Prodhuesit e makinave, qofshin këta në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e rajone të tjera të botës e kanë parë me shumë shqetësim shfaqjen në tregun automobilistik të dy aktorëve të rinj, Indisë e Kinës, të cilët kërkojnë të krijojnë hapësirë në këtë treg përmes produkteve super të lira. Tashmë dihet se Kina u përball me shumë vështirësi në tregun perëndimor, duke e gjetur veten të detyruar të hedhë hapa prapa, ndërkohë që, sipas një studimi, duket se të njëjtin fat do të pësojë edhe India, përpjekjet e së cilës po përballen me më shumë pengesa nga ç‘mendohej.
Studimi, i publikuar para pak ditësh nga IBM dhe Instituti i Studimeve të Transportit pranë Universitetit të Miçiganit, nxjerr në pah, mes shumë sfidave të tjera, se si produktet indiane janë kompromentuar që në zanafillë nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar, cilësia e ulët e produkteve dhe infrastruktura e papërshtatshme. "Rrugët janë problem shumë i madh", tha Alan Henderson, këshilltar i lartë në IBM, Instituti i Vlerave të Biznesit. "Infrastruktura është në gjendje më të keqe nga ç‘mund të imagjinohet. Numërohen probleme të panumërta, por indianët janë të vetëdijshëm dhe dinë ç‘duhet bërë për t‘i kaluar".
Autorët e studimit, të cilët intervistuan 30 ekzekutivë të niveleve të larta dhe ekspertë të tregut të automobilave në Indi, kanë arritur në përfundimin se industria indiane do ia dalë të hyjë deri në vitin 2015 në listën e 10 prodhuesve më të mëdhenj të automjeteve në rang global, por nënvizojnë se tregu indian i makinave mbetet, gjithsesi, në një fazë zhvillimi mjaft primitiv.
Shitjet e makinave për pasagjerë janë shtuar me më shumë se dyfishin krahasuar me vitin 2002, në 1,4 milionë nga 675,116 (të dhëna zyrtare të publikuara nga Shoqata e Prodhuesve të Makinave Indiane, e cila përfaqëson 38 prodhues veturash dhe motorësh). Eksporti i makinave për pasagjerë thuajse është katërfishuar gjatë kësaj hapësire kohore, por bëhet fjalë për jo më shumë se 200 mijë automjete gjatë 12 muajve të fundit. Nga ana tjetër, specialistët perëndimorë mendojnë se mes gjithë këtyre prodhuesve numërohen shumë pak inxhinierë dhe punëtorë të kualifikuar. Megjithëse India tashmë është kthyer në simbolin e krahut të lirë të punës, shumë punonjës të industrisë së automjeteve nuk e kanë kualifikimin e duhur profesional.
"Të gjithë të intervistuarit ndanin të njëjtin mendim mbi këtë pikë, duke qenë të vetëdijshëm se bëhej fjalë për një sfidë shumë të vështirë për t‘u kaluar", tha Brus Belzovski, një ndër njerëzit që drejtuan studimin për llogari të IBM-së dhe Institutit të Studimeve të Transportit pranë Universitetit të Miçiganit. "Të gjithë ne që morëm pjesë në studim, si gjithë perëndimorët, kishim përshtypjen se India ka burime thuajse të palimituara krahu pune".
Më tej, studimi zbulon që edhe në rast se prodhuesit indianë ia dalin të rrisin prodhimin, janë të shumtë konsumatorët që nuk i blejnë automjetet, për shkak të gjendjes së mjerueshme të rrugëve. Diçka e tillë ka bërë që të jenë motoçikletat dhe mjetet e tjera me dy rrota format më të pëlqyera të transportit (fakt që reflektohet edhe te shifrat; kundrejt çdo makine të shitur numërohen katër mjete të tilla).
Edhe eksporti indian është përballur me vështirësi. Prodhuesit indianë hasin vështirësi për të kuptuar mentalitetin e konsumatorëve të huaj, në përshtatjen e teknologjive të avancuara bashkëkohore, në zhvillimin e një game të gjerë produktesh, krijimin e një rrjeti të përshtatshëm furnizimi dhe mbështetje logjistike, konkludon studimi. Një tjetër problem vjen edhe nga pengesat që ofrojnë portet indiane, të cilat nuk krijojnë mundësitë për transportin e ngarkesave me volume të mëdha.
"Nuk janë ende gati për t‘u hedhur në eksportin në shkallë të gjerë", tha Belzovski. Të këtij mendimi janë të gjithë ekspertët që morën pjesë në studim, por, nga ana tjetër, pranojnë se industria indiane do shënojë rritje me ritme të shpejta. "Problemet me të cilat përballen prodhuesit indianë nuk do ta ndalin rritjen e industrisë, por do të thithin burime të konsiderueshme për t‘u zgjidhur", vëren Henderson, duke përfunduar: "Megjithatë nuk shoh asnjë element që mund ta ndalë Indinë të kthehet në një prej aktorëve kryesorë në tregun global të automjeteve".
Dhe nuk janë të paktë faktorët në favor të prodhuesve indianë: Qeveria indiane i mbështet me të gjitha mundësitë përpjekjet dhe synimet e tyre, madje kanë projektuar edhe një plan mjaft agresiv për t‘i dhënë hov kësaj industrie, ndërkohë që konsumatorët indianë në përgjithësi ftohen të blejnë makina të prodhuara në vend për të mbështetur rritjen ekonomike. Në të kundërt, sa për të sjellë një shembull, prodhuesit e Detrodit shpesh ankohen se mbështeten shumë pak nga qeveria e Shteteve të Bashkuara apo nga vetë konsumatori evropian.
Në fund, ekzekutivët e intervistuar për llogari të studimit presin që shitjet e brendshme të dyfishohen në 2,8 milionë automjete brenda vitit 2010 dhe të arrijnë në shifrën 4,2 milionë në vitin 2015. Edhe në këtë rast, vetëm një pjesë shumë e vogël e popullsisë 1,1 miliardëshe do zotërojnë makina.
India shfaqet e avantazhuar edhe në raport me Kinën, kur vjen fjala tek autoveturat, megjithëse popullsia e kësaj të fundit është më e madhe dhe rrjeti rrugor më i përshtatshëm. Kreditë për makina praktikohen shumë më tepër në Indi, gjë që u jep shanse një numri më të madh njerëzish t‘i blejnë. Nga ana tjetër, prona intelektuale respektohet shumë më tepër në Indi se në Kinë, ku modelet shpesh kopjohen pa kurrfarë pengese ligjore.
Marre nga : Gazeta Shqip











