porti-i-durresit

14 Shtator 2026

41 kilogramë e 350 gramë kokainë janë sekuestruar në Portin e Durrësit, në një kontejner të ardhur nga Brazili. Lënda narkotike, me një vlerë të përllogaritur në rreth 2 milionë euro, ishte fshehur në pjesën e jashtme të kontejnerit që transportonte mish pule.

Gjatë kontrollit të kontejnerit, policia gjeti 37 paketime me kokainë në kapakët e jashtëm të tij

Rasti u zbulua në kuadër të operacionit “Anchor 3”, ndërsa është hera e tretë brenda një muaji që autoritetet kapin lëndë narkotike që tentohet të futet në Shqipëri përmes Portit të Durrësit.

Njoftimi i plotë i policisë:

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 3”, sekuestrohen 41 kg e 350 gramë kokainë, me vlerë tregu rreth 2 milionë euro.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit, në kuadër të hetimeve për një rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

Në Portin e Durrësit, shërbimet e Policisë kryen kontroll të imtësishëm në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule.

Gjatë kontrollit të kontejnerit, në kapakët e jashtëm të tij u konstatuan 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Sasia totale e lëndës së dyshuar narkotike rezultoi 41 kg e 350 gramë, ndërsa vlera e saj përllogaritet rreth 2 milionë euro.

Strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.