Virusi i Nilit Perëndimor edhe në Shqipëri/ Agjencia evropiane: Duhen rritur kapacitet për luftimin e mushkonjave

22 Gusht 2026
Dymbëdhjetë vende evropiane raportojnë infeksione me virusin e Nilit Perëndimor, dukshëm më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Llojet invazive të mushkonjave po nxisin përhapjen e këtij shkaktari të sëmundjes.
Virusi i Nilit Perëndimor, i cili transmetohet nga mushkonjat, po vazhdon të përhapet në Evropë. Që nga fillimi i vitit, 12 vende evropiane kanë raportuar raste të transmetuara në vend, njofton Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Krahas Gjermanisë, Francës dhe Austrisë, sipas të dhënave, janë prekur edhe Shqipëria, Greqia, Italia, Holanda, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Kosova dhe Spanja.
Sipas ECDC-së, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Itali, me 311 infeksione, e ndjekur nga Greqia me 157 infeksione. Në total, në Evropë janë prekur 99 rajone, ndërsa në 21 rajone virusi i Nilit Perëndimor është shfaqur për herë të parë.
Për krahasim, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar vetëm 9 vende evropiane kishin raportuar infeksione dhe në total ishin prekur 67 rajone.
Shumica e infeksioneve me virusin e Nilit Perëndimor në Evropë ndodhin gjatë sezonit të mushkonjave, nga pranvera deri në vjeshtë. Kulmi i transmetimit është midis korrikut dhe shtatorit.
Edhe llojet invazive të mushkonjave kontribuojnë në përhapjen e virusit. Për këtë arsye, Evropa duhet të rrisë kapacitetet për luftimin dhe kontrollin e mushkonjave, deklaroi ECDC. Për këtë nevojitet bashkëpunim ndërmjet vendeve dhe një “qasje e integruar”. Kjo përfshin monitorimin e popullatave të mushkonjave, përfshirjen e qytetarëve dhe “zgjidhje të synuara për kontrollin e mushkonjave, duke marrë parasysh ndikimin në mjedis”.
Virusi i Nilit Perëndimor u zbulua për herë të parë në vitin 1937, në rajonin e Nilit Perëndimor në Ugandë.
Një pjesë e madhe e infeksioneve kalojnë pa simptoma ose me simptoma të lehta, prandaj vetëm një pjesë e vogël e rasteve regjistrohet.
Kur sëmundja shfaqet, personat e infektuar mund të zhvillojnë simptoma të ngjashme me gripin, si dridhje dhe temperaturë. Në raste të rënda, pacientët mund të bien edhe në komë.
Nëpërmjet qarkullimit të gjakut, virusi mund të arrijë edhe në tru dhe të shkaktojë meningjit (inflamacion të cipave të trurit) kërcënues për jetën.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH/WHO), nuk ekziston asnjë vaksinë e miratuar për njerëzit dhe as ndonjë trajtim specifik kundër virusit.
