Fuqia e madhe e antioksiduesve, vitaminës C, fibrave, kripërave minerale, beta karotenës (që luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e shikimit dhe funksionimin e mirë të syve) dhe elementëve të tillë si hekuri, zinku jodi, magnezi dhe kaliumi, bëjnë që të quhet si "bekim" i Zotit. Siç shihet, pjepri bën pjesë në ato fruta që përmbajnë shumë elementë të vlefshëm për organizmin dhe sipas një studimi të fundit të ardhur nga Universiteti i Masaçusetsit dhe i botuar në revistën "Nature", ai është një frut me mbrojtje të madhe ndaj kancerit dhe sëmundjeve të ndryshme të zemrës. Sipas asaj që kërkuesit arritën të zbulonin për të mbajtur në formë dhe për të ruajtur shëndetin tuaj, është mjaft e dobishme që të hani çdo mëngjes nga një racion pjepër, ndërsa për ata që vuajnë nga sëmundja e tensionit të lartë të gjakut dhe zemrës do të ishte mirë që të konsumohej çdo drekë dhe darkë, pasi një tjetër veti pozitive e tij është kaliumi. Sipas kërkuesve, gjysmë pjepri përmban 825 miligramë minerale të dobishme për organizmin e njeriut. Mjekësia kineze i atribuon shumë veti dietike, dizintoksikuese dhe qetësuese të aparatit të frymëmarrjes, i domosdoshëm për hidratimin e lëkurës dhe që rigjeneron humbjen e mineraleve dhe eliminimin e lëndëve toksike nga organizmi. Mjekët e këshillojnë edhe si ilaç magjik për të luftuar aneminë për shkak të sasisë së madhe të hekurit që përmban. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë të theksojmë që bën mirë për lëkurën, flokun, dhe ndihmon për një nxirje perfekte në verë. Padyshim proverba e njohur, që ka si protagoniste mollën (një mollë në ditë mban mjekun larg nesh), për verën mund t‘i lerë hapësirë pjeprit, frutit që konsumohet me shumicë si gjatë, ashtu edhe pas vakteve. Së bashku me shalqirin, aroma, ëmbëlsia dhe shija e bëjnë të jetë i veçantë.
Por pjeprat nuk janë të gjithë njëlloj dhe mes tyre ekzistojnë varietete të veçanta që për aromën, shijen, lëngshmërinë dhe ëmbëlsinë janë më të shijshëm se shumë lloj frutash tropikale. Dallohet për aromën e tij karakteristike, që nëse mungon tregon se nuk është i freskët dhe i shijshëm. Por, nëse për shumë vite me radhë pjepri ka qenë i "burgosur" në pjatat tradicionale dhe fruti më i dashur në fund të vakteve, tashmë shefat më të mëdhenj të kuzhinës kanë zbuluar se aroma e tij e mrekullueshme dhe butësia e tij mund të jenë aleatë të mrekullueshëm për t‘i dhënë më shumë shije peshkut, sallatave, prodhimeve të zgarës, verës dhe kokteileve. I shoqëruar me proshutë të thatë është një dyshe e pandashme në tavolinat e shtëpive dhe restoranteve të shumë vendeve evropiane, edhe pse me pak fantazi mund të përfshihet në një numër të madh recetash nga antipastat te ëmbëlsirat. Është një nga frutat që konsumohet më shumë në verë dhe pothuajse 60% e prodhimit botëror vjen nga Azia.
Vendet kryesore prodhuese janë Kina, Turqia, SHBA-ja, Spanja, Maroku, Rumania, Irani, Izraeli, Egjipti dhe India. Ndërsa sot prodhuesit më të mëdhenj në Evropë janë Spanja, Franca dhe Italia.
Fruti që nuk i dihet origjina
Nëse për shumicën e frutave dhe perimeve e dimë me siguri origjinën e tyre, për pjeprin do të thoshim të kundërtën. Për shumë kohë është besuar se fillimisht pjepri është zbuluar në pikturat e vjetra faranike, por në të vërtetë bëhet fjalë për shalqirin. Është pikërisht shalqiri, ushqimi që përdornin hebrenjtë gjatë udhëtimeve në shkretëtirë, ndërsa për pjeprin thuhet se e ka origjinën nga Kaukazi, ose nga Armenia. Në shekullin e pestë para erës sonë, në Egjipt rriteshin spontanisht nëpër shkretëtira pjepra më të mëdhenj dhe më pak të hidhur, po ashtu edhe shalqi. Pjepri merrej me vete në udhëtimet e gjata nëpër shkretëtirë, mbrohej nga dielli me lëkurat e deveve dhe ishte një mënyrë e mirë për të shuar etjen dhe për t‘u ushqyer. Nuk dihet me saktësi nëse pjepri u importua në SHBA nga Kristofor Kolombi ose nga anglezët. Për historinë e përdorimit të tij nëpër recetat e kuzhinës dihet shumë pak edhe pse është shumë e qartë se për herë të parë pjepri është përdorur në pjatat që përgatiteshin për festa. Në librat e tij, Aleksandër Duma shkruante që për ta bërë më të shijshëm duhet shoqëruar me kripë dhe piper, ndërsa sipër t‘i hidhet një gotë "Madera", apo "Marsala". Ai i vlerësonte shumë pjeprat e njohur në Francë si kavaillon (emër i marrë nga zona e prodhimit). I bëri kërkesë me shkrim bibliotekës së qytetit për një shkëmbim mes veprave të tij (rreth katërqind vëllime) dhe një rente prej 12 pjeprash në vit, gjë që ndodhi deri në vdekjen e tij në vitin 1870. Që në antikitet pjepri konsiderohej si simbol i prodhimtarisë. Po ashtu në atë kohë shumë mjekë e konsideronin të dëmshëm, madje ia atribuuan atij vdekjen e katër perandorëve dhe dy papëve. Kështu, sipas legjendave, Papa Paolo II ndërroi jetë papritur natën e 26 korrikut të vitit 1471. U fol për damllanë, që mjekët e asaj kohe ia "faturuan" një sasie shumë të madhe pjepri të ngrënë. Atë natë Papa kishte darkuar shumë vonë dhe kishte ngrënë dy pjepra shumë të mëdhenj. "Kënaqej shumë kur i hante dhe nga kjo besoj se iu shkaktua edhe damllaja që i mori jetën", thuhej në atë kohë. Por lind pyetja se çfarë e ushqente dëshirën e tij për të ngrënë pjepra? Freskia, pasuria e elementëve të nevojshëm për organizmin apo ndonjë arsye tjetër? Në fakt, në mesjetë pjepri futej te frutat që nuk i bënin mirë organizmit, madje konsiderohej si armik i tij. Kishte edhe nga ata që e ndalonin rreptësisht përdorimin e tij. Por sot nuk është aspak kështu. Ai këshillohet nga të gjithë, si nga mjekët, ashtu edhe nga dietologët, si ilaçi natyral për shumë sëmundje, por mbi të gjitha për të mbajtur të pastër lëkurën. Vetitë e tij po gjejnë një përdorim gjithmonë e më të madh në përgatitjen e maskave të bukurisë, përveç një numri të madh recetash në kuzhinë. Këto dhe të tjera arsye kanë bërë që "pjepri" të jetojë moshën e tij të artë kudo: kuzhinë, fitokozmetikë dhe natyrisht mjekësi.
Pjepri 2100-vjeçar
Pjepri, i konsideruar si më i vjetri në botë, është zbuluar në një zonë arkeologjike japoneze, në Moriyama. Zbulimi është bërë në provincën qendër meridionale, Shiga. Fruti i përket një periudhe prej 21 shekujsh më parë, kur bujqësia Yayoi zëvendësoi përfundimisht atë primitive, Jamon. Falë kushteve të veçanta të klimës dhe terrenit, pjepri është ruajtur pothuajse në mënyrë të përkryer në gjendje të ngrirë nga agjentët atmosferikë dhe pothuajse i paprekur
Pjepri, është frut i lehtë dhe i freskët (100 gramë shalqi përmbajnë 26 kalori, ndërsa 100 gramë pjepër 33 kalori). Këto fruta janë të pasura në beta-karoten dhe vitaminë C. Substanca b-karoten luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e shikimit dhe funksionimin e mirë të syve. Ato përmbajnë gjithashtu edhe mjaft kalium, i cili ndihmon në rregullimin e funksionimit të zemrës dhe të tensionit arterial
Marre nga : Gazeta Shqip











