Rasti Dubuffet nga naivia ne naivizem

Rasti Dubuffet, nga naivia në naivizëm

Natyrisht, ka dhe të tjerë që mbajnë një qëndrim herë ironik e herë dyshues. Kontributit që ai ka dhënë në artin pamor i bashkëngjitet edhe filozofia e tij, të cilën ai e ka përpunuar me përkushtim në mënyrë sistematike. E gjithë orvatja e Dubuffet, duke futur këtu edhe pjesën teorike, me gjithë këndshikimet e ndryshme, mendoj se duhet të kuptohet (sipas pamjes së të gjitha gjasave) kryesisht si një mesazh lirie. Duke përjashtuar kështu mijëra abuzime lajle-luleshe të sojit gazetaresk e servilesk në emër të lirisë. Jo rastësisht, Dubuffet konsiderohet si një revolucionar i heshtur. Shumë përpjekje të tijat, çuditërisht i pat damkosur si të dështuara, megjithëqë, në moshën dyzetvjeçare, i njëjësuar me artin e tij, ia del të konsolidojë identitetin e vet duke provokuar/hapur goxha reagime/debate. Një nga ngërçet që nuk duronte dot ishte dhe kultura pasive e institucionalizuar. Nuk mund të themi se është i pari që lëkundi ndërtesën e mermertë të pseudoestetikës së përhershme, e cila herë-herë merr përmasa vërtetë të padurueshme, por, pas Lutës së Dytë Botërore, është pa mëdyshje artisti që gjen hallkën e munguar në zinxhirin e rezistencës, i cili qe nisur nga treshja themel e modernizmit; Cezanne, Gauguin dhe Van Gogh. Kjo meritë e nxiti atë të rishikojë me kujdes pikën ku pleksen subjekti, objekti dhe forma.

Me mjaft ngulm, jo vetëm i rivendos në dyshim temat, teknikat dhe materialet, por dhe vetë figurën e artistit, në të cilën edhe shprehitë e pararojës më të skajshme nuk kishin pushuar së blatuari thuajse kuturu. Në të kundërt, Dubuffet deklarohet i lumtur që është një njeri i zakonshëm dhe nuk flet kurrë për artistin si për një qenie superiore, ose si për një gjeni. Ai flet për artin si një nevojë disi instiktive, jo më pak të fortë se nevoja për ushqim e për strehim, por mbi të gjitha beson se çdo njeri që nuk është i frenuar nga klima akademike, mund të jetë krijues i mundshëm, pra mund të bëjë art në sensin e një impulsi autentik dhe antimasiv. Po ashtu, ai është i bindur se arti nuk ka vdekur, (pra akoma s‘e ka përmbushur misionin), por mundohet të jetësojë vlerat e braktisura dhe ato të thjeshtat, të "parëndësishmet".

Jean Dubuffet nuk merakoset të bëjë pjesë në ndonjë grupim, nuk e çon nëpër mend të krijojë ndonjë shkollë, përkundrazi, i shmanget i vendosur çdo ndërmarrjeje kolektive. Në laboratorin e tij krijues zhvillon gjithnjë e më shumë dëshirën e tij për të ruajtur realen, duke e ndryshuar dhe duke e personalizuar më tej atë. Pra, pa e tjetërsuar drejt ndonjë forme abstrakte, siç bën fjala vjen Kandinski në disa piktura.

Në shumë prej punëve të tij, ndeshemi me një farë agresiviteti, i cili frymon një lloj lirshmërie, e cila na kujton lojërat e fëmijëve. Nocioni i revolucionit të vazhdueshëm që karakterizon veprën e tij nuk jep asnjë shkas për t‘i veshur tipare ideologjike, në kuptimin shekullar të këtij termi. Krijimtaria e tij duhet parë edhe si apel ndaj çdo operacioni kulturor të manipuluar dhe, për sa të jetë e mundur, të modifikojë me shembullin e tij një koncept "pasiv" mbi artin. Rimarrja me mjaft devotshmëri (kështu patën vepruar kubistët, ekspresionistët dhe surrealistët) e asaj që etiketohej si "primitive" apo e "egër", që sot ka filluar të bëhet pjesë e një mendimi më të gjerë kulturor, nuk i intereson shumë, sepse tashmë, ishte vjelë si risi.

Nën këtë atmosferë jo antiartistike, por joartistike, duke u mëvetësuar për hir të meditimit dhe, duke lënë mënjanë primitiven për të kapur impaktin e parë, Dubuffet mirëpret/takon artin brut. Nga ana tjetër, ai nis të familjarizohet me një sërë artistësh anonimë, gati të izoluar, bile quheshin dhe të çmendur, por që për të s‘janë asfare raste të jashtëzakonshme për klinika, por botë të pavetëdijshme të një arti të pazbuluar dhe module me vlerë të një ekspresioni origjinal. Meqë nisma e Dubuffet, tashmë është arti brut (kuptimi më i afërt për këtë term është të qenurit jashtëkulturor) larg çdo forme akademiko-historike, ai gjakon të rishprehë fenomenin e asaj shkëndijës së papritur, e cila shfaqet atëherë kur s‘e kërkon.

"Arti urren të njihet e të përshëndetet me emrin e tij; idetë dhe algjebra e ideve mbase janë rrugët që të shpien drejt njohjes, ama arti është një tjetër mundësi për njohje, rrugët e të cilit gjithaq janë të tjera: janë ato të vizionaritetit. "Kur vizioni zhduket, duken idetë."

Eksperimentimi dhe vëmendja e Dubuffet ndaj artit brut fillon pak a shumë rreth vitit 1923. Pra, pas luftës, ai i kushton shumë kohë dhe energji nismës që i dhuroi atë aromë e cila e bënte të ndihej mirë.

Ai e ka studiuar gjatë këtë art duke mbërritur në disa dimensione shpesh të "mjegullta", ku është e pamundur të dallosh kufirin ndërmjet reales dhe imagjinares, koshiencës dhe inkoshiencës, fizikes dhe metafizikes. Një nga pikat kyçe në artin e Dubuffet, është dhe angazhimi i tij me botën e të sëmurëve mendorë. Vetë fakti që në sjelljen e këtyre njerëzve nuk ekziston një kod etik (sipas asaj që dimë ne) mbi të lejuarën dhe të ndaluarën, mbi të mirën dhe të keqen etj., përbën për të një rast të jashtëzakonshëm, i cili meriton studim.

Jean Dubuffet nuk mund të emërohet plotësisht figurativ, duke marrë në konsideratë kuptimin e zakonshëm të këtij nocioni. Arti i tij ka tjetër pikënisje e njëkohësisht tjetër qëllim. Është e habitshme të vëresh se si Dubuffet gradualisht shkëmben pikturën me grafikën, skulpturën me arkitekturën. Praktikisht, ky është një rikthim në të shkuarën e veprës së tij (pse jo një retrospektivë e background-it të tij) me mjete të reja/tjera. Ka gjasa që kjo është një fazë ku ai fillon të merret me shenjat, pasi ishte marrë me lëndën, pra, kemi të bëjmë me një ngulmim -sui generis- të vazhdueshëm drejt përsosjes së mesazhit.

Nëse te Pikaso gjetja i paraprin kërkimit, te Dubuffet thuajse njëjtësohen këto dy procese, ngase çdo gjetje/arritje rrjedh pas kërkimit, kështu që, gjetja dhe kërkimi pësojnë një lloj shkrirjeje gjatë aktit krijues. Pikturat e tij të shkaktojnë ndjesinë e të qeshurës dhe të frikës njëherësh; asfare atë frikë e cila stimulon mërzitje, por diç krejt tjetër, që mëton të sjellë aromë të fisme.

Ai kujdeset për ndërtimin e terrenit të tij, që në të ardhmen të ketë fizionominë e vet dhe, sikurse thotë vetë; "idetë e të bukurës dhe të shëmtuarës, të tragjikes dhe të këndshmes nuk kanë vend"; jo duke i përjashtuar këto koncepte, por duke ia lënë kohës pasojat pa u sforcuar aspak teorikisht. Me sa na përshfaqet, nuk kemi të bëjmë me një artist të syprinës, përkundrazi, ai e do mendimin e thellë që të shpie tek e vërteta mbi gjërat. Ajo çka përçojnë imazhet e tij, para se t‘u drejtohen syve, i drejtohen shpirtit, sepse tek ai ngërthehet jeta dhe fati.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama