Ështe koha per te joshur

Është koha për të joshur

Një art i përsosur nën kujdesin e gjinisë femërore, ku të gjitha janë praktikante. Disa profesioniste, disa të tjera ca më amatore. Por të gjitha dinë të flasin për situatat e ethshme ku herë me një kontroll të sigurt e herë nën “kllapinë” që provokon prania e një mashkulli, ose mjedisi i elektrizuar nga vështrimet e seksit tjetër, kërkojnë të vihen në qendër të vëmendjes. Edhe njerëzit e ekranit dhe artit shqiptar këtë gjendje tokësore e kanë një përvojë të tyren. Jo gjithmonë ato mund të provokojnë me lehtësi kthimin  e kokës dhe interesin e çdokujt. Edhe atyre u duhet të zbresin në arenë duke përdorur armët e joshjes. Femrat e njohura tregojnë “betejat” e fituara, mënyrat e tyre dhe si mundin të jenë të suksesshme edhe në fushën ku të qenit e njohur harrohet dhe të qenit femër mjafton. Madje edhe kur janë të dashuruara me partnerët  e tyre. Sepse joshja është tipike femërore, instinkt provokues, që fare lehtë i shpëton barrierës së ndërgjegjes.

Julka testohet me joshjen
Marrëdhënie të shkëlqyera me joshjen. Kjo është ideja që i zgjon argumenti. Sepse kështu ndodh kur zhgënjimet nuk ia zbehin sigurinë. Sepse kështu ndodh kur të joshurin më të rëndësishëm të jetës e ka në krah. Siç të pasionuarit herë pas here i hapin e i pastrojnë për t’i mbajtur në gjendje sa më të mirë, armët e gjahut, edhe Julka kujdeset për armët e saj të joshjes. Megjithëse shumë e dashuruar me njeriun ku joshja funksionon në perfeksion, Andi Dj, ndonjëherë mund ta gjej veten duke joshur dikë thjesht për të provuar sa “në formë” është. Dhe asnjëherë nuk është zhgënjyer. Sepse gjithmonë funksionon.

Veprimi më klasik është vështrimi. I ka përdorur edhe si mjet artistik në videoklipet intriguese. Me sa duket, “macja” Julka i ka si kthetra sytë e lëmshin e joshjes e luan mirë. Të tjera mund të përdorë edhe sipas situatës. “Janë disa gjeste, toni i zërit, apo në përputhje me mjedisin mund të jenë disa veprime të tjera si  lëvizjet e trupit në diskotekë, por gjithmonë të shoqëruara me shikimin”. S’kishte si ta përjashtonte kërcimin një vajzë si ajo aq e lidhur me ritmin. Deri ku shkon rezultati i një joshjeje? “Deri aty ku e lejoj unë”. Dhe kufiri ka një vendndodhje të përcaktuar mirë. E  pranon duke qeshur, por po t’i besosh shprehjes se shakaja është gjysma  e së vërtetës, por edhe bindjes së Julkës në aftësitë e saj tërheqëse, kurorëzimi është “fitimi i presë së joshjes”.

Instinkti i frenuar i Eni Janit
Megjithëse e diplomuar për regji dhe e mësuar me aktrimin, në jetën e përditshme për sa i përket joshjes nuk ecën me skenar, por herë pas here mbështet te improvizimi. Eni Jani mund t’i duket joshëse shumë prej atyre që e shohin, por jo si pasojë e përpjekjes së saj. “Joshjen asnjëherë nuk e kam pasur qëllim në vetvete”. Ajo nuk dëshiron të krijojë marrëdhënie të ngushta me të sepse  nuk beson shumë në magjinë e saj, ose më saktë nuk do të lërë asgjë në duart me gishta minutash të joshjes. Sepse kaq mendon ajo se mund të zgjasë magjia e një joshjeje, vetëm pak çaste. “Më pëlqen të jem vetvetja. Joshja zgjat pak, kurse unë do të jem gjithmonë ashtu si jam në të vërtetë”.

 Por megjithatë, as ajo nuk e mohon se e ka përdorur artin e joshjes. Më tepër instinktivisht, por gjithsesi është bërë pjesë e asaj rryme që merr në situata të caktuara çdo njeri. Dhe gjithë përbërësit që formojnë imazhin nisin të ndryshojnë për të krijuar një imazh që bie në sy. “Te çdo femër ekziston dëshira për të joshur. Dhe ajo përdor anët e saj të forta në paraqitje”. Këto anë nuk i mungojnë Enit, kështu që në rrethana të caktuara i vë në përdorim në kuadrin e një joshjeje të nisur pa qëllim, por të stisur për bukuri. Dhe pastaj për të rënë në sy nuk është e vështirë. Ashtu si ka rënë në sy të regjisorëve të filmave ku ka interpretuar, roli i një vajze joshëse ka sigurisht suksesin e tij. “Por unë jam e frenuar. Joshja mbaron kur arrij të tërheq vëmendjen e dikujt”. Më tej situatën e ka në dorë natyrshmëria.

Performancat joshëse të Albana Osmanit
Një zonjushë surprizash si ajo, një përfaqësuese dhe pse jo një model për brezin e ri, Albana Osmani është dhe një femër joshëse. “Josh çdo ditë, sa herë një mashkull më pëlqen” me çdo mënyrë, por para së gjithash me armën që i duhet t’i fitojë betejat edhe kur zhvishet nga aksesorët ndihmës, siç është komunikimi. Ja ka zbuluar vetes këtë cilësi. Se me fjalët e me mënyrën si i thotë ato, mund të bëjë magji edhe kur nuk është para kamerave, por para një tjetër prove të rëndësishme, një mashkulli që e tërheq. Një femër si ajo që prej kohësh luan me “Kupidin”, ca truke të suksesshme në artin e joshjes ka mësuar t’i ketë të sajat. “Shfaqem njëherë fëminore e pastaj tregohem një femër e fortë”. Përgatit një performancë dyzuese sa nga vajza naive te ajo dinake e mes tyre është kurthi ku bie “gjahu” i spikatur. Fytyra e saj e qartë mund të ngjajë se ofron si një libër i hapur, histori fëmijësh. Por po aty, atëherë kur “ndonjë” mendon se e ka përfunduar historinë, spikat mendimi, që mban strategjinë e një femre të zgjuar. Kështu e ka zgjidhur ajo çështjen. E për sa i përket asaj tjetrës “të joshësh a të mos joshësh”, është për të një dilemë false e atyre që fshehin të vërtetën. Sepse Albana në mënyrë të pandërgjegjshme ose dhe të ndërgjegjshme kur dikush i bie në sy, me vështrim, me buzëqeshje e s’di se si, kërkon të arrijë të njëjtën gjë.

 

Kur Zhaku bëhet e parezistueshme
Mënyrat Zhaku i lë jashtë, sepse rezultatin e ka dukshëm brenda kornizës. Është i gjithi i ngjyrosur me nuanca suksesi e këtë kuadër një femër spektakli dhe metropoli si ajo, e njeh mirë. “Nuk bëj asgjë për të joshur. E di që jam femër joshëse”. E meqë është e tillë se si e pse nuk ka pse të mendohet, aq më tepër që kjo nuk ka të bëjë shumë me mendimin. Nuk lodhet shumë, sepse josh duke qenë thjesht ajo. Joshja te Zhaku me sa duket nuk kërkon elementë të veçantë, sepse ato përmbahen në mënyrën e të qenit. Megjithatë dhe asgjë-asgjë nuk mund ta quash tjetërsimin që e përfshin dhe ajo e pranon. Ndodh në ato çaste kur dikush e tërheq së paku fizikisht meqë ky është gjithmonë impakti i parë. “E tregojnë rezultatet që jam joshëse” nuk i trembet një modestie të munguar meqë ajo thjesht është, ndërsa janë djemtë që joshen. Dhe ky është vetëm hapi I parë I suksesit. Pas atij…duhet të njohësh filozofinë e peshkimit dhe orientohesh thjesht. “Po u hodh grepi, po u zu peshku pastaj bëj ç’të duash me të, piqe, haje”. Dhe çdo ditë, dhe ajo si çdo femër tjetër, mund ta gjej veten të angazhuar në rolin e asaj që kërkon vëmendjen e atij që i intereson. Ajo që dihet është se e zotëron situatën me qetësinë që i mungon deputueseve. Përdor lëvizjet dhe ndryshon sjelljet. Ajo nuk mund të shpjegojë me më shumë detaje si sillet, se nuk e sheh veten. Aq më tepër që në atë kohë ia ka ngulur sytë dikujt tjetër.

1 milionë fantazitë e Joli Rremajt
Lidhjen që po jeton e ka nisur me joshje. Me një vështrim të shpejtë gati të ndrojtur, që pastaj nis të bëhet ca më i shpeshtë dhe ca më këmbëngulës, deri sa shoqërohet dhe me një buzëqeshje. Ndërsa tani partnerin që ka në krah e josh me 1 milionë mënyra. “Është shumë ndryshe të joshësh dikë që e sheh për herë të parë dhe të bësh për vete njeriun që do. Me të panjohurit ka disa mënyra, por që nuk shkojnë kurrë deri tek ato “të turpshmet”, kurse me partnerin mënyrat janë të pafund”. Vajza e lajmeve, me joshjen e një “uniforme” si xhaketa e studios, apo “e zhveshur” nga ajo, rezultatin e ka në xhep. Të joshësh dikë nuk është gjithmonë prologu i qëllimshëm i një historie të synuar. Joli e bën këtë ndonjëherë ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme edhe pse jeton lumturisht lidhjen e saj. Duket si e vjedhur nga apologjitë mashkullore, por me sa duket është, si çdo tendencë tjetër, e vlefshme dhe për meshkujt dhe për femrat: të joshësh nuk do të thotë të tradhtosh. “Çdo femër do pëlqente të dinte se sa joshëse është”. Edhe pse nuk e thotë hapur që ajo është një ndër to, kurorëzimi i një joshjeje në një lidhje  tregon se te Joli kjo është gati një mjeshtëri e parezistueshme. “Duhet të dish t’i japësh formë asaj që mund të quhet joshje, pavarësisht sa  simpatike apo tërheqëse je, sepse kjo është relative dhe çdo femër e ka këtë armë thjesht në të qenit femër”.

Marsida Saraçi, sekreti i një buzëqeshjeje
Nëse diku shihni Marsida Saraçin që buzëqesh, buzëqesh prapë, buzëqesh e gjitha për dikë kuptojeni se është duke e joshur. E kanë kapur “ethet” për të dhe ajo është duke kërkuar të jetë protagoniste. “Buzëqeshja dominon në armët e mia të joshjes”. Ai mund të jetë një djalë që shijeve dhe vështrimit të saj të parë, i përmbush kërkesat, por edhe një i njohur që i intereson. Këta të fundit janë edhe më grishës sepse duke i njohur ka zbuluar diçka tërheqëse tej syve apo buzëqeshjes. Megjithatë me joshjen ajo ka ndërtuar një marrëdhënie shumë kapriçoze. Të mendosh pastaj si shkon puna me ata që bien pre e joshjes. Sepse, ajo beson se një joshje shkon deri te kufiri I vetvetes. “Gjithçka që nis me joshje zgjat pak. Edhe pse kjo nuk mund të jetë një teori”. Nuk shpreson shumë nga joshja, ose më saktë nuk I luan ato që kanë rëndësi në atë fushë ku kryqëzohen vështrimet me peshën e një qëllimi. Kështu ajo josh për të përmbushur instinktin, për të provuar aftësitë, për t’u hakmarrë në emër të shijeve të saj që presin përgjigjen e gjithë ngacmimit të lindur fillimisht te ajo. Atëherë kur suksesi duhet ndërtuar në një rrugë tjetër, e ndryshme nga kënga dhe arma e saj nuk është më zëri, por të tjera cilësi, sërish ajo është në një formë të mirë. Di të përshtatet mirë me skenën e situatave dhe sajon për çdo rrethanë një reagim sa më të efektshëm. Kur nuk buzëqesh, sheh me sytë që joshin.

 

Arta Cano - Revista Jeta


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama