Zgjedhja e Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese/ Presidenti Meta publikon SMS-të e diplomatit të huaj për Ramën

25 maji 2020

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka publikuar mesazhin e një diplomati në Tiranë në periudhën kur zgjidheshin anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas mesazhit të publikuar nga Presidenti në “Opinion” dhe i shpërndarë për mediat edhe nga Presidenca, diplomati thotë se Rama nuk do ta bllokojë kandidaturën e Marsida Xhaferllarit në listën tjetër për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, çka për Presidentin Meta tregon qartë ndikimin e kryeministrit në reformën në drejtësi.

Meta: Unë të dielën në darkë thirra me urgjencë përfaqësuesin e SHBA-së, BE-së dhe nja dy të tjerë, mora edhe Avokaten e Popullit, e cila është në të gjitha mbledhjet e KED-së me Kushtetutë dhe ligj, i monitoron për transparencën dhe çdo gjë. I thërras dhe u them shikoni situatën, ju kam dërguar edhe këtë letër. Ka ndodhur një gjë e rëndë, dje ka ndodhur një botim, kjo është e paligjshme, antikushtetuese, ua sqarova. Ata dëgjonin me shumë vëmendje, bënin ndonjë pyetje, por nuk i dinin gjërat shumë mirë, madje përfaqësuesi i BE-së tha se e kishin çuar edhe në Bruksel këtë gjë dhe do disa ditë të vijë një përgjigje. Unë u thashë se kjo nuk ka nevojë për Bruksel, sepse 1 është para 2 dhe 2 para 3 dhe kjo është e përcaktuar në Kushtetutë. Unë u thashë, ju lutem flisni me ata, sepse unë nuk dua përplasje, situata po vete shumë shqetësuese dhe unë s’mund të hesht, unë kam toleruar shumë gjëra, sepse ata nuk i kanë sjellë tamam sipas ligjit. U kam thënë edhe se i thoni, mos harroni që betimi i saj dhe i kujtdo tjetër bëhet në Presidencë, dhe unë nuk mund të pranoj që të bëj betimin e një personi që nuk është anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe që është aty si rezultat i një botimi mafioz.”

Blendi Fevziu: Çfarë është kjo se duket si mesazh privat?

Meta: Jo nuk është privat. Ky mesazhi këtu është për të kuptuar se si punojnë disa ndërkombëtarë në Tiranë me Reformën në Drejtësi. Ky është një diplomat, një njeri shumë korrekt që ka qenë në atë takim. Nuk e ka nisur në emrin e tij, e ka nisur në emrin e ambasadës së SHBA-ve dhe BE-së. ‘Mirëmëngjesi Beni’, thotë ditën tjetër ai, në darkë ishin në pritje dhe nuk i kishin të qarta si e tek. ‘Takova, thotë, kolegët e mi amerikanë dhe të BE-së këtë mëngjes, folëm me Ramën në telefon, dhe zyrat ligjore të këtyre të dyjave, (SHBA-BE), nuk e mbështesin pozicionin e Presidentit për pezullimin’, gjë të cilën nuk ma thanë mua ata në darkë. ‘Dhe ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues. Dhe ata do të dalin sot publikisht, edhe kemi rënë dakord që ta themi para’, që të mos i bjerë të fikët Presidentit, kur të dalin ata të mos i bjerë të fikët. Tani shikoje, ‘Rama, thonë ata, megjithatë ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën e Presidentit për tjetrën, që do të bëhet shumë shpejt. Dhe Rama do të përpiqet të mos bllokojë këtë’. Pra është Rama që i bllokon, nuk është KED-ja që i filtron kandidatët. Tani më thuaj mua ti, morën një përgjigje që besoj e ka transmetuar. Ky është mesazhi i një diplomati që ishte në takim në darkë, që është shumë korrekt, që s’ka asnjë përgjegjësi, sepse ia kanë kërkuar përcille ti këtë mesazh, por aty është qëndrimi i tyre, një qëndrim skandaloz, i turpshëm, antikushtetues, tërësisht politik dhe tërësisht në shërbim të Edi Ramës. Nuk ka lidhje Amerika, janë lojëra që bëjnë ekspertë këtu që bëjnë lojën e Edi Ramës. Prandaj jemi këtu ku jemi.

Teksti i Mesazhit:

‘Mirëmëngjesi Beni. Takova kolegët e mi amerikanë dhe të BE-së këtë mëngjes, folëm me Ramën në telefon, dhe zyrat ligjore të këtyre të dyjave, (SHBA-BE), nuk e mbështesin pozicionin e Presidentit për pezullimin. Ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues. Dhe ata do të dalin sot publikisht, edhe kemi rënë dakord që ta themi para.

Sidoqoftë, Rama ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën tjetër të Presidentit, që do të bëhet shumë shpejt. Rama do të përpiqet të mos e bllokojë këtë. Përsëri më kërkuan që t’ua përcjell këtë mesazh.

Gazeta Panorama