Portret me fjale

Portret me fjalë

Tani po përpiqem të skicoj portretin e komunitetit shqiptar në Itali e më vijnë ndër mend fjalët e tim eti. Mendimet më fluturojnë të shprishur nëpër këto 14 vjet, që kur njohëm Italinë. Jo Italinë e televizorit, por atë të vërtetën, me diell e dëborë e ngricë, ajo që na kthen kurrizin a na pret me buzëqeshje bujare.

Në vitet '80 humoristi Shtjefën Palushi thoshte se kur të hapen kufijtë shqiptarë ai do hipte në pemë që mos ta merrte turma me vehte. Pati të drejtë. Dhjetëra mijëra vetë mbërritën në Itali me anije plot e përplot me shtangje e mahnitje, plot me dridhje e mallëngjim. Çdo pikë e asaj turme të errët, çdo piksel i fotografive të saj kishte me vehte ëndrrën italiane. Po ta fotografojmë sot komunitetin shqiptar në Itali do të shihnim një kompozim të po atyre pikave, tani ama me ngjyra e plot gjallëri.

I parë nga larg është një portret gjigand. Flokët i valëviten në erë, të errëta si veshjet e gjysheve që pas çdo pushimi në Shqipëri na përcjellin nëpër porte e aeroporte duke gëlltitur lotët. Balli i lartë, plot rrudha djerse, i pjekur nga dielli i fushave italiane. Sytë e thellë, puse dhimbjeje pa fund të vajzave të rrëmbyera e të shkatërruara për një grusht para. Qepallat e fëmijëve, bij të atyre djemve që morën anijët në 91-shin e që kanë emra të zgjedhur posaçërisht për t'u lexuar njëlloj si në italisht edhe në shqip. Shikimi me pakëz sfidë anash. Mollëzat e hijshme të grave që çdo ditë kujdesen me përkushtim për të moshuarit italianë duke ua kthyer dëshirën për të jetuar. Linja e prerë e hundës e përkëdhelur nga drita e prozhektorëve kinematografikë. Goja që zbukuron notat e Verdit dhe Puçinit në teatrot e operave plot shkëlqim, ku kadifet vishnje thithin notat prej shekujsh. Zëri i ngjirur që rrëfen udhëtimin e natës me skaf. Qafa e harkuar e studenteve të përkulura mbi librat e mbi shënimet e marra me nxitim në orët e gjata të universitetit.

Shpatullat e gjera të djemve e burrave që dërrmohen në punë siç nuk e kishin përfytyruar kurrë; ata që e shohin diellin të lindë kur shkojnë në punë e nuk e shohin kur perëndon, të mbyllur në ndonjë bar të zbrazët përpara një birre. Krahët e gjatë e të poshtër të hajdutëve, keqbërësve e shitësve të drogës. Duart delikate të infermiereve dhe mjekëve që në çdo hap të hedhur nëpër spitalet italiane, mendja u shkon në spitalet e shkatërruara të Shqipërisë. Pëllëmbët e plasaritura e të përthara të muratorëve, karpentierëve dhe hamejve që çdo mëngjez presin në buzë të rrugës me shpresën e një dite pune më shumë. Gishtat e piktorëve që përkëdhelin telajot me nostalgji, të violinistëve në Sanremo, të artizanëve shkodranë që bëjnë maskat më të bukura të karnavaleve të Venecias. Muskujt plot harmoni të balerinëve, të veshur nga dritat e buta të studiove televizive. Këmbët e lodhura të atyre që e kalojnë ditën në Kuesturë në pritje të një cope letër të kaltër, të hollë e gati të tejdukshme, por që shënon kufirin ndërmjet një klandestini e një emigranti të rregullt.

Këmbët e forta të futbollistëve që në çdo gol i shoqëron brohoritja e Shqipërisë.
Sot porteti i shqiptarëve në Itali është një afresk i pafund, pa linja kufizuese. Aty-këtu ka hije e vezullime malli.


Irida Cami -Bota Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama