Me një thirrje luftarake kundër marksizmit, por edhe kundër kapitalizmit të paprinciptë e të pamëshirshëm ndaj vlerave humane, Papa Benedikti XVI u ka dhënë fund edhe vizitave të tij në Amerikën Latine. Të dyja ideologjitë janë përgjegjëse për shumë probleme që hasen në kontinentin tonë, tha Papa gjerman në çelje të konferencës peshkopale të Amerikës Latine në vendpelegrinazhin brazilian të Aparecidas. Pas fjalimit të tij në atë auditor, kreu i kishës katolike romane u kthye me një helikopter drejt Sao Paulos dhe më pas i hipi avionit në drejtim të Romës. Nëse marksizmi e ka gjetur gjithnjë rrugën e tij drejt pushtetit, nuk ka lënë pas vetëm një shkatërrim tragjik në planin ekonomik e atë ekologjik, por edhe në shpirtin e njerëzve, ka thënë Papa. Ai ka renditur disa vende, të cilat mund t‘u shkonin për shtat pohimeve të tij. Në Amerikën Latine, kohët e fundit kanë ardhur në pushtet disa qeveri me orientime të majta me tendenca për ekstremizëm ideologjik, sidomos në Venezuelë, Bolivi, Ekuador e Nikaragua.
Kritikë ndaj kontraceptivëve dhe abortit
Papa nuk ka ngurruar të ushtrojë kritikë edhe ndaj kapitalizmit të paprinciptë e antihuman, si dhe ndaj globalizimit. Edhe këta të fundit kanë kontribuar në degradimin e dinjitetit njerëzor po aq sa dhe komunizmi me pasojat që ata kanë sjellë me vete si droga, alkooli dhe përfytyrimet e gabuara mbi një jetë të lumtur. Gjithashtu, për herë të parë, Papa Benedikti është shprehur në mënyrë direkte mbi shtatzëninë, kontraceptivët dhe abortin. Këto institucione të familjes janë të kërcënuara gjerësisht, sipas Atit të Shenjtë, duke ndikuar edhe në të ardhmen e njerëzve në Amerikën Latine. Përballë këtyre rreziqeve, rajoni ka nevojë që vendet kyçe të politikës të jenë më shumë katolike, ashtu sikurse dhe mediat e shkollat e larta, ka sugjeruar më tej Papa në apelin e tij. Në një vend me kaq shumë të krishterë të pagëzuar, është e habitshme që raporti në përfaqësimin e tyre në pozicionet kyçe shoqërore e politike është shumë i vogël. Këtu kërkohet më shumë angazhim. Papa Benedikti u bëri thirrje peshkopëve për ruajtjen e rolit udhëheqës të kishës katolike në mbarë rajonin.
Papa: Evangjelistët, shumë agresivë
Përballë ndikimit në rritje të bashkësive protestante evangjeliste në Amerikën Latine, ku jeton afërsisht gjysma e katolikëve në mbarë botën, ai ka kërkuar nga krerët e klerit në vendet përkatëse latino-amerikane "të punojnë me zell misionar për të përhapur besimin e shpresën". Njëkohësisht, Papa akuzoi kishat protestante evangjeliste se po ushtrojnë një veprimtari agresive misionare, në favor të besimit të tyre. Nëse në vitin 1980 numri i brazilianëve që e njehsonin veten me besimin katolik kapte shifrën 89 për qind, në vitin 2000 numri i tyre kishte zbritur në 74 për qind. Në të njëjtën periudhë kohore numri i ndjekësve të grupimeve evangjeliste është rritur nga 7 në 15 për qind.
Marre nga : Gazeta Shqip











