Revistat s’i heqin ndonjëherë nga kopertinat e tyre. Shkruajnë për to, shpikin e spekulojnë, por ama pikërisht këta, çiftet më të bukur e të famshëm u sigurojnë atyre të ardhura kolosale. Por gjithashtu dhe u paguajnë shuma kolosale parash për të siguruar fotot e tyre ekskluzive, sepse ata janë më të bukurit e planetit.
Angelina Jolie dhe Brad Pitt
Angelina Jolie dhe Brad Pitt janë konsideruar shpesh herë në sondazhet e ndryshme si çifti më i bukur në botë. Në çdo eveniment ku ata shfaqen së bashku tërheqin vëmendjen e mijëra fansave të mbledhur vetëm për t’i parë në një fraksion sekonde, si dhe të mediave që i fokusojnë në aparatin fotografik.
Johny Depp dhe Vanesa Paradis
Një prej aktorëve më të paguar të Hollivudit dhe meshkujve më seksi në botë u dashurua me shikim të parë me “të ëmblën” franceze, Vanessa Paradis, tetë vite më përpara. Ndërkohë kanë sjellë në jetë dy fëmijë dhe pritet që të martohen së shpejti, ndërsa vazhdojnë të jetojnë një jetë të qetë dhe larg vëmendjes së mediave.
Tom Cruise dhe Katie Holmes
Lidhja e tyre vitin e kaluar bëri shumë bujë, më së shumti për shkak të euforisë së Tom, i cili shpalli botërisht në mënyra të ndryshme dashurinë që ndiente për 26-vjeçaren. Të martuar, ato kanë një vajzë dhe vazhdojnë të mbeten çift dhe prindër të bukur.
Victoria Beckham dhe David Beckham
Sapo kanë lënë Anglinë për të jetuar në Kaliforni, shumë pranë Hollivudit, ku ata tashmë janë bërë mjaft të famshëm, duke qenë një çift që vishet sipas modës dhe kombinohet me njëri-tjetrin.
Ben Affleck dhe Jennifer Garner
Çifti simpatik që ka zgjedhur të bëjë një jetë të qetë, larg ndriçimit të zakonshëm të Hollivudit, shfaqet kudo së bashku me vajzën e tyre që i shton akoma më shumë sharm familjes.
Will Smith dhe Jadda Pinket Smith
Ato bëjnë pjesë në fondin e artë të çifteve të Hollivudit si dy prindër e partnerë të rregullt që qëndrojnë gjithnjë larg skandaleve dhe që duken gjithnjë të lumtur në praninë e njëri- tjetrit.
Nicole Kidman dhe Keith Urban
E njohur fillimisht si bashkëshortja e Tom Cruise, Nicole do të bëhej shumë shpejt e njohur falë elegancës dhe stilit të saj. Pas divorcit me Cruise ajo gjeti sërish lumturinë në krahët e bashkëshortit të dytë, Keith Urban, këngëtari i muzikës kauntri, gjithashtu i konsideruar një seks-simbol.
Demi Moore dhe Ashton Kutcher
Edhe pse me një diferencë prej shumë vitesh Demi Moore dhe Ashton Kutcher kanë rezultuar të jenë një çift i qëndrueshëm dhe simpatik. Gjithashtu ato kanë dhënë shembullin se si njerëzit e divorcuar mund të mbajnë marrëdhënie të mira, duke u shfaqur shpesh me ish-bashkëshortin e Demi-t, Bruce Willis.
Blerina Cara : Gazeta TiranaObserver











