Hillary Clinton është kandidatja më e mundshme për presidente në vitin 2008 dhe nëse ajo do të fitonte, do të bëhej kështu femra e parë presidente në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ajo nuk është kandidatja e parë për një post të tillë. Rasti i parë kur një grua ka kandiduar për presidente në SHBA, ka qenë para 135 vitesh, kur femrat akoma s’kishin fituar të drejtën për të votuar.
Tri gratë e para kandidate
Femra e parë kandidate për presidente e SHBA-së është Victoria Claflin Woodhull. Ajo ishte vetëm 34 vjeçe kur partia e sapoformuar e të Drejtave të Barabarta e paraqiti atë si kandidate për presidente në vitin 1872. Victoria Woodhull ishte një lidere e lëvizjes së të drejtës së votës për gratë amerikane. Ajo u bë një simbol i larmishëm për të drejtat e grave, dashurinë e lirë dhe reformat në punë. Femra e dytë në historinë e SHBA që ka kandiduar për postin e presidentes së vendit është Belva Ann Lockwood. Ajo kapërceu një sërë pengesash që kishin të bënin me kufizimet për shkak të gjinisë në atë kohë.
Ajo arriti të diplomohej për Drejtësi në vitin 1872, duke u bërë një prej grave të para avokate në SHBA edhe pse në atë kohë ajo nuk ishte në gjendje të praktikonte diplomën e saj në shumë salla gjyqesh. Njëherë, një gjykatës madje i tha asaj: “Gratë nuk nevojiten në sallën e gjyqit. Vendi i tyre është në shtëpi, aty ato duhet të presin bashkëshortët e tyre, të rrisin fëmijët, të gatuajnë, të bëjnë punët”. Kjo nuk e ndaloi Lockwood që pas tre vitesh beteje, në vitin 1879 përpjekjet e saj të rezultonin në një ligj që i lejonte gratë që të punonin në Gjykatën e Lartë. Kështu ajo u bë femra e parë avokate në Gjykatën e Lartë. Pas kësaj ajo do të bëhej gruaja e dytë në historinë e SHBA-së që do të kandidonte për postin e presidentes, por do të ishte sërish e para, emri i së cilës do të shfaqej në listën e votimit. Ajo kandidoi dy herë për presidente, një herë në vitin 1884 dhe njëherë në vitin 1888. Charlene Mitchell ishte gruaja e tretë që kandidoi për presidente e SHBA-së në vitin 1968. Por ajo do të bëhej gruaja e parë afrikano-amerikane që kandidonte për një post të tillë. Mitchel kandidonte si përfaqësuese e Partisë Komuniste.
Kandidatet e tjera
Lista e kandidateve femra për presidente të SHBA-së arrin deri në 25. Disa prej tyre kanë lënë më shumë gjurmë në histori, disa të tjera më pak. Këto 25 kandidate janë ato që konsiderohen zyrtare dhe janë nominuar nga një parti, pasi ka pasur plot raste të tjera kur një femër ka kandiduar për t’u zgjedhur nga partia përkatëse për presidente, por s’ia kanë dalë mbanë që të zgjidhen. Disa prej tyre janë Linda Jenness, në vitin 1972, e cila u përzgjodh si kandidate nga Partia Socialiste e Punëtorëve. Po në të njëjtin vit, kandidate për presidente ishte dhe Evelyn Reed, anëtare e Partisë komuniste. Bëhet fjalë për të njëjtin vit, kur president i SHBA-së u zgjodh Richard Nixon. Lista vazhdon me Margaret Wright, 1976, e cila përfaqësonte Partinë Popullore. Në vitin 1980 Ellen Mçormack u bë gruaja e parë që ishte njëkohësisht dhe nënë që kandidonte për presidente. Ajo u bë gjithashtu edhe guraja e parë që u shfaq në fletët e votimit në më shumë se 18 shtete dhe gruaja e parë që arriti të mblidhte shumën e duhur të fondeve, duke u bërë kështu kandidatja e parë serioze femër për presidente.
Lista
1. Victoria Woodhull, 1872 – Partia e të Drejtave të Barabarta
2. Belva Ann Lockwood, 1884 – Partia Kombëtare e të Drejtave të Barabarta
3. Belva Ann Lockwood, 1888 - Partia Kombëtare e të Drejtave
4. Charlene Mitchell, 1968 – Partia Komuniste
5. Linda Jenness, 1972 – Partia Socialiste e Punëtorëve
6. Evelyn Reed, 1972 – Partia Socialiste e Punëtorëve
7. Margaret Wright, 1976 – Partia Popullore
8. Ellen Mccormack, 1980 – Partia e të Drejtës për Jetën
9. Maureen Smith, 1980 – Partia e Paqes dhe Lirisë
10. Deirdre Griswold, 1980 – Partia e Punëtorëve të Botës
11. Sonia Johnson, 1984 – Partia e Qytetarëve
12. Gavrielle Holmes, 1984 – Partia e Punëtorëve të Botës
13. Lenora Fulani, 1988 – Partia e Aleancës së Re
14. Willa Kenoyer, 1988 – Partia Socialiste
15. Lenora Fulani, 1992 – Partia e Aleancës së Re
16. Helen Halyard, 1992 – Partia Socialiste e Barazisë
17. Isabell Masters, 1992 – Partia e Retrospektivës
18. Gloria LaRiva, 1992 – Partia e Punëtorëve të Botës
19. Monica Moorehead, 1996 – Partia e Punëtorëve të Botës
20. Marsha Feinland, 1996 – Partia e Paqes dhe Lirisë
21. Mary Cal Hollis, 1996 – Partia Socialiste
22. Diane Beall Templin, 1996 – Partia Amerikane
23. Isabell Masters, 1996 – Partia e Retrospektivës
24. Monica Moorehead, 2000 – Partia e Punëtorëve të Botës
25. Cathy Gordon Brown, 2000 – Kandidate e pavarur
Përgatiti: Blendina Cara - Gazeta TiranaObserver











