Zjarri në Zvërnec përfshin pyllin me pisha shumëvjeçare

26 Korrik 2026
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së dielës Pyllin e Sodës, pranë zonës së Petroliferës në Vlorë, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha shumëvjeçare dhe fidanë të rinj të mbjellë gjatë viteve të fundit.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, zjarri u raportua fillimisht si i menaxhueshëm, por brenda pak minutash flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke e bërë shumë të vështirë ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse.
Në terren ndodhen forcat e policisë dhe efektivët zjarrfikës, të cilët po punojnë për izolimin e vatrave, ndërsa rruga pranë zonës është bllokuar pjesërisht dhe qarkullimi i automjeteve kryhet vetëm në një korsi.
Dëshmitë nga vendngjarja flasin për një situatë alarmante, me dhjetëra e qindra pisha të përfshira nga flakët në atë që konsiderohet “mushkëria e qytetit” të Vlorës. Për shkak të drejtimit të erës, zjarri po avancon drejt lindjes, duke rrezikuar edhe banesat pranë zonës.
Sipas korrespondentit të SYRI, Gentian Këllçiu, nga vendi i ngjarjes janë ngritur dyshime se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Një tjetër pistë lidhet me djegien e mbeturinave dhe inerteve që hidhen prej kohësh në këtë zonë, ndërsa materiali i thatë dhe halat e pishave kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve.
Efektivët e zjarrfikëses po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të terrenit dhe erës së fortë, ndërsa në disa pjesë të pyllit zjarri është përhapur në disa vatra njëkohësisht.
