Kim Besinxher Kam ndryshuar

Kim Besinxher: Kam ndryshuar

Kim Besinxher nuk duket aspak si "seks bomba" e filmit "9 javë e gjysmë". Diçka ka ndryshuar. Është shumë më e bukur se atëherë, madje duket qartë edhe nga melankolia e syve të kaltër që pasqyrojnë gjithçka.

Fjalia e parë që thotë është: "Duhet të qeshim, sepse e qeshura të zgjat jetën, të sjell fat", ndërsa në të dytën pohon: "Duhet të pimë ujë, të bëjmë ushtrime, që të kemi një jetë të shëndetshme". Teksa shtrëngon shishen e ujit mineral shton më tej: "Natyrisht, rëndësi kanë edhe shumë gjëra të tjera, veçanërisht energjia e brendshme".

Kim është vajza 53-vjeçare që e merr kohën me shpulla, që u ka hequr muskujve, mishin dhe sensualitetin, për t‘u dhënë butësi e ëmbëlsi. Rivale historike e Sheron Stone, por më provinciale në kuptimin e mirë të fjalës, në krahasim me "poshtërsitë" e "Basic Instinct". Është një 50-vjeçare, që e shikon jetën nga një tjetër këndvështrim, duke e zhvendosur më përpara, pikërisht aty ku panorama bëhet më e qartë. Ish-modele e "Eilin Ford" që fitonte mijëra dollarë në ditë, por me ëndrrën për t‘u bërë aktore. Dhe kur mbërriti dita, e ajo u ndodh në Hollivud, nuk u shpërblye

kurrë mjaftueshëm nga fati. Ja disa nga titujt e filmave më të famshëm, ku ka qenë protagoniste: "Kurrë mos thuaj kurrë", një debutim i madh në skenën hollivudiane, "I marrosur për dashuri" i regjisorit Robert Altman, "Batman", "Terapi përfundimtare" dhe atë të paharrueshmin "9 javë e gjysmë", një film striptizë nën muzikën e Xho Koker, që është ngulitur thellë në fantazitë intime të shumë çifteve. Kim e di mjaft mirë, që ajo skenë nuk ka pushuar së përsërituri në kujtimet tona, gjysmëhija, djersa, akulli, duket sikur gjithçka është ende këtu, duke u shembur e duke u djegur. "Jam e lumtur që ky film ka kontribuar në zgjidhjen e shumë konflikteve bashkëshortore". Përgjigjet e saj janë ato të një analisteje, sociologeje, jo ato të një dive luksi me jetën mes bollëkut. Të paktën kështu e përcaktonin

dikur. Sipas një aktoreje tjetër të madhe: "Nuk është e lehtë të lirohesh nga imazhi që të mveshin të tjerët, nga stereotipat që të nguliten thellë, të cilat në fund bëhen identiteti yt. Hollivudi nuk ka një parim të zakonshëm të rregullave fikse, tregu funksionon sipas asaj që shitet" dhe ajo e shiste mjaft mirë një produkt nga vitrina.

Një tjetër film nga antologjia "L. A. Confidential" i regjisorit Kurtis Henson, bardhezi i llakuar, triller filozofik, është një provë cilësie. Kim mori çmimin "Oskar" si aktorja më e mirë jo protagoniste dhe "Globin e Artë", nën interpretimin e Veronika Lejk, zonja e misterit, gjakftohtësisë dhe fortësisë, por që nën petkun e asaj panorame kuptohej lehtë që nuk ndihej aspak mirë. Më pas, ajo ka luajtur disa role mediokre, por pa ndonjë sukses të madh. Gjithashtu, Kim ka qenë protagoniste e një ngjarjeje të shëmtuar në filmin "Boxing Helena", që nuk ka dashur më të bëjë ("nxitësen ndaj dhunës së grave") dhe meqë çështja përfundoi në gjykatë, ajo e dëmshpërbleu regjisorin e filmit me një shumë prej tetë milionë dollarësh. Për të paguar këtë shumë parash, ajo shiti Braseltonin, qytetin me 450 banorë, të cilin e kishte blerë për 20 milionë dollarë në Xhorxhia, duke ëndërruar se do të bënte një Hollivud të vogël.

Kim ka qenë e martuar me Alek Balduin dhe nga kjo martesë solli në jetë një vajzë me emrin Irland, që është 12 vjeçe.

"I kam kaluar të gjitha në jetë, ashtu si shumë njerëz, por kam qenë më me fat.

Mendoni se e qeshura është zgjidhja e duhur?

Për mua është Zoti dhe e qeshura.

Këtë tipar e shfaq menjëherë në atë trup të dobët. E qeshura i zbret poshtë në belin e ngushtë, drejt krahëve të dobët dhe qafës së bardhë, shtrëngon grushtet, në pulsin e majtë një damar fryhet dhe sposton byzylykun që rrethon dorën, që është e vetmja bizhuteri që ajo mban në trupin e saj. Sandalet llustrafin të zeza, me takë të ulët, shkëlqejnë si ato të një vajze të vogël mbi moket.

Aktorja argëtohet, thërret me zë të lartë: "I love it, I love it so much" (Unë e dua, e dua shumë) dhe nuk ka rëndësi se kë dashuron, e rëndësishme është ndjenja. Me shikimin e saj brilant ajo flet për vajzën dhe fëmijërinë e saj në Xhorxhia . "Ah sa më pëlqente dhe më pëlqen muzika, të gjitha llojet e saj, klasike "country", rrok. Këngët janë histori që nuk përfundojnë kurrë, një tregim i gjërave që u kushtohet historive që kanë ndodhur, madje që forcojnë edhe zemrën, më ngjallin të njëjtën ndjesi shkrimtarët e jugut, Faulkner e të tjerë.

Rrudhat e vogla rreth syve bëhen pothuajse të padukshme nga shikimi i kthjellët. Ajo ka një mënyrë krenare për t‘i treguar ato, nuk i vjen aspak turp, nuk na rezulton se janë "manipuluar" me ndërhyrje. "Nuk kam asgjë kundër kirurgjisë estetike, por për mendimin tim, bukurinë njeriu e ndjen". Pikërisht për këtë arsye marka e mirënjohur "Lancaster" e ka zgjedhur për të prezantuar një linjë produktesh për trupin, kundër rrudhave, ashtu siç është, pa gënjeshtra, me gjurmët e gjërave që kanë kaluar, siç ndodh zakonisht. "Slogani i fushatës më pëlqen: shtoji jetë moshës, jo të kundërtën".

Për të ruajtur bukurinë, ajo pi gjithnjë ujë mineral dhe tregon: "Për mua kryesore është regjimi i rregullt në ushqim, unë jam vegjetariane edhe pse e adhuroj peshkun, veçanërisht sushin. Çdo ditë bëj gjimnastikë dhe madje kam edhe një trajner personal. Kam një jetë të shëndetshme, por sigurisht që vetëm kjo nuk mjafton. Ka edhe të tjera gjëra të rëndësishme që ndoshta ne nuk na bien shumë në sy në jetën e përditshme, por që ndikojnë mbi shëndetin tonë. Nëse mbajmë mëri, inat, kemi zili, mendime të këqija, gjithçka bie mbi ne dhe kjo është shumë e dukshme, prandaj gjithmonë fal, sepse falja zbukuron të ardhmen". Sigurisht që nuk mund të rrimë dot pa "rrëmuar" edhe në jetën e saj personale, por Kim nuk ka shumë dëshirë ta komentojë atë. Nuk dëshiron të flasë për Alek, por kuptohet lehtë që brenda ka pasur shumë dhimbje, ishte një përvojë e papërfunduar. Djaloshin e takoi në xhirimet e filmit "Biondja bukuroshe..." dhe e pranoi menjëherë. Në vitin 1991 ajo u martua me të dy vjet më vonë. Atëherë aktorja deklaroi se kishte gjetur qetësinë dhe për një ish-vajzë province me probleme të ndryshme, ai përfaqësonte shokun e komunikueshëm dhe më kryesoren, jo një armik.

"Brezat e rinj janë shumë të sofistikuar, teknologjikë dhe të lirshëm. Ndiejnë se gjithçka është e mundur. Për mua dhe moshatarët e mi, gjërat kanë qenë krejt ndryshe, jo dramatike, sepse nuk mund ta them, por shumë më të bezdisshme. Për të fituar diçka, duhej që të tregoje njëqind herë më shumë vlera". Edhe tani femrat janë më të ngarkuara. Mbajnë shtëpi, familje, fëmijë, punë dhe shoqëria nuk i ndihmon aspak. Në vende të ndryshme të Evropës ky është një fenomen i dëgjuar. "Është në të gjithë botën, femrat janë shumë të zgjuara, kanë poste të rëndësishme në firma dhe politikë dhe së bashku janë qendra e marrëdhënieve sociale dhe efektive, rrisin fëmijë dhe çojnë jetën përpara. Bëjnë gjithçka për hir të premtimeve dhe heqin dorë nga gjërat personale, madje më shumë se meshkujt dhe ky fakt tani është bërë i padurueshëm. Vendet e Mesdheut janë shumë të ndjeshme ndaj këtyre fenomeneve. Zhvillimi varet nga mundësitë që do t‘u jepen femrave për të rritur dhe realizuar qëllimet e tyre. Ndryshe nuk do të mendohej një shoqëri e drejtë, madje do të ishte edhe më e lirë". Në Evropë flitet shumë edhe për domethënien sociale dhe kulturore që i duhet atribuuar familjes, për konceptin tradicional nëse do të funksiononte ende, për lidhjet martesore, nëse do të konsideroheshin të barabarta, sigurisht që gjithçka do të ishte shumë ndryshme.

"Familja ka qenë, është dhe do të mbetet një hallkë kryesore e jetesës. Nuk e kuptoj se ku është ndryshimi, marrëdhënia mes dy meshkujve apo dy femrave që ndajnë një projekt, ndeshen me të njëjtat probleme dhe kanë të njëjtat lodhje të çdo çifti tjetër, të mbash dhe të edukosh një fëmijë vetëm është një sprovë e vështirë për çdo njeri. Sigurisht që duhet një durim i madh, por femrave në të vërtetë u kërkohet perfeksioni në edukimin e fëmijëve. Do më pëlqente më shumë një shoqëri solide, sesa një jetë e magjishme".

Çfarë nëne jeni ju, ç‘këshilla i jepni Irlandës, vogëlushes suaj?

"Këshilla? Tashmë e shoh shumë autonome dhe të pavarur në gjykimet e saj, adhuron që ta duan kjo po, por për moshën që ka është shumë e pjekur, e fortë, shpërthyese. Respekton kafshët dhe këtë pikëpamje besoj se e ka marrë nga unë, ka ndjenjën e drejtësisë dhe besnikërisë, por si të gjithë do të bëjë edhe gabime e do të mësojë nga ato".

Ju ka kërkuar ndonjëherë të mësojë më shumë për kohët që keni kaluar si modele për "Playboy"?

Ajo e di mirë që njerëzit janë "robër" të mëkateve dhe mendimeve.

Pra jeni penduar?

Jo, aspak. Mendoj se shumë gjëra i bën se ndodhin, e sepse janë vitet ato që bëjnë diferencën e atyre që duhet të mbeten në kujtesë. Më pas gjërat ndryshojnë dhe nuk është mirë që të gabosh.

Ndonjë projekt për të ardhmen?

Filmi "Kur ajo ishte jashtë", do të dalë vitin e ardhshëm. Është filmi i një regjisori skocez, triller. Unë do të kem rolin e Suzan Montford, një shtëpiake e cila përfshihet në një ngjarje të shëmtuar, të cilën katër meshkuj e kërcënojnë dhe unë duhet të mbijetoj me disa të ardhura të thjeshta.

Në katin e 12-të të "Four Seasons" të Beverli Hills, në Los Anxhelos, dhoma e Besinxher transformohet në dhomë thashethemesh, sekretesh dhe buzëqeshjesh. Hyjnë e dalin vajza me veshje të ndryshme, të cilat presin për të bërë fotografi me të.

Është një pasdite e freskët korriku, jashtë nga dritaret flladi i përkëdhel lehtë palmat. Në korridorin e saj, temperatura e ambientit po shkon drejt zeros. Nuk është vjeshtë, është fillimi i një vere të nxehtë të çuditshme, një stinë më shumë e sinqertë sesa skandaloze.

Kim e di mirë që filmi "9 javë e gjysmë" është vetëm një çast, sepse jeta është më e gjatë. Është mirë që të jemi më të kujdesshëm, gjërat t‘i marrim me qetësi dhe çdo hap që hedhim, ta mendojmë mirë, sepse nesër nuk është kurrë një ditë tjetër, por ajo që ka mbetur nga sot.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama