Rikthimi i arit
Një lëkurë e puthur nga dielli, që reflekton dritë dhe shkëlqim vërtet verbues. Ja tendenca e ditëve të nxehta. Më shumë se kurrë këtë verë do të jenë të rëndësishme lojërat me dritën dhe efektet e arta. Do të joshim me sy të parezistueshëm, buzë të shndritshme, por sidomos me një lëkurë plot shkëlqim.
E shndritshme dhe diellore
Produkti çelës për këtë llok është “bronzer”-i. Por natyrisht toni i lëkurë së errët fillon me një hidratim të mirë, thelbësor për një lëkurë “bizhuteri”. Pastaj kalohet në bazë. Jo gjithmonë është e nevojshme fondëtinta. Sidomos në verë ekziston një dëshirë shumë e madhe për të qenë e lehtë dhe në vend të fondëtintës më shumë preferohet një krem me ngjyrë. Nuk e rëndon lëkurën, është shumë i shpejtë dhe i lehtë për t’u aplikuar, një veçori kjo që vlen për t’ua marrë në konsideratë mbi të gjitha në ditët e nxehta, kur dëshira për freski është edhe më e madhe dhe jo në çdo moment të ditës e ke mundësinë për të bërë një dush. Pastaj, kremrat e ngjyrosur kanë forma gjithmonë e më të përparuara dhe të sofistikuara. Risia më e fundit është adoptimi i menjëhershëm me lëkurën dhe një ngjyrim i përsosur. Njollat dhe vështirësitë me përhapjen tashmë janë histori të shkuara.
Lëkurë e bronztë
Efekti i artë dhe i shkëlqyeshëm, që e bën special makijazhin e verës për këtë vit, përftohet nga një pudër e ngjyrosur që quhet “bronzer” , që ka fuqi thuajse magjike për t’i dhënë lëkurës ngjyrë të errët dhe mbi të gjithë një prekje dielli. Kjo lloj pudre në fakt ka një efekt mat, por në të njëjtën kohë arrin që t’i japë lëkurës edhe një fashë të fortë drite dhe shkëlqimi. Mjaftojnë vetëm shumë pak produkte të tjera për të kompletuar në tërësi këtë look të quajtur “e puthur nga dielli”. Gjatë ditës mjafton vetëm pak rimel, për të mos e shkëputur për asnjë çast vëmendjen nga afekti shkëlqyes i lëkurës. Kurse në mbrëmje e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet tek sytë, për një look akoma edhe më joshës.
Rimeli, më i rëndësishmi
Shkëlqimi është thelbësor për këtë tendencë dhe duhet të jetë i përfshirë edhe në produkte të tjera, si për shembull hijezuesi i syve dhe rimeli. Për të përvijuar më mirë vështrimin mjafton të zgjedhësh një rimel me efekt harkues, që nuk duhet t’i mungojë as pigmenti i shndritshëm, për ta nxjerrë edhe më në pak pjesën e syrit dhe duke dhënë një vështrim “eksploziv”. Ngjyrat protagoniste mbeten gjithmonë e zeza dhe kafja, por mund të merren efekte shumë speciale dhe me ngjyrën blu.
Forma të ekzagjeruara
Femra e verës 2006 josh, është transparente dhe mbi të gjitha shkëlqen. Bëhet fjalë për një femër elegante që nuk ka frikë të nxjerrë në pah sidomos vështrimin. Më shumë sesa ngjyrat -që vazhdojnë të mbeten ato klasike si e zeza, kafja, ngjyra e kakaos, bluja e errët, vishnja- femra e kësaj vere u jep rëndësi formave. Për shumë kohë tendenca ka qenë për një truk të rezervuar dhe ekskluziv për pjesën e sipërme të syrit. Por këtë verë syri trukohet në tërësi, si sipër ashtu edhe poshtë, madje edhe në brendësi. Hijezuesi i qepallave duhet të jetë gjithmonë i shndritshëm.
Buzë tropikale
Edhe buzët nuk duhet të nënvlerësohen, por ashtu si edhe sytë duhet të nxirren në pah. Për buzët përdorni shkëlqyesit dhe të gjitha llojet e buzëkuqit me ndriçim, që reflektojnë,- ashtu si edhe të gjithë produktet e tjera të look-ut “e puthur nga dielli”: dritë në maksimum. Për rezultate më të mira mund t’ju vijnë në ndihmë buzëkuqet me efekt neon. Ngjyrat e tendencës së buzëve për këtë verë janë të gjitha tonalitetet e frymëzuara nga frutat tropikale. Papaja, mango, por edhe mandarina dhe tonet e nxehta të koraleve.
Somario
Femra e kësaj vere josh, është transparente dhe mbi të gjitha shkëlqen. Bëhet fjalë për një femër elegante që nuk ka frikë të nxjerrë në pah sidomos vështrimin. Më shumë sesa ngjyrave u jep rëndësi formave
Efekti i artë dhe i shkëlqyeshëm, që e bën special makijazhin e verës për këtë vit, përftohet nga një pudër e ngjyrosur që quhet “bronzer”, që ka fuqi thuajse magjike për t’i dhënë lëkurës ngjyrë të errët
Marre nga : Gazeta Jeta











