Pasi ka marrë vlerësimin e Tiranës, përgjatë pesë ditëve të fundit, ekspozita e Rakës, konceptuar në dy pavione “Qytetërim Ballkanik” dhe “Retrospektivë”, është mbartur drejt vendit fqinj me100 punime, ndër të cilat 50 kanë qenë grafika (pamje), si dhe 50 karikatura. Ekspozita “Qytetërim Ballkanik” është emërtuar kështu nga vetë karakteri i saj, pasi ka përshfaqur para shikuesve, një pjesë mjaft domethënëse të historisë e kulturës sonë, si edhe asaj të qytetërimit të lashtë grek. Punimet e dy ekspozitave kanë qenë me teknikën e tushit (bardh e zi), një teknikë shumë klasike, por edhe tepër e afrueshme me shijen e publikut fqinj. Organizatori i kësaj ekspozite ka qenë Shoqata “Misionari”, që është përfaqësuar me kryetarin e saj, Stefan Prifti.
Duhet sqaruar se në ekspozitën e fundit, që ka çelur në Athinë, Raka i ka kaluar dhe parashikimet e tij më optimiste me nivelin e lartë që ka prezantuar. Grafisti i njohur shqiptar, që njihet dhe me nickname “Hithra”, ka marrë ftesa edhe për ekspozita të tjera.
Duhet sqaruar se mesazhi i punëve të Kosta Rakës i ka kaluar caqet e një vendi të vogël si Shqipëria. Ai jep mesazh ballkanik dhe është tepër i plotë për ato që përcjell. Jo më kot, ka pasur vlerësime nga artdashës, por edhe nga profesionistë. Për, pavionin e karikaturës, z. Takis Koufalis – Këshilltar i Lidhjes S.O.F.I.A, u shpreh se “grafisti Kosta Raka, në karikaturat e tij, evidenton një mençuri sofokliane”. Kurse, kritiku i shquar i artit shqiptar me banim në Athinë, z. Miho Gjini, i cili është dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptar me banim në Greqi, u shpreh se “asnjëherë deri më tani një aktivitet i tillë nuk kishte bashkuar në një sallë kaq intelektualë shqiptarë e grekë bashkë”.
“Qytetërimi Ballkanik” është vetëm fillimi i një pune mjaft të madhe të piktorit Kosta Raka, i cili po punon për të realizuar një ekspozitë me disa nga vlerat më të spikatura historike, kulturore e tradicionale të popujve të rajonit ballkanik. Autori, nëpërmjet një virtuoziteti mjeshtëror grafik, ka sjellë në këtë ekspozitë punime nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga veriu e deri në jug. Ndërsa nga Greqia, ka punime jo vetëm nga Athina, por dhe nga Rodosi, Janina, Korfuzi, Navplio, Halikarnasi etj. Në karikaturat e ekspozitës “Retrospektivë” trajtohen probleme të fushave ekonomike, sociale, psikologjike etj, që kanë bërë një udhë shumë të qartë dhe përmes editorit shqiptar.
Tema të tilla si:” Droga, SIDA, krimi, papunësia, problemet e pacientëve me mjediset spitalore dhe shërbimet mjekësore, ndotja e mjedisit, pasiguria e jetës së individit, pamundësia financiare e njerëzve për strehim, mbingopja e rrugëve me makina të cilat sjellin kaos në qarkullim dhe ndotje të atmosferës, ngrohja globale, shfrytëzimi i pamëshirshëm i krahut të punës, indiferenca ndaj problemeve individuale, etj”, janë mjaft të njohura për amatorët e grafikës së medias. Përpos, 90% e këtyre punimeve janë ekspozuar në sallonet dhe konkurset më të mëdha botërore të karikaturës si në: SHBA, Kanada, Brazil, Francë, Gjermani, Austri, Itali, Greqi, Hollandë, Turqi, Bullgari, Ukrainë, Japoni, Iran etj. dhe janë vlerësuar me 28 Çmime kombëtare dhe 4 Çmime botërore.
Në inagurim merrnin pjesë afro 150 vetë: përfaqësues nga Ambasada shqiptare në Athinë, Ministria e Kulturës së Greqisë, Ministria e Jashtme e Greqisë, Shoqëria Xteco, Bashkia e Kalithes, Bashkia e Niqeas, Bashkia e Tavros, Bashkia e Moskatut, Bashkia e Nea Smirnis, përfaqësues nga kompani biznesi, profesorë, studiues, artistë, shoqatat artistike shqiptare në Athinë, qytetarë e dashamirës të kulturës shqiptare etj.
Ben Andoni - Revista Mapo











