Zaevi pranon dekoratë nga princi mashtrues malazez. –

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev para dy ditëve e ka pritur princin e rremë të Malit të Zi, Stefan Çernetiq, nga i cili madje ka marrë edhe një dekoratë.

Përveç takimit zyrtar, Çerneteqi i ka dhuruar dekoratë, ndërsa fotografi nga dekorimi “princi” publikoi në profilin e tij në Facebook, ku shpjegon se ka qenë i pritur zyrtarisht nga kryeministri.

Vitin e kaluar, Çernetiqi u arrestua në Itali së bashku me një person tjetër, sepse vetvetes i kishin dhënë tituj të rremë dhe kanë organizuar gala-pritje ku kanë ndarë mirënjohje.

Ndryshe, Mali i Zi që në vitin 2016 e ka informuar Italinë se Çernetiqi rrejshëm prezantohet si princ i Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Nga Qeveria në Shkup tani për tani nuk e konfirmojnë informacionin. Shkurt u përgjigjën se janë duke kontrolluar nëse ka pasur një takim të tillë.

Sipas mediave, Çernetiq plot 6 vjet e ka gënjyer opinionin me sukses se është princ i Malit të Zi dhe Maqedonisë, ndërkaq në fakt është gazetar dhe kritik gastronomik.

Ai ka thënë se vjen nga lozha Çernetiq dhe se përskaj Malit të Zi dhe Maqedonisë punon edhe në Serbi, Shqipëri, Vojvodinë, por edhe në Konstantinopol, Romani dhe në Greqi.

Në Facebook ka vendosur fotografi nga letrat prej Donald Trump, por edhe orë që ka thënë se ia ka dhënë dhuratë Vlladimir Putin. Gjithashtu, ai ka thënë se është pronar i një numër të madh të pronave të patundshme ku familje e tij ka sunduar.
Në grackën e Çernetiq kanë rënë, shumë diplomatë, persona të njohur dhe biznesmenë nga e tërë bota. Në mesin e tyre janë edhe aktorja Pamela Anderson, të cilës ia ka “ndarë” çmimin artificial “konteshë”, por dhe ylli i tenisit, Novak Gjokoviq.

Në vitin 2015, Pamela Anderson është gjunjëzuar përpara Çernetiqit, i cili ka mbajtur në duar shpatë, dhe i është drejtuar me “lartmadhëria juaj”, derisa monarku i vetëshpallur i ka “ndarë” titullin “konteshë”. Pasi që është “shpallur” konteshë, në vitin 2015, Pamela Anderson e ka ndarë gëzimin e saj në Instagram, duke thënë “Santa Margerita, Italia, Konteshë”.

Princi i rrejshëm u zbulua kur bëri llogari të madhe në një nga restorantet më elitare në Fusina dhe kur menaxheri i restorantit faturën ia ka dërguar Ambasadës së Maqedonisë në Itali.

Në korrik të vitit të kaluar policia italiane kumtoi se e ka arrestuar, Stefan Çernetiqin, i cili është vetëshpallur princ i Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe një person i cili është paraqitur si ambasador i Maqedonisë në Itali. Të dy janë arrestuar gjersa kanë udhëtuar në Itali me veturë “Mercedes” me flamuj të Malit të Zi dhe emblemat e korit diplomatik, kanë ofruar bashkëpunime ekonomike, kulturore, ndërfetare etj., mes Malit të Zi dhe Italisë.

Sipas mediave italiane dhe të malit të zi, arsyeja kryesore për padi kundër Çernetiqit ka qenë llogaria në një vilë luksoze në Apulia që e ka dorëzuar në Ambasadën e Maqedonisë.

I dyshuari tjetër S.S. është shtetas italian i cili ka udhëtuar me të dhe është paraqitur si ambasador i Maqedonisë në Itali. Ai më parë ka qenë i akuzuar për paraqitje të rrejshme. Në vitin 2016 dy persona, si princ dhe ambasador, i kanë kaluar 7 ditë në një vilë në Apulia, pa paguar asgjë.