Relaks force urtesi... joga

Relaks, forcë, urtësi... joga

E gjen në ambientet e palestrës së saj, diku pranë shkollës së mesme ekonomike, e veshur me kostum sportiv, duke praktikuar disa ushtrime të çuditshme, që në dukje të japin përshtypjen e diçkaje që s’ka lidhje me ushtrimet e zakonshme që bëhen rëndom nëpër palestra. Polikseni Gorishti duket shumë e qetë, lëvizjet i bën ngadalë dhe në fytyrën e saj nuk është e vështirë të dallosh një lloj relaksi që vjen së brendshmi. Menjëherë të fton në një zyrë të vogël, pas një korridori në ngushtë.

Ajo që të bie në sy sapo rehatohesh në zyrën e saj janë disa fotografi bardh’ e zi të shkrepura në vite, të vendosura në korniza anës murit. Në të gjitha Polikseni dhe bashkëshorti i saj Engjell Gorishti, që janë marrë që të dy gjithë jetën me sport, kanë pozuar nëpër evenimente të ndryshme. Dhe pasi të shpjegon me radhë të gjitha fotot, Polokseni fillon të tregojë se si e ka lidhur jetën e saj me sportin që në fëmijëri, me mbarimin e shkollës së kulturës sportive, duke iu dhënë kështu mundësia për t’u bërë mësuese fizkulture. Por ajo kërkonte shumë më shumë se kaq. U bë mjeshtre sporti dhe u mor me gjimnastikë. E dekoruar disa herë me medalje, së fundi edhe e atë të klasit të parë, Poliksenio Gorishti ka punuar me fëmijë të vegjël dhe me ta mësoi se si “ndërtohet” një sportist që në rrënjë. 

U bënë 5 vjet tashmë që kur ajo dhe bashkëshorti i saj drejtojnë një qendër fitnessi, duke mos reshtur asnjë sekondë së dhëni nga vetja e tyre.

“Në një kërkim të rrugëve për një përgatitje më të mirë fizike, që të funksionojë për të ndihmuar në një shëndet të mirë, unë zbulova Jogën, e cila ishte një mënyrë jetese dhe një mundësi për t’u ndier mirë jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht”.

Ndërkohë që në Shqipëri nëpër qendra të ndryshme fitnessi, praktikohej në masë aerobia, bota kishte filluar të praktikonte Jogën dhe Polikseni, sapo ra në gjurmë të saj, e kuptoi se kishte gjetur çelësin e të ndjerit mirë jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, gjë që nuk e kishte gjetur më parë në asnjë “formulë” ushtrimi gjimnastikor. “Fillimisht u ndala tek Joga e trupit, sepse midis 850 mijë ushtrimeve, këto ishin ato që unë i kisha më të thjeshta për t’i praktikuar fillimisht”. Kaq u desh që Polikseni të lidhej fort me traditën më të lashtë indiane, që ndryshe nga gjimnastika, shoqëron çdo veprim me frymëmarrje. “Brenda nesh ekziston një forcë, që nëse arrin ta zbulosh, mund të ndryshosh jetën tënde në tre drejtime: në trup, në shpirt dhe në mendje”.

E ndoshta tek këto tre pika e mori fillin një punë serioze për t’iu përkushtuar jogës, aq seriozisht, sa brenda një kohe të shkurtër nga duart e Polikseniot të dilte një libër: “Yoga. Ushtrime për trupin dhe mendjen”.   

Eshtë një libër i mbështetur në literaturën botërore për jogën dhe mundëson njohjen e kësaj praktike të lashtë indiane, me anë të së cilës mund të zbulohet brenda vetes forca jetësore, qetësia dhe urtësia, duke punuar jo vetëm me trupin si fizik, por edhe me mendjen dhe shpirtin. Si fillim libri të njeh me një historik të shkurtër të jogës, shkallët e saj,që janë tetë dhe që tregojë rrugën graduale të praktikimit të saj, si dhe ndryshimin midis ushtrimeve të jogës dhe ushtrimeve fizike. Të dish se çfarë është relaksi, teknikat relaksuese dhe roli i tyre në marrjen e energjisë nga trupi dhe mendja, duke mundësuar kështu një shëndet fizik të mirë. Faqet e librit “Joga, ushtrime për trupin me mendjen” të njohin edhe me mënyrën e të ushqyerit të jogave dhe teknikat e pastrimit nga brenda, si dhe meditimin, si një nga shkallët më të rëndësishme dhe një nga qëllimet e fundit të jogës, që njihet si metoda më e mirë për të kontrolluar mendjen. Dhe më e rëndësishmja joga është e lidhur ngushtësisht edhe me gruan, duke e parë jogën si një mundësi për harmonizimin e jetës së saj në të gjitha fazat e jetës, përfshi përgatitjen e shndërrimit nga vajzë në grua, kohën e shtatzënisë dhe atë të menopauzës.

Një nga ushtrimet më kryesore të jogës është edhe lutja e Diellit, si një lidhje shumë harmonike lëvizjesh që kryhen me lehtësi në sinkronizim të plotë me frymëmarrjen. 

Pozicioni i nisjes drejtqëndrim

1. ndërsa nxjerrim frymën, çojmë krahët nga lart në qendër të gjoksit në pozicionin e lutjes.

2. marrin frymë dhe ngremë krahët lart mbi lartësinë e kokës paralel me veshët, ndërsa harkojmë lehtë trupin mbrapa.

3. nxjerrim frymën, përkulemi para me duart në tokë pranë këmbëve me gishtat që shohin para. Afrohemi sa të jetë e mundur me kokën pranë gjunjëve.

4. marrim frymë ndërsa mbledhim këmbën e majtë, zgjasim të djathtën mbrapa sa më shumë të jetë e mundur

5. mbajmë frymën dhe çojmë këmbën e majtë pranë së djathtës në qëndrim me trupin drejt

6. nxjerrim frymën dhe mbështesim gjunjët, gjoksin dhe ballin ose mjekrën në tokë.

7. marrim frymë, mbështesim pjesën e baçinit në tokë

8. pa i lëvizur duart, nxjerrim frymën dhe ngremë baçinin lart në pozicionin e gërmës V të përmbysur sa më lart të jetë e mundur, duke kaluar nga majat e gishtave në shputën e këmbës.

 9. marrim frymë dhe bëjmë një hap para duke e çuar këmbën e djathtë të mbledhur në gju, ndërsa e majta qëndron e zgjatur mbrapa

10. nxjerrim frymën dhe afrojmë këmbën që e kemi të shtrirë mbrapa pranë këmbës tjetër para, shtrijmë këmbët dhe afrojmë ballin pranë gjunjëve.

11. marrim frymë, zgjatemi në drejtimin lart dhe përkulim trupin dhe kokën mbrapa me krahët e shtrirë paralel me veshët

12. nxjerrim frymën dhe kthehemi në pozicionin e nisjes me këmbët e bashkuara dhe duart përgjatë trupit anash

Marrim frymë dhe rifillojmë nga pozicioni 1, por me këmbën tjetër


Marre nga Revista Jeta


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama