26 Korrik 2026

Edi Rama ka sulmuar përsëri protestuesit shqiptarë duke i etiketuar me epitetet “sorra dhe korba” që i vijnë poshtë penxheres dhe i kërkojnë dorëheqjen.

Me një postim në rrjetin social X, kryeministri duket se ka ndryshuar mendim ku shprehet se besën kërkon ta lidhë me flamingot e protestës dhe jo me ata që nuk i kanë dhënë votën, duke ndarë qytetarët në dy kampe.

Por edhe pse në shesh ka përfaqësues të të gjithë spektrit e fushave, madje edhe socialistë të pakënaqur, ai kujton sërish 800 mijë votat e majta që ka marrë me 83 mandatet, duke sfiduar sërish protestuesit, se mund të qëndrojnë në shesh me protesta deri në vitin 2029, kur janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Postimi i plotë i Edi Ramës:

“Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes ëhatsapit, nga miq a të panjohur, muhabete* sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment:

Përsërisin që s’duan “dialog”, s’ka “negociata”, s’japin “besë” po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh.

Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!

Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove.

Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve.

Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë.

Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike”.