Të dielën e parë të qershorit, kur ora kishte kaluar nëntë, në pallatin Burbon, Presidenti i Asamblesë së fundit Kombëtare të Republikës së Katërt, anonçoi me një ton solemn, se meqenëse kishte marrë votëbesimin (me 329 vota pro dhe 224 kundër) gjenerali Sharl De Gol do të merrte funksionin e kryetarit të Këshillit të Ministrave. Pikërisht në atë ditë Franca inauguroi një tjetër republikë, Republikën e Pestë. Por, le të kthehemi akoma pas në kohë. Më 9 maj, në hotel "Orsay", në anën e majtë të Senës, ku sot ndodhet muzeu "Orsay", sërish gjenerali Gol, që prej tre vitesh nuk mbante konferenca shtypi, u shpjegoi gazetarëve, por njëkohësisht gjithë vendit dhe shoqërisë politike, kushtet për një rikthim të tijin në pushtet. Një rikthim i garantuar. Më 19 maj të vitit ‘58 ishte ulur në parketin e sallonit të madh të hotel "Orsay", ku gjenerali fliste pasdite vonë. Nga dritarja shiheshin të paktën 100 policë të vendosur përgjatë Senës. Nga një helikopter mbërriti ministri i Punëve të Brendshme, Jules Moh.
Kështu, Sharl De Gol ishte rikthyer në pushtet, pasi kishte lënë qeverinë në vitin 1946, i pakënaqur nga partitë, të cilat e kishin mërzitur shumë. Në të vërtetë e kishte pritur se Franca, e së cilës kishte përfaqësuar dinjitetin në vitet e errëta të pushtimit gjerman, kishte akoma nevojë për të. Ajo që krijoi kushtet për një rikthim të tijin ishte lufta në Algjeri. Gjashtë ditë para konferencës për shtyp në hotel "Orsay" më 13 maj, armata e madhe, e mundur në Indokinë në betejën e Dien Bien Fu, e poshtëruar në ekspeditën e Suez-it kundër Egjiptit të Nasser dhe e impenjuar prej katër vjetësh në Algjeri, ishte ngritur kundër qeverisë së Parisit, nga e cila nuk e ndiente mbështetjen e mjaftueshme dhe kishte kërkuar kthimin e De Gol-it. Algjeria shihej nga të gjithë si një kërcënim për integritetin kombëtar, meqenëse aty ishin një milion francezë, së bashku me dhjetë milionë algjerianë.
I lindur pas puçit ushtarak në Algjeri, Republika e Pestë u konsiderua për një kohë të gjatë nga kundërshtarët e majtë si "një grusht shteti i vazhdueshëm". Ky ishte edhe titulli i një libri, që Fransua Miterrand, i cili 23 vjet më vonë, në vitin 1981, u bë Presidenti i parë socialist i asaj republike të "urryer". Ai iu përshtat me kënaqësi të madhe institucioneve të saj për 14 vjet plot. Me sa duket, Kushtetuta e shkruar e kundërshtarit De Gaulle i shkonte shumë për shtat. Në momentin e rënies së Republikës së Katërt, Franca nuk ishte në ndonjë nga periudhat më të vështira të saj sociale dhe ekonomike. Vendi ishte në zhvillim e sipër. Niveli i jetesës përmirësohej vazhdimisht, punësimi ishte në nivele të larta, po ashtu edhe numri i lindjeve ishte në rritje të kënaqshme. Qeveritarët francezë të pasluftës, edhe pse të "dobët" dhe jo koherentë, e kishin çuar vendin drejt prosperitetit. Sëmundja ishte politika. Institucionet ishin të paralizuara (në ato ditë maji, prej një muaji tentohej t‘i jepej fund krizës së katërt të qeverisë brenda dy vjetësh), integriteti territorial vihej në rrezik nga kryengritja algjeriane, madje edhe në hierarkinë ndërkombëtare Franca kishte pësuar një sërë "poshtërimesh" të ashpra.
E fundit kishte ndodhur me arrestimin e menjëhershëm të ekspeditës franco-angleze të Suezit, e nënshtruar nga superfuqia amerikane. Pjesa më e madhe e francezëve shpresonin te ndryshimi, ndërsa ushtarakët në Algjeri u kënaqën sapo dëgjuan emrin e De Gol-it, sepse shumë besonin tek ai. Me tone të ashpra, por realist në një kronikë të vitit 1959, historiani francez, François Furet, edhe pse zemërbutë me De Gol-in, shkruan që për ironi të fatit, me Republikën e Pestë vihet në lëvizje një reformizëm borgjez i dëshiruar prej kohësh. Dhe kjo ndodhi në vazhdim "me një grusht shteti reaksionar të bërë nga një monark liberal". Ky i fundit, gjenerali Sharl De Gol, njoftoi menjëherë për një dekolonizim të shpejtë, "prishi" Perandorinë Afrikane dhe brenda katër vjetëve, pasi u tregoi ushtarakëve se nuk mund ta fitonin luftën, pranoi pavarësinë e Algjerisë. De Gol nuk e ka dashur kurrë Napoleon Bonapartin dhe shpesh e ka kritikuar për cinizëm dhe mungesë pjekurie në marrjen e vendimeve. Në pranverën e vitit 1958, kur ushtria algjeriane u ngrit kundër qeverisë së Parisit, nuk ndoqi shembullin e "njeriut të brymerit", siç quhej Napoleon Bonaparti për grushtin e shtetit kundër direktoratit më 9 nëntor të vitit 1799.
Ishin të shumtë ata që menduan se De Gol nuk do t‘i kishte rezistuar të njëjtës tentativë. Ishin të zhgënjyer. Duke u kthyer në qeveri, De gol rregulloi gjërat me republikën parlamentare të dominuar nga partitë. Po ashtu, ai i dha vendit një Kushtetutë të bazuar, të paktën pjesërisht, mbi principet e zgjedhura në një nga fjalimet e tij të famshme të mbajtura në Bayeux dymbëdhjetë vjet më parë. Kushtetuta e re synonte një postim të rrezikshëm të funksioneve nga pushteti legjislativ drejt atij ekzekutiv. Roli i parlamentit u ridimensionua dhe Presidenti duhej zgjedhur direkt nga populli. Në të vërtetë, ishte reforma e kërkuar me insistim nga Sharl De Gol, me referendumin e vitit 1962, ajo që përcaktoi se zgjedhjet e para të këtij lloji do të mbaheshin në vitin 1965. Po ashtu, Presidenti fitonte një supremaci, që e bënte një monark republikan. Kur disponon edhe një mazhorancë në Parlament i jepet një autoritet më i madh edhe se vetë ai i Presidentit amerikan. Tani le të ecim pak hapa para. Segolene Royal premton një republikë të gjashtë me më shumë fuqi Parlamentit, ndërsa Nicolas Sarcozy duket më pak i disponueshëm për ndryshimet. Që në të vërtetë jo shumë francezë duket se ia urojnë.
Danielle Mitterrand kujton...
"Mërzitesha shumë". Si zonja Miterrand? "Po, në atë kohë mërzitesha shumë. Gruaja e Presidentit është pak më shumë se një lodër, një xhingël. Brenda ‘Elizeut‘ mund të lëvizësh si një hije". Buzëqesh me ëmbëlsi, ndërsa mbi fytyrë duket sikur i shfaqen shenjat e rebeles së përjetshme. "Është si një mace e egër në kuptimin e mirë të fjalës", thoshte François Miterrand. François dhe Danielle, 50 vjet jetë dhe "luftë" bashkë. Një rrugë e gjatë përmes historisë deri sa të kapërceje atë portë në rrugën 55 "Faubourg -Saint-Honore". "Le Chateau" është në imagjinatën e francezëve, edhe pse kjo banesë nuk ngjan aspak me kështjellën, por duket si shtëpia klasike borgjeze franceze, siç thoshte gjenerali De Gol. "Këtu të mbytet shpirti", tha ai, pasi kanë tentuar që ta zhvendosnin Presidencën e Republikës në një vend më të përshtatshëm, sipas tij, në një kështjellë ushtarake në Vincennes. Në të vërtetë, edhe çifti Miterrand nuk e ka dashur kurrë pallatin e ndërtuar nga konti i Evreux në vitin 1718 dhe zgjedhur nga zonja Pompadour për t‘i shpëtuar oborrit të Versajës.
"E konsideroja një vend pune", rrëfen Danielle, që vazhdoi të jetonte në apartamentin e saj në rrugën "Bievre" në Riva Gauche. Darka dhe festat me miqtë i bënte gjithmonë jashtë tij, në një nga shtëpitë e shumta të çiftit Miterrand. Megjithatë, pak vende si "Elizeu" kishin pamjen e pushtetit. Në "Salon d‘argent" Napoleoni firmosi abdikimin e tij të dytë, menjëherë pas disfatës në Vaterlo. Po këtu, Luigi Bonaparte përgatiti grushtin e shtetit, ndërsa organizonte një festë pas tjetrës, duke përsëritur shpesh thënien ironike të Victor Hugo: "Bëje republikën të vallëzojë, para se ta hedhësh në ajër". Qeveria aprovohet dhe dorëhiqet në "Elize", Këshilli i Ministrave mblidhet çdo të mërkurë dhe ligjet miratohen po aty. Mbledhjet diplomatike apo kokat e botës vijnë në "Elize". Edhe kompjuteri i famshëm "Jupier", që kontrollon armët atomike gjendet po aty. "Zoti President!" Danielle Miterrand nuk mund ta harrojë kurrë atë moment, kur më 21 maj të vitit 1981 rojet republikane thërrisnin me të madhe, duke rrokëzuar emrin e Presidentit të ri që po hynte në "Salon des Fetes".
Pikërisht në këtë sallon të madh, në katin e parë do të ulet edhe fituesi që do të dalë nga zgjedhjet e 6 majit: Segolene Royal apo Nicolas Sarcozy. "Menjëherë pas kësaj, zgjodha që të mos shkoja me François dhe të jetoja në pallatin ‘Elize‘", thotë zonja Miterrand. Më pas, ajo vazhdon kujtimet e saj: "Unë dhe motra ime Christine ishim kurioze të vizitonim apartamentet presidenciale. U thashë çambelanëve: "Nuk është nevoja që të na shoqëroni, mund t‘ia dalim vetë". Më panë si një të çmendur. "Më vjen keq zonjë, këto janë rregulla që nuk mund të thyhen", vazhdoi ai. Nuk kisha ç‘të bëja, duhet të mësohesha me atë jetë. Deri atë ditë vishja gjithmonë pantallona dhe bluza të rehatshme, ndërsa tani më duhej të ndryshoja stil. Mezi gjeta në gardërobë një fustan serioz dhe "patriotik", me ngjyrat e flamurit: të bardhë, blu dhe të kuqe. Në protokollin presidencial, Zonja e Parë e Francës, nëse kishte dëshirë mund të kujdesej për menynë e drekave, për kopshtin dhe përzgjedhjen e letrave. Megjithatë, shumë nga funksionet në pallat nuk ishin në kompetencat e Zonjës së Parë të shtetit.
Danielle Miterrand arriti që të bëjë një ristrukturim të plotë të apartamenteve presidenciale. Arkitekti Philippe Starck u kujdes personalisht për dhomën e saj, ndërsa Jean Michele Wilmotte, për atë të Presidentit. Në të vërtetë, ai që e modernizoi i pari "Elizeun" ishte Pompidou, duke futur në të poltronat dhe librarinë. Giscard Estaing kishte zgjedhur stilin e Napoleonit III dhe kishte sjellë diçka të re: kishte vendosur që të hapte "Elizeun" për popullin. Më 4 korrik të vitit 1977, pothuajse 8 mijë persona kishin zënë radhën për të hyrë në sallonet e "arta" dhe në parkun e madh. Që atëherë ngeli një traditë, e cila përsëritet për festën kombëtare. Miterrand ndryshoi "Salon des Fetes", duke vënë në të dyja anët dritare të reja dhe duke hapur vendin për një orkestër të vogël, që duhej të ishte e pranishme për pritje të veçanta. Vendosi të risistemojë edhe studion presidenciale në "Salon Dore", i zgjedhur nga De Gol për pamjen e mrekullueshme që kishte në kopsht. Me Miterrand kati i parë i "Elizeut" u bë një labirint intrigash dhe sekretesh, çdo dhomë një "celulë" bashkëpunëtorësh në konkurrencë mes tyre, që komunikonin me kreun e shtetit vetëm përmes "biletave". "François punonte deri vonë, pastaj kthehej në shtëpi".
Në mëngjes shoferi shkonte të merrte Presidentin për ta çuar në "Elize". "Ishte mënyra e tij për mos qenë i burgosur krejtësisht", shton bashkëshortja e tij. Bijë partizanësh, militantja e re socialiste nuk ishte e destinuar që të rrinte në kanonet presidenciale, ndryshe nga Yvonne De Gol, Caude Pompidou dhe Anne-Aymone Giscard, të cilat adhuronin të bisedonin për sezonet, botanikën dhe problemet e ndryshme gjatë drekave të shtetit. Nuk është e thënë se "të jesh gruaja e Presidentit duhet të bësh këtë apo atë gjë", shpjegon. "Ngelesha një militante, që doja t‘i bëja gjërat ashtu siç dëshiroja". Me fondacionin e saj për të drejtat njerëzore, "France-Libertes" përmbysi rregullat. "Tërboi" Kinën, duke ftuar Dalai Lama-n, më pas Mbretin Hassan II të Marokut, duke mbështetur publikisht çështjen e "Saharawi"; udhëtoi në Afrikën e Jugut dhe në Kudistan, duke rrezikuar të vdiste edhe në një atentat. Çdo herë që shkonte jashtë, ajo shoqërohej nga persona të tjerë, të cilët kujdeseshin për jetën e saj. "Danou, po më gjuan pas krahëve", bënte shaka i shoqi. Ai i falte çdo gjë, ashtu si ajo bënte me të. "Sa harxhime të kota, sa gjëra formale", kujton akoma, duke menduar për 14 vitet e kaluara në "Elize".
Darkat me 200 të ftuar, shtatëqind servise argjendi, gota prej kristali, ushqime të rafinuara dhe shampanjë që derdhej lumë. Luksi nuk i ka pëlqyer kurrë. "Për mua ‘Elizeu‘ nuk ishte një vitrinë, por mundësia për të ndryshuar botën". Prej 12 vjetësh, me Bernadette Chirac në "Elize" është kthyer qetësia. Gruaja e Presidentit aktual ka marrë rolin e padrones së shtëpisë, e cila kontrollon me kujdes letrat që vijnë, lulet që mbillen në kopsht, përgatitjen e buqetave speciale. Në vitin 1967 pyeste zonjën Giscard: "Çfarë mund të duash më shumë tani që je gruaja e parë e Francës?" "Të mos jem më", i përgjigjej ajo. Sot çambelanët kujdesen për detajet e ceremonisë, kur një President i ri hyn në "Elize". Kështu, nëse do të fitojë e djathta, Cecilia Sarcozy ka bërë të ditur se nuk ndihet gati për jetën në "Elize". "Nuk ndihem gati", komentoi njëherë, duke shtuar se ndoshta asnjë grua e brezit të saj nuk do të ishte më e përshtatshme për rolin e një "kukulle".
Marre nga : Gazeta Shqip











