Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates dhe shefi ekzekutiv i Apple, Steve Jobs u shfaqën të dy bashkë në të njëjtën skenë për herë të parë, pas më shumë se dy dekadash. E afishuar si bashkëbisedim publik i dy gjigantëve të industrisë së kompjuterëve, ngjarja që ndodhi në konferencën “Gjithçka Dixhitale” dhe e pritur me shumë bujë, u pa si një mundësi që kishte ardhur vonë për dy prej pionierëve më të mëdhenj të industrisë për të ecur përkrah njëri-tjetrit. Por a do të ringjallnin ata zënkat e tyre të vjetra, apo do të lëviznin në mënyrë të parehatshme sa andej këndej në karriget e tyre, në rast se do të nxirrnin krye tema të sikletshme?
Nuk ishte e thënë. Seanca me pyetje dhe përgjigje në konferencën “Gjithçka Dixhitale”, u kthye më shumë në një takim çmallës mes dy miqve të vjetër. Të dy bashkë u rikthyen pas në kohë, duke kujtuar se si bizneset e tyre kishin ardhur duke u rritur me kalimin e viteve.
I pyetur se cili kish qenë kontributi i Bill Gates për botën e kompjuterëve, Jobs tha: “Bill ndërtoi kompaninë e parë të prodhimit të programeve kompjuterikë përpara se çdokush në industrinë tonë të kishte idenë se çfarë është një program kompjuterik, dhe kjo ishte diçka e jashtëzakonshme”. Duke i rikthyer komplimentin, Gates tha se sjellja në jetë e Apple II në 1977 nga ana e Jobs ishte “një fenomen jashtëzakonisht inkurajues”.
Pak ndryshim
Duke lënë mënjanë disa rrudha dhe një pjesë të flokëve të thinjur, si Gates ashtu edhe Jobs dukej se kishin ndryshuar shumë pak me kalimin e viteve, sidomos në lidhje me stilin. Jobs, Showman u shfaq i paruajtur dhe me pulovrën e tij karakteristike ngjyrë të zezë, xhinse dhe atlete. Gates, një tip më i rezervuar, kishte veshur një këmishë të ngushtë e të kopsitur, pantallona të gjera dhe këpucë të zeza. Ndoshta momenti më i parehatshëm për shefin e Microsoft ishte kur seria më e fundit e reklamave televizive të Apple u kthye në temë bisede. Reklamat “Mac kundër PC” e shfaqin Kompjuterin Personal si një personazh shumë të shëndoshë dhe të ngathët. Jobs, ndonëse duke qenë jo bindës, deklaroi se qëllimi i reklamës nuk ishte që të tregoheshin të ligë, por që të dy personazhet të pëlqejnë njëri-tjetrin. Me një ngërdheshje të lehtë, Gates e mbrojti personazhin e PC: “E ëma e pëlqen”?
Të pyetur se cilët janë vizionet e tyre për të ardhmen, Gates tha se pas pesë vitesh njerëzit nuk do ta varen nga një kompjuter i vetëm. Ata do të kenë disa pajisje, si për shembull një “bllok me zë dhe bojë” si dhe një “një telefon apo një pajisje xhepi”.
Ndërsa Jobs parashikoi një shpërthim të asaj që e quajti valë e pajisjeve postPC, si për shembull iPod. Ai tha se pajisje të tilla përfaqësojnë një risi të pastër, të cilës i mungon trashëgimia e shumë aplikimeve dhe janë më të përqendruara. “Por duhet t’i vësh në punë dhe ti përshtatësh, pasi ka përdorues që nuk duan një makinë me gjashtë rrota”, shtoi ai. Në këtë aktivitet pati gjithashtu edhe humor të mprehtë e të atypëratyshëm. Të pyetur për të përcaktuar mosmarrëveshjen më të madhe të marrëdhënies së tyre, Steve Jobs tha: “Ne kemi ruajtur të fshehtë për më shumë se një dekadë martesën tonë”.
Duke iu përgjigjur një pyetje të audiencës në lidhje me punën e tij në fushën e bamirësisë, kreu i Microsoftit tha se zhvillimi dhe përparimi i kompjuterit personal e kishte ndihmuar që të krijonte një fondacion bamirës për dobinë e njerëzve, “të cilët nuk kishin pasur teknologjinë, përfshirë edhe mjekësinë, që të punonte për ta”. Diskutimi përfundoi me Gates që parashikoi që gjëra, të cilat sot i përkasin vetëm letërsisë fantastiko-shkencore, shumë shpejt do të bëhen të vërteta. Ishte një seancë, e cila u duk qartë që frymëzoi audiencën e profesionistëve në fushën e kompjuterëve dhe entuziastët e tjerë.
“Mendoj se ishte një moment historie e distiluar”, tha Nina Liton, një konsulent kompjuterësh. “U panë në teleskop përvojat e tyre si miq, partnerë, konkurrentë dhe zgjidhës kreativë problemesh përgjatë një periudhe 30-vjeçare”. Artur Keria, i cili punon për një kompani të sapo hapur në San Francisco, e përshkroi bashkëbisedimin si “historik dhe shumë frymëzues”. “Kishim përpara dy prej figurave më të mëdha të Silicon Valley, të cilët ishin bërë bashkë dhe ofronin mendimet e tyre... këtu ata janë si perëndi, dhe audienca ishte këtu për të qenë pikërisht dëshmitare e kësaj. Ata kanë respekt për njëri-tjetrin dhe kjo ishte e dukshme”.
Industria Televizive
Zhvendosje në kohë
“Ne besojmë se zhvendosja në kohë do të jetë një pjesë e rëndësishme e mënyrës se si njerëzit shohin televizion”, thotë Bjarne Thelin. “Ata mund të katalogojnë regjistrimet e kryera, për të parë më me lehtësi atë çfarë kanë të regjistruar në arkivin e tyre”.
Mënyra se si shikuesit e televizionit vendosin se çfarë të shohin, dhe kur ta shohin, po ndryshon në mënyrë radikale. Video-regjistruesit personalë (PVR) i lejojnë audiencat të krijojnë programet e tyre kohore, të përshtatura sipas gjendjes shpirtërore. Cinikët mund të argumentojnë se nuk është diçka e re, në fund të fundit, njerëzit kanë më shumë se 25 vjet që ngrenë pirgje me videokaseta. Por ka diçka të pamëshirshme kur ke një listë me shfaqje televizive që janë gati të nisin në të njëjtën kohë. Koncepti, që i kanë vënë emrin “zhvendosje në kohë” zbatohet qoftë kur shikuesit regjistrojnë një emision apo film, qoftë kur e shohin në një shërbim “+1”, ku i gjithë programacioni i një kanali shfaqet sërish me një vonesë 60 minuta, për të maksimizuar shanset për ta parë.
“Ne besojmë se zhvendosja në kohë do të jetë një pjesë e rëndësishme e mënyrës se si njerëzit shohin televizion”, thotë Bjarne Thelin. “Ata mund të katalogojnë regjistrimet e kryera, për të parë më me lehtësi atë çfarë kanë të regjistruar në arkivin e tyre”. Dhe kjo është pjesa më e vlefshme e aparateve PVR aftësia për të ndalur një program drejtpërdrejt, nëse bie telefoni apo nëse të duhet të bësh diçka tjetër. Thjeshtë mund të shtysh diçka me 30 sekonda apo një minutë, por kjo është praktikisht zhvendosje në kohë”.
Shikim jo drejtpërdrejt
Kërkimet tregojnë gjithashtu se njerëzit që kanë një PVR shikojnë më shumë. Barb, një kompani sondazhesh bën të ditur se më pak se 2% e të gjithë programeve në Mbretërinë e Bashkuar jepen të zhvendosur në kohë, por BskyB thotë se kjo shifër rritet në 12% në ato shtëpi që kanë aparate marrës dixhitale Sky+. Kërkimet e brendshme të kryera nga E4, zbuluan se një episod i dramës së vet për adoleshentë, Skins, u pa nga 900 000 vetë kur u transmetua një të enjte në mbrëmje në shkurt. Por kjo shifër u rrit me 305 mijë vetë apo 34 %, kur u pa pas regjistrimeve, përsëritjeve si dhe shërbimit E4+1. Një zëdhënës tha se audienca e më të rinjve e ka më për zemër idenë që të ketë mundësinë të shohë serialin në një kohë që e mendon më të përshtatshme apo ta regjistrojë atë.
Zhanret e preferuar
BskyB e përshkruan aparatin e vet Sky+ si “iPodin e televizionit” dhe ka vendosur të eliminojë pagesën 10 sterlina në muaj për këtë shërbim me qëllim që të rrisë audiencën. Të tjerë aparate PVR që janë të disponueshëm nuk kërkojnë një tarifë të përmuajshme, si ato që funksionojnë në platformat tokësore Freeview. Kërkimet e brendshme të BskyB, nga një panel prej 33000 shikuesish tregojnë se drama është praktikisht zhanri më i kërkuar, duke zënë 40% të regjistrimeve. Lajmet dhe sporti, që dominohen nga aktivitetet drejtpërdrejt qëndrojnë në fund të listës. Por ndërkohë që koncepti i zhvendosjes në kohë po bëhet më i zakonshëm, disa brenda industrisë thonë se pjesa më e madhe e shikimit të TV përfshin transmetimet drejtpërdrejta. Barb bën të ditur se gjithsesi, 98 për qind e shikuesve preferojnë ende live.
Marre nga : Gazeta Metropol











