Realizimi shqiptar i tragjedisë “Medea” të Euripidit, prodhim i “Atelier 31” dhe i Teatrit Kombëtar, shfaqet në Athinë 9-11 qershor. Vepra e vënë në skenë nga regjisori i ri Mikel Kalemi dhe me interpretimet në rolet kryesore nga aktorët Ema Andrea, Vasjan Lami, Roza Anagnosti, Ahmet Pasha etj, prezantohet në mjedisin e “Shkollës” të rrugës Pireu në Athinë, një mjedis i një ndërmarrjeje të vjetër që është shndërruar në një vend kulturor me kontribut të artistes së njohur greke Irenë Papas.
Premiera e “Medeas” u shfaq në muajin nëntor 2006 në skenën e Akademisë së Arteve në Tirane, dhe pritet të ngjitet dhe në Teatrin Kombëtar para nisjes për në Athinë. Kjo vepër bashkë me “Berberin e Seviljes” përfaqësojnë Shqipërinë në Festivalin e Teatrit “Butrinti 2000” (14-21 korrik).
Për Christos Apostolopoulos, këshilltar i Zyrës së Shtypit dhe Komunikimit të Ambasadës Greke në Tiranë, e cila ka mëbshtetur prodhimin e “Medeas”, kjo shfaqje në Athinë u jep mundësi shqiptarëve emigrantë atje të ndjekin një vepër të dramaturgjisë botërore në gjuhën shqipe, dhe veç kësaj, “publikut grek i jep mundësinë të konstatojë, se në Shqipërinë fqinje prodhohet teatër i nivelit të lartë. Tregues është interesimi që tashmë kanë shfaqur mediat greke për këtë premierë të 9 qershorit.”
Stacion i dytë është Selaniku ku “Medea” shfaqet më 9 korrik dhe më 11 korrik në Teatrin Antik Filipon. Këtu ajo përfaqëson Shqipërinë në Festivalin e Parë Teatror të Evropës Juglindore.
Prezantimi i Shqipërisë në Festivalin Grek është i rëndësishëm për vetë përmasat e kësaj ngjarjeje kulturore me një histori 52-vjeçare ku marrin pjesë personalitete të artit ndërkombëtar në fushat e muzikës, teatrit, operës dhe kërcimit.
Ka dy vjet që drejtimin artistik të Festivalit Grek e ka marrë përsipër Georgios Loukos i cili ka bërë një kthesë përsa i përket programit, vendit të shfaqjeve, njëkohësisht dhe publikut të cilit i drejtohet. Në prezantimin e sivjetshëm të festivalit ai thekson se “fjalë-kyçe edhe sivjet mbesin përzgjedhja e shumë veprave, endja, risku, nevoja që të jemi të hapur dhe të provojmë përvoja të reja”.
Në kuadër të kësaj optike të re inkuadrohet edhe hapja e Athinës kulturore me integrimin në programin zyrtar të veprimtarive që me njërën ose tjetrën mënyrë kanë të bëjnë me komunitetet e emigrantëve në kryeqytetin grek. Pas paraqitjes me sukses vitin e shkuar të ansambleve nga Afganistani, Pakistani dhe Irani, Festivali Grek hap sivjet portat edhe për komunitetin shqiptar, i madh në numër, që jeton në Athinë.
Marre nga : Gazeta Shekulli











