Ky është rezultati i një studimi të realizuar nga shkencëtarët kanadezë të Vankuverit (rezultatet e të cilit janë publikuar në revistën "Science").
Studiuesit u kanë treguar 36 fëmijëve prej 4 muajsh (prindërit e të cilëve flasin gjuhën angleze) disa video pa zë, në të cilat të njëjtat fytyra familjare flisnin në dy gjuhë të ndryshme: anglisht dhe frëngjisht. Si element referimi, fëmijëve iu demonstruan fytyrat e nënave të tyre kur komunikonin në gjuhën amtare. Kur të porsalindurit dëgjonin një frazë në gjuhë të huaj, ata shikonin më gjatë fytyrat e familjarëve, në krahasim me frazën që thuhej nga gjuha e tyre mëmë, e cila ishte e njohur për ta. Whitney Weikum nga British Columbia, në Vankuver tregon: "Kjo sjellje është demonstrim i asaj që fëmijët mund të bëjnë shumë qartë dallimin e situatës, këtë e tregon fakti se kur gjenden përballë një situate të re(si p.sh. komunikimi në gjuhën franceze nga prindërit e tyre), ata i ndjekin me shumë sforcim për të kuptuar se çfarë bëhet fjalë. Ka qenë i njohur fakti se fëmijët e asaj moshe janë në gjendje që të perceptojnë dy gjuhë të ndryshme, por është hera e parë që tregohet se janë në gjendje që të dallojnë këtë gjë nëpërmjet stimujve vizivë". Ky kapacitet humbet rreth muajit të tetë të jetës, nëse nuk ka stimul të vazhdueshëm për bilinguizëm. Të njëjtat prova janë bërë më pas tek fëmijët 6 dhe më vonë tek 8 muajsh. Në muajin e gjashtë, ata demonstronin të njëjtat aftësi si te fëmijët e sapolindur, ndërsa në muajin e tetë të jetës, atyre u mungonte kjo aftësi.
Studimi tregon rëndësinë e informacionit vizivë për një fëmijë të vogël, cilat mund të jenë format që merr goja, që shërbejnë për fazën fillestare të të mësuarit të gjuhës. Kim Plunkett, neuroshkencëtar në universitetin e "Oksfordit" nuk ka mbetur shumë i habitur nga zbulimi se fëmijët kuptojnë fjalët që themi, duke ndjekur formën që merr goja por është habitur nga fakti se si u zhduket kjo aftësi fëmijëve në muajin e tetë. "Më mrekullon fakti se lëvizja e shpeshtë e gojën nuk ndjell interes tek të vegjlit. Kam menduar gjithmonë për të kundërtën". Sipas Weikum humbja e kësaj aftësie shpjegohet me humbjen e interesit në vrojtimin e buzëve, duke qenë se fëmijët mësohen me një gjuhë të caktuar. Në të njëjtën moshë, fëmijët humbin edhe aftësi të tjera që zotërojnë në muajt e parë. Në muajin e gjashtë për shembull, janë në gjendje të dallojnë dy fytyra majmunësh, që një të rrituri i duken identike. Por këtë gjë e humbin në muajin e tetë. Para muajit të tetë, fëmijët janë në gjendje që të perceptojnë edhe ritmet e ndryshme muzikore, karakteristikë që humbet pas muajit të tetë.
Sa ndikon emri në jetën e fëmijës?
Mund të duket si një barsoletë, por studimet e bëra kohëve të fundit nga studiues të universitetit të Floridës, kanë treguar se emri të cilin ia vënë fëmijës, mund të ndikojë në avenirin e tyre. Për prindërit e rinj dhe të ardhshëm, një nga preokupimet e pafund që shoqërohen me lindjen e fëmijës, bën pjesë edhe ky "stres": si do ta quajmë fëmijën për t‘i dhuruar një të ardhme "brilante"? Dikush i vë një emër që i ka pëlqyer ta kishte vetë, të tjerë bashkojnë emrat e partnerëve, por ka edhe nga ata të cilët i vënë emrat e personave të dashur që nuk jetojnë më. Ndër emrat femëror që janë më të përdorur në gjuhën angleze është Izabel, sepse konsiderohet si një emër që tingëllon ëmbël dhe romantik, ndërsa për italianët mbeten emrat tradicionalë si Ana dhe Ema. Më pak të pëlqyer janë emrat që konsiderohen të vështirë dhe që mund të përdoren për të dy sekset. Ndodh që njerëzit të paragjykohen vetëm në bazë të emrit të tyre ndaj, prindër të dashur, mendohuni mirë se çfarë emri do t‘i vini fëmijës tuaj!!!
Marre nga : Gazeta Shqip











