Komplimentat e mia shqiptareve por eshte imja...

Komplimentat e mia shqiptarëve, por është imja...

E vetmja fjalë cinike ka qenë atëhere kur ka thënë se: “Ka disa njerëz të cilëve edhe Madona u ngjan me Michael Jordan...si duket . Me kënaqësi do t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve”, ka folur ai për MAPO-n.

Kompozitori maqedonas Maki është shprehur pak kohë më parë se kënga e kompozuar nga ju është një plagjiaturë e një balade shqiptare. A keni një përgjigje direkte për këtë?
“Kur më thanë se në një faqe interneti ishte postuar kënga shqiptare, e cila ngjante me kompozimin tim “Molitva”, e verifikova menjëherë dhe qetësisht kam buzëqeshur. E gjithë ngjashmëria qëndron në tri tonet e para të refrenit! Nuk ka asnjë ngjashmëri në linjën melodike, as në harmoninë, as në atmosferën e këngës. Për më tepër, nuk kam patur mundësi që para kompozimit tim të kem rastisur të dëgjoj këngën shqiptare dhe as rastësisht nuk kam mundur të shfrytëzoj ndonjë temë të kësaj kënge. Por, kur e kam dëgjuar, kënga “Ndarja” ishte shumë e bukur dhe këngëtarja e ka kënduar në një mënyrë origjinale dhe tepër interesante. Komplimentat e mia realizuesve”.

Si e keni përgatitur këngën tuaj “Molitva”...Ju ka shqetësuar reagimi?
“Gjithmonë do të gjenden njerëz në gadishullin tonë ballkanik, që do të kërkojnë të zbehin suksesin e tjetrit, që kërkon “të peshkojë në ujëra të turbullta” shfrytëzojnë situatën, të fusin hundët në jetën dhe karrierën e tjetrit. Gjithkush që është ngritur mbi shtegun në një moment është akuzuar për diçka. Edhe Jelko Joksimoviç ka shfrytëzuar një pjesë melodie dhe kënga “love u mutnom” ka tone të muzikës popullore malazeze”.

A mund të na sqaroni elementët teknikë me të cilët keni ndërtuar këngën tuaj (Maki pretendon se 7 bitet e para janë të njëjtat me baladën e tij)...
“Në muzikë gjenden vetëm 12 tone të ndryshme dhe të gjitha meloditë ngrihen mbi këto kompozime. Metrika, vendosja harmonike dhe ritmi e bëjnë një melodi të fitojë një kuptim dhe një mendim të ndryshëm. Mendoj se prodhimi muzikor botëror i një viti shkon tek 1 milion kompozime dhe nëse shkojmë edhe 100 vjet pas, ju pyes cila është mundësia që të mos vendosen në të njëjtën radhë tre tone? Përgjigja ime është e thjeshtë: Nuk mund të mos ndodhë!”.

Mendoni se pas akuzave duhet t’i përgjigjeni publikisht kompozitorit maqedonas?
“Është e qartë që autori i kësaj kënge është shumë i talentuar dhe për këtë arsye i uroj që vitin e ardhshëm, në Beograd, kënga e tij të përfaqësojë Shqipërinë dhe të fitojë në EUROSONG 2008. dhe atëhere, me siguri do të dalë dikush që do të thotë se ky kompozim është i ngjashëm me një tjetër. Po ky është fati ynë, i njerëzve që duam të arrijmë diçka në karrierën tonë”.


Kaçinari: E megjithatë mund të jetë kopjim
Eshtë debati muzikor më interesant i ditëve të fundit në Shqipëri e megjithatë është komentuar nga shumë pak prej profesionistë shqiptarë të këngës dhe muzikës. Alfred Kaçinari, i pyetur nga “MAPO” e ka një version origjinal, megjithëse preferon të mbetet jashtë debatit edhe për faktin se, siç na thotë, nuk u ka kushtuar vëmendje të posatshme këngëve dhe as festivalin Evropian nuk është ulur për ta parë. Një nga ekspertët më të mirë të kompozionit, opinioni i Kaçinarit hedh poshtë një argument tjetër të bërë publik ditët e fundit në shtyp, sipas të cilit kënga serbe e kënduar nga Maria Serifovic dhe kompozuar nga Vladimir Graic, nuk i ka kombinimet e notave të njëjta me ato të këngës së kënduar nga Soni Malaj dhe kompozuar nga Maki. “Një krijim mund të jetë i vjedhur edhe kur nuk përdor të njëjtat nota identike muzikore. Ndodh si me një vepër letrare. Ajo mund të jetë plagjiaturë edhe kur nuk ka vjedhur as një fjalë nga një vepër tjetër”, - shprehet Kaçinari.


Në mbrojtje këngës serbe i ka dalë këto ditë në shtyp kompozitori Gjergj Leka sipas të cilit “Molitva” ishte një këngë perfekte dhe për më tepër nuk rezulton të jetë e kopjuar sipas autopsisë muzikore që ai i bën nëpërmjet notave. Duke bërë krahasime mes dy këngëve, asaj shqiptare dhe serbe, Gjergj Leka pohon se nuk ka plagjiaturë. Sipas tij plagjiatura në muzikë është një sekuencë e vazhdueshme e përbërë nga disa masa muzikore të ngjashme me të njëjtat masa muzikore të një kënge tjetër. “Në rastin e këngës së Soni Malajt me këngën e Marija Serifoviç dua të them se është ngatërruar intensiteti dhe patosi i këngës me plagjiaturën. Po të marrim dy këngët, atë të serbes dhe atë të Sonit, unë do të thosha se plagjiaturë ka vetëm nga ana e intensitetit të dy këngëtareve. Janë të dyja këngëtare shumë të mira, janë të dyja këngëtare me shumë aftësi vokale të ngjashme, ndaj dhe këndojnë dhe me të njëjtat tonalitete. Zëri i femrës këndon në notën do. Këto dy këngëtare këndojnë me zë gjoksi dhe ngjashmëria mes tyre është rreth 90 për qind. Ngatërresa është vetëm tek intensiteti, jo te plagjiatura e këngës.

Nëse do themi për “vjedhje”, do themi se ka vetëm te intensiteti, gjë që nuk ekziston, sepse mënyra e pasqyrimit të këngës, e orkestracionit, e veshjes së këngës, si në këngën e Marijes dhe atë të Sonit, janë të ngjashme, por kjo s’do të thotë se ka plagjiaturë” , - është shprehur Leka në një të përditshme të Tiranës. Ai shton se ka një milion këngë me tre nota të njëjta si në këtë rast. “Kombinimi i notave është pafund. Vërtet janë shtatë nota, por kjo shprehje përdoret vetëm për t’u justifikuar dhe është shprehja më e gabuar që mund të përdoret. Me ato shtatë nota janë bërë simfoni, janë bërë opera që s’kanë asnjë plagjiaturë në asnjë lloj mase. Kombinimet janë pafund, nuk ka një përcaktim kombinimesh mbi këto shtatë nota. Dhe besoj se duke i bazuar me fakte këto që unë po them do ishte gjëja më e mirë për t’u bindur.” , - është shprehur kompozitori.
Lajmi për vjedhjen e këngës fituese në Eurovision “Molitva” fillimisht është bërë publik nga gazeta publike “The Sun” dhe nga disa gazeta daneze. Në një forum online të tabloidit anglez janë debatuar opinione rreth dy këngëve, pasi janë vënë në dispozicion dy fragmente nga videot e secilës prej këngëve në mënyrë që të gjithë të kishin mundësi të bënin krahasimin. Shumë nga opinionistët pohonin që kënga serbe dukej qartë që është një kopje e baladës së kënduar nga këngëtarja shqiptare, Soni.

Maki: 50% e këngës, e vjedhur
Lajmi që u bë publik në rubrikën “Bizarre” të të përditshmes më të madhe britanike, “The Sun” është mbështetur me shpejtësi nga kompozitori maqedonas i këngës, Maki. Ndërsa krahasimi i dy videove në sitin e famshëm tanimë ‘YouTube” pati rreth 80 mijë vizitorë që orët e para pas lançimit, edhe prononcimi i kompozitorit e përforcoi akuzën ndaj këngës serbe që fitoi Eurovizionin. Ai u shpreh se pretendon që rreth 50% e këngës së kompozuar prej tij është e vjedhur. “Mbi 50% e këngës “Ndarja” e kënduar nga Soni Malaj është e vjedhur. Këtu nënkuptohet vjedhja e idesë bazë të këngës, harmonisë si dhe ekziston i njëjti temp i këngës “Ndarja” me këngën fituese serbe të Evropianit të këtij viti. 7 bitet e para të këngës janë të njëjta. Jam në përpjekje kontaktimi me disa ekspertë këngësh për të gjykuar nëse dyshimet e mia janë të vërteta. Nëse profesionistët vërtetojnë këto dyshime, atëherë është normale të mendoj që çështjen ta ndjek në rrugë gjygjësore”- ka përfunduar ai.


Ben Andoni : Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama