Sipas autorëve të studimit “adenovirus-36” (Ad-36) ndikon në akumulimin e dhjamit në organizëm. Konfirmimi i parë i teorisë së studiuesve amerikanë ka ardhur pas vëzhgimit se 30% e personave mbipeshë janë infektuar nga ky virus, që zakonisht prek rrugët e frymëmarrjes dhe sytë. Ndërsa te personat me peshë normale është vënë re se ky virus ka “sulmuar” vetëm 11% te tyre. Për të arritur të kuptohet mekanizmi i mundshëm se si infeksioni ndikon në peshën trupore, janë marrë disa qeliza nga indet adipose, të cilat i janë nënshtruar “Ad-36”.
Si rezultat është vërejtur se virusi transformon qelizat staminale në qelizat adipose, ndërsa qelizat që nuk janë të ekspozuara ndaj agjentëve infektivë nuk transformohen. “Nëpërmjet këtij studimi, nuk duam të themi se virusi është shkaku i vetëm i mbipeshës, por vetëm duam të vëmë në dukje se disa raste mund të provokohen nga një infeksion. Jo të gjithë personat e infektuar bëhen mbipeshë, prandaj po përpiqemi të kuptojmë se cilët janë faktorët e tjerë që ndikojnë në rritjen e peshës trupore që lidhen me “Ad-36””, ka shpjeguar Magdalena Pasarica, koordinatore e studimit. Mekanizmi i saktë i veprimit të virusit nuk është gjetur ende, por sipas studiuesve, ekziston mundësia se një gjen specifik i “Ad-36” mund të jetë i përfshirë në akumulimin e dhjamit.
Marre nga : Gazeta Panorama











