Diku shfaqet si një ujk me gjerdan yjesh në qafë, diku si një zonjë me flokë gri, me shumë maska në fytyrë. Bëhet fjalë për Evropën e vitit 2020 e konceptuar nga grafistë e dizajner nga e gjithë bota. Pas një rrugëtimi gati 2-vjeçar nëpër qytete të ndryshme të kontinentit evropian, ekspozita “Evropa 2020” mbërrin edhe në Tiranë. Hapet të premten në 25 maj dhe qëndron për gati një muaj në Galerinë Kombëtare të Arteve. “Evropa 2020” është një ekspozitë me postera, e lindur prej organizimit të dy konkurseve panevropiane, që fokusojnë të ardhmen e Evropës. Ajo prezanton krijimet më të mira të konkurseve ku përmblidhen më shumë se 100 grafika nga 23 vende të Evropës e më gjerë. Një juri ndërkombëtare seleksionoi punët e ardhura nga Bjellorusia, Gjermania, Franca, Kroacia, Finlanda, Turqia, Italia, Zvicra, Bullgaria, Çekia, SHBA-të, Irani, etj. Fantazia e dhjetëra artistëve përthyhet në forma nga më të ndryshmet dhe të çuditshme. Nga vetë titulli “Evropa 2020 - Nga e sotshmja tek e nesërmja”, artistët janë nisur nga zhvillimet më të fundit në kontinentin e vjetër, për të “parashikuar” atë të ardhshmin. Jo më kot diku ajo na paraqitet si një familje në rritje, apo si një qilim shumëngjyrësh, ku ngjyrat e ndezura të flamujve gërshetohen duke krijuar diçka unike. Ky është perceptimi i artistes kroate Ljubica Marcetic Marinovic. Nga ky përfytyrim familjar, kalohet në një tjetër, ndoshta më provokativ.
Evropa si një dem që drejtohet nga një femër nudo. Pra e kundërta nga miti i rrëmbimit të Evropës. Thua fuqinë po e marrin në duar femrat? Ngjarjet e fundit politike po e vërtetojnë një gjë të tillë. Një grua (Angela Merkel) drejton një nga superfuqitë evropiane, Gjermaninë, ndërkohë që në Francë, një femër kandidoi fort për postin e presidentit. Një punë kjo e Vitali P. Konstantinov, artist me origjinë nga Besarabia, një vend mes Ukrainës, Rumanisë dhe Moldavisë, por që jeton dhe punon në Gjermani. Për artistin Savas Cekic, që vjen nga Turqia, vend ky që aspiron për të hyrë në familjen evropiane, por që po ndesh në shumë pengesa për shkak të përkatësisë fetare myslimane, Evropa është një ujk që skërmit dhëmbët dhe hungërin, që mban varur në qafë si gjerdan, kurorën e yjeve, simbolin e famshëm të Komunitetit Evropian. Punë interesante vijnë nga Polonia. Andrzej Pagowski sjell as më shumë e as më pak por fytyrat e Evropës. “Many faces of Europe” e quan ai punën e vet ku paraqitet gruaja me flokë gri, që mban plot 2020 maska. Wieslaw Grzegorczyk, po nga Polonia, luan me identitetin evropian. E njëjta femër, në variantin skulpturë dhe atë pikturë qëndron përballë vetes.
Teksa shikon disa syresh të krijohet ndjesia e një kontinenti të lashtë që pëson metamorfoza nga më të ndryshmet, herë si femër, jo rrallë herë si bishë, herë në formën e vetë euros, parasë së përbashkët. Madje diku Evropa paraqitet si rezultat i një reaksioni kimik mes argjendit, arit dhe platinit (Ag+Au+Pt= Eu).
Ideja për të realizuar një ekspozitë të tillë mban autorësinë e dizajnerit kroat Boris Ljubicic.
Kjo është edhe një nga arsyet pse në ekspozitë, shumica e pjesëmarrësve vijnë nga Lindja. Por më së shumti sepse prej vendeve të Lindjes, që e kanë parë familjen evropiane për vite me radhë së largmi, vijnë edhe përfytyrimet më interesante. Disa prej pjesëmarrësve janë Gianni Bortolotti, Iva Babaja, Miranda Herceg, Hans Peter Omann, Karel Misek, Angie Rattay, Kostis Sotirakos, Reijo Strom, etj.
“Evropa 2020” organizohet nga Ministria Kroate e Punëve të Jashtme dhe Integrimit dhe nga “Shoqata e Dizajnerëve Kroatë”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Kroate. Ardhja në Tiranë mundësohet gjithashtu nga mbështetja e Ministrisë shqiptare e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo ekspozitë ka shëtitur në më shumë se 20 qytete dhe takimi me Tiranën vjen pas prezantimit në Beograd.
Alma Mile - Gazeta Shekulli











