Do të mbërrijnë mbrëmjen e vonë të 2 majit në Tiranë, por ata që i admirojnë “yjet” do të kenë rast t’i shohin të zbritur në tokë me makinat fluturuese të garave “Rally”.
Spektakli i makinave sportive të VIP-ave do ta vijojë rrugën e tij nga Athina për të mbërritur në Tiranë, duke u larguar mandej për në Dubrovnik dhe Bratislavë. Por gjithë ç’është parashikuar të vizitojnë në stacionin e Tiranës është Pallati i Brigadave ku do të darkojnë, ndërsa më pas do të ndjekin koncertin direkt “Gumball music koncert” që nuk është as mirë i saktësuar nëse do ta sjellin ata vetë apo do t’ua servirim ne.
Çfarë kontrasti me Shqipërinë!
Party-t ekstravagante dhe atraksionet më të veçanta duket yjet e garës “Gumball 3000” kanë preferuar t’i shijojnë në ndalesat e tjera si në kullën e famshme të vëzhgimit të UFO-ve në Bratislavë, në Berlin ku do të harbojnë në një party magjepsëse “Bond style”, apo në klubin e natës më të bujshëm të qytetit “Reina” në breg të lumit të famshëm të Bosforit, për të vijuar një natë më pas me një party edhe më ekstravagante në Hilton Hotel të Athinës me pamje nga Akropoli.
Ekstravagant këtej anës sonë të kufirit mbetet vetëm fakti që rrotat e super-makinave sportive të VIP-ave, mes të cilave edhe një makinë “A1 Grand Prix”, do të kërcejnë nëpër gropat dhe rrugët e prishura, duke krijuar një kontrast vërtet ekstravagant... Edhe më i fortë bëhet kontrasti po të përfytyrosh shumën “ekstravagante” prej më shumë se 55 mijë dollarësh vetëm si tarifë për biletën e hyrjes në këtë garë.
Nëse në Shqipëri do të ndiqet apo do të pritet me snobizëm pikërisht për shkak të mondanitetit dhe luksit të shfrenuar që ngërthen, ende nuk mund të thuhet; por është e sigurtë që ky aktivitet i famshëm i natyrës së pop-kulturës, mbulohet gjerësisht edhe nga media prestigjioze si CNN, MTV dhe BBC dhe një nga arsyet është pjesëmarrja në të e yjeve të spektaklit dhe biznesit. Nga një revistë e njohur si ‘Vanity Fair”, “Gumball 3000” është cilësuar madje “gara më rock ‘n’ roll që është organizuar ndonjëherë”.
Ngjan me të gjitha garat “Rally” por “cirkuiti” i saj është 3 mijë milje ose ndryshe 5 mijë kilometra. Kjo garë ndërkombëtare makinash sportive zhvillohet kryesisht në rrugët publike të Evropës, por shkon edhe në Amerikë apo në Azi. Me ndalesa në vendet turistike ose në qendrat e mëdha urbane, gara është modeluar në fakt sipas modelit të garave “breg më breg” në Shtetet e Bashkuara.
Por ajo që e ka bërë të famshme garën është pjesëmarrja e VIP-ave dhe sidomos atyre anglezë si supermodelja Jodie Kidd, aktorët Danny Dyer dhe Jason Statham si edhe ylli i grupit “Jamiroquai”, Jay Kay, por edhe e rapper-ëve amerikanë.
Aktorë “very british”
Ata janë yjet e televizionit anglez dhe “Casino Royal”. Jason Statham është një aktor i njohur anglez që ka interpretuar edhe në filmat e famshëm “Casino Royal” dhe “Transporter”. Megjithatë është më i famshëm për rolin e tij në filmat me krime të Guy Ritchie si “Lock”, “Stock” dhe “Two Smoking Barrels”, “Revolver” dhe “Snatch”. Ndërsa aktori tjetër shumë i njohur në Angli që merr pjesë në garën që kalon edhe nga Tirana është Danny Dyer i cili është edhe fan i skuadrës “West Ham United” dhe ka prezantuar një sërë dokumentarësh të “Sky TV” për huliganët e futbollit anglez. Të shumtë janë ata që impresionohen nga pamjet pa humor të Dyer nën errësirën e urave, mbathur një pallto të zezë të gjatë dhe duke tymosur cigare të stilit të burgut.
Supermodelja, kampione sportesh
Jodie Kidd është një personalitet i njohur i televizionit britanik si edhe supermodele e sportiste. Fiziku i saj tepër i dobët ka shkakuar polemika në Angli ku akuzohet se inkurajon adoleshentët të bëhen anoraksike duke u përpjekur të ngjajnë si ajo. Ajo vetë ka pranuar se është ‘kockë e lëkurë” por jo anoreksike, ndërsa tani është një femër e shëndetshme e masës tetë. Ka luajtur edhe role të vogla në kinema, por përgjithësisht producentët e konsiderojnë at shumë të gjatë për në kinema. Hobit e saj janë megjithatë më tepër motorrat e garave (ajo ka rezultatin më të lartë të yjeve në “Top Gear car show”), luan golf, polo, bën hipizëm dhe ka marrë pjesë në disa gara Rally “Gumball 3000”.
Belina Budini - Revista Mapo











