Hartat online te Google-it

Hartat online të  Google-it

Qysh prej mesit të javës së shkuar, në blogerat e forumet amerikane po ziejnë debatet e diskutimet e zjarrta mbi funksionin real të kësaj risie teknologjike, që është pagëzuar si shërbimi hartografik i "Google"-it, "Street View" e që ofron edhe udhëtimin me makinë të një çifti ndanë brigjeve të një liqen, duke e ndjekur atë gjatë gjithë itinerarit të tij, sikur t‘i qëndronte në sediljen përkrah apo prapa, sepse zmadhimi i imazheve ta lejon këtë "luks". Po kështu, pamjet që kanë regjistruar në mënyrë fare rastësore, apo dhe me një synim të veçantë, shumë blogera amerikanë, "çojnë ujë" në idenë se jeta private e gjithkujt tashmë me këtë program preket seriozisht. Kështu, ata kanë sjellë një grup vajzash, duke marrë rreze dielli buzë një pishine në oborrin e vilës së një shoqeje të tyre, e ku të gjitha janë gjysmënudo, ndërkohë që kanë zënë në momente "jo fort të këndshme" shumë burra, të cilët sigurisht nuk do të donin të "kapeshin mat" nga gratë e tyre, ndërsa i shihnin me të tjera, apo para dyerve të një kinemaje porno, për shembull.

E ajo çka mund të shohësh aty vetëkuptohet se është një larmi imazhesh, ashtu siç është dhe vetë jeta e aktiviteti i përditshëm njerëzor, e aq më shumë ai amerikan.

Por çudia, njëkohësisht bëhet edhe më e madhe kur shkak për shpërthimin e këtij debati, që ndoshta vërtet meriton vëmendje nga ekspertët e shumë fushave e sidomos ata të të drejtave të njeriut, u bë një maçok me emrin Monty.

Monty, deri më tani kishte jetuar i pashqetësuar, duke vijuar të bënte jetën "luksoze" që i ofronte pronësia që kishte mbi të çifti Mary dhe John Kalin, nga Casey në Oakland, derisa e zonja e tij klikoi mbi adresën e saj në programin "Street View" dhe pa maçokun e saj të dashur, Monty, duke u kacavjerrë për të hipur në dritaren e dhomës së saj të gjumit. Mary u ankua për sulmin në blogun e saj në internet, të titulluar "Boing Boing", gjë e cila bëri që të shpërthente më pas një furi kundërpërgjigjesh nga blogerat e tjerë, të cilët nisën të kritikonin "zonjën e çmendur" se po prekte sferën private të një kafshe të gjorë e se ajo duhej gjobitur etj., etj., duke e vënë atë shpesh në lojë me shpoti thumbuese. "Hapi tjetër që të çon në këtë drejtim është edhe ankesa e një tjetër blogeri, i cili pretendon se i janë mbikëqyrur të gjithë titujt e librave që qëndronin në bibliotekën
e tij", gjë e cila pak mund të ta mbushë mendjen, sepse "Street View", gjithsesi, mund të të vëzhgojë vetëm në ambientet e jashtme. Një zonjë e krahasoi udhëtimin e çiftit me automobil përgjatë një rruge plazhi- që përkëdheleshin në mënyrë shumë seksi e provokuese për ata që e shihnin (ndërkohë, sigurisht, siç e theksuam edhe më parë, çifti në fjalë nuk e dinte fare se ishte bërë objekt i një show) -me një "Peep-Show".

Por asaj çka amerikanët po i frikësohen më së shumti, është ideja se hapi tjetër i "Google" do të jetë padyshim ndjekja me kamera deri në dhomën e gjumit, e kjo nuk do vonojë shumë derisa të vijë, pasi probabiliteti mundësohet nga teknologjia shumë e lartë që është arritur në këtë fushë.

Por në një deklaratë që "Google" bëri së fundmi, hoqi çdo përgjegjësi nga vetja, duke thënë se të gjitha imazhet janë marrë nga aktivitetet publike që janë kapur në rrugë, sheshe e qytete, e nuk përbëjnë shkelje të privatësisë, përderisa bëhet fjalë për ambiente publike. "Këto skena nuk ndryshojnë shumë nga ato që mund të marrë një kalimtar i rastit me një kamera private në rrugë apo shesh, ku në fokus mund të jenë shumë të panjohur, e që në momentin kur filmohen nuk u merret aspak leje", ka qenë dhe thelbi i justifikimit zyrtar të kompanisë gjigante të internetit, "Google". Makinat e mbikëqyrura nga kamerat për shumë javë me radhë, kanë shfaqur interes për "Google" e naviguesit e programit të tij të fundit duke u endur nëpër rrugët e San Franciskos, Nju-Jorkut, Las Vegasit, Majamit e Denverit. Turistët kanë rënë pre e tyre, por shpesh edhe "të pafajshëm", si maçoku Monty.

Në blogun me emër "Wired", përdoruesit e naviguesit e internetit mund të përftojnë edhe pamjet më të bukura ndërqytetëse, të ofruara nga programi "Street View". Ato përfshijnë pamje që nga vajzat me bikini në një kamp në "Palo Alto", deri te një burrë në San Francisko, që me ç‘duket ka zgjedhur rrugën "informale" për të zbritur nga dritarja e një apartamenti, për shembull. Njerëz në kafene, apo duke dalë nga supermarketet, të kapur nga prapa (pa dijeninë e tyre), apo duke u zënë me njëri-tjetrin në rrugë. Duket sikur "Google" synon qëllimisht humorin pa koment, e deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Mund të krahasohej me një "kamera të fshehtë", që janë bërë modë nëpër TV.

Ndërkohë, disa avokatë, ekspertë të të drejtave të njeriut, e kanë këshilluar kompaninë "Google" që të shmangë shfaqjen e fytyrave humane në programin e saj të ri, përpara se kjo çështje të bëhet objekt i një debati edhe më të madh, nga i cili, në fund, me shumë gjasa, "Google" do të duhej të paguante një mal me para për pretendimet që do të vërshonin kundër tij, ku sigurisht nuk do të mungonte edhe tendenca abuzive e shumëkujt për të abuzuar në rastin më të parë. Por deri më tani, në fakt, shumica e përdoruesve, kanë qenë të prirur ta shohin të gjithë këtë si një mjet të mirë për të ofruar humor. Vetëm maçoku i gjorë, Monty, shkruante së fundmi dikush në një forum amerikan interneti, deri më tani nuk është ndier e s‘ka çarë kokën të shkruajë ndonjë koment për padrejtësinë që i është bërë.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama