30 Korrik 2023

Gjashtë vjet pas zbulimit të tij në Kinë, virusi alongshan (ALSV) i cili bartet nga rriqrat, tani është përhapur në pjesën më të madhe të Europës. Në këtë përfundim dalin ekspertët gjermanë. Qendra për Mjekësinë e Udhëtimit (CRM) në Dyseldorf të Gjermanisë, deklaroi:

Virusi, i cili nuk është i lidhur me ndonjë sëmundje serioze te njerëzit, është gjetur te rriqrat në Finlandë, Francë, Rusi, Zvicër e tani edhe në Gjermani.

Në Universitetin e Mjekësisë Veterinare (TIHO) në qytetin verior gjerman të Hanoverit, studiuesit gjetën prova të transmetimit të ALSV-së nëpërmjet rriqrave te kafshët si dreri, në landin veriperëndimor të Saksonisë së Poshtme në Gjermani.

Pas publikimit të një studimi përkatës në revistën shkencore “Microorganisms”, drejtori shkencor i CRM-së, Qendrës për Mjekësinë e Udhëtimit, Tomas Jelinek, theksoi:Zonat e shpërndarjes së shumë llojeve vendase të rriqrave janë zgjeruar ndjeshëm në vitet e fundit. Nga dimrat e butë dhe sezonet e verës më të nxehtë po përfitojnë araknidet.

Araknidet bëjnë pjesë në grupin e artropodeve. Në këtë grup futen merimangat, akrepat dhe rriqrat apo këpushat. Ato jetojnë në tokë e kryesisht në vende të nxehta dhe më gurë. Megjithatë gjenden dhe në vende të banuara nga njerëzit. Kanë katër çifte këmbësh e marrin frymë me mushkëri lëkurore. Për vetëmbrojtje kanë helm.

Megjithatë, ALSV aktualisht nuk është shoqëruar me ndonjë gjë më të rëndë se simptoma të ngjashme me gripin. Sëmundja më e zakonshme që transmetohet nga rriqrat në Europë është ajo Lyme, e cila mund të trajtohet me antibiotikë që në fazat e hershme.

Meningoencefaliti i hershëm i verës (FSME) është gjithashtu veçanërisht i përhapur në shumë zona, por mund të bëhet vaksinë për t’u mbrojtur.