Foto-montazh

7 Tetor 2022

U deshën pak vite që Erion Veliaj të hiqte dorë nga ëndrrat e tij për një Shqipëri më të mirë. Në pak vite të drejtimit të Tiranës ai bëri pikërisht dhe vetëm të kundërtën e atyre të cilëve ai betohej dhe përbetohej në çdo ekran. Betonizim, plehra dhe korrupsion, janë kryefjalë e akuzave publike dhe jo vetëm që rëndojnë ndaj tij, dhe e vetmja përgjigje që ai di është: Fajin e kanë mediat.

“Tirana sot është shumë më e madhe. Ka shumë njerëz që me pak inkurajim mund të shkojnë të jetojnë në fshat. Jo vetëm Tirana e sotme por edhe Farka e sotme është e mbindërtuar. Unë besoj se edhe Kashari i sotëm është i mbindërtuar. Do të inkurajojmë ndërtime sa më larg Tiranës së mbindërtuar sot”.

Kjo është një deklaratë, ose e thënë më drejtë, një nga angazhimet kryesore të deklaruara prej Erion Veliajt kur kërkonte mandatin e parë për kryetar të bashkisë së Tiranës.

Por shumë shpejt fjalët i mori era, dhe jo vetëm.

Qendra e Tiranës u ngarkua edhe më shumë me ndërtime, të njëjtin fat pësoi Farka dhe zona të tjera iu nënshtruan betonizimit, ndryshe nga çfarë proklamonte Veliaj.

Por pas dy mandateve si Kryebashkiak ai duket se e ka të vështirë t’i kujtojë deklaratat dhe premtimet e tij boshe, dhe tashmë kërkon sërish votën, madje tani është edhe më i shqetësuar pasi vitin e ardhshëm do të ketë kandidat përballë, ndryshe nga votimi pa garë që ofruan socialistët më 30 qershor të 3 vite më parë.

E në këtë situatë, më shumë përgjigje për këtë rast jep tektsi i Devis Xherahut.

“Tjetër bën e tjetër thua.”

Madje sesa kënaqen votuesit kur mashtrohen nga premtimet që nuk mbahen e shohim shumë mirë në ironinë e shprehur në realizimin kinematografik të periudhës së realizimit komunist: “I teti në bronz”.

“Edhe fëmijët qeshin dhe këndojnë kur vjen zotërote”.

E në fakt nëse harresa e premtimeve do të ketë efekt kjo do të vendoset në zgjedhjet, datën e së cilës së shpejti do ta lajmërojë presidenti Bajram Begaj.

Por një tjetër shqetësim i Veliajt mbeten mediat kritike.

Me një sulm të përqendruar, Kryebashkiaku është angazhuar të shantazhojë gazetarët, duke mos nguruar të flasë edhe drejtëpërdrejtë për Lapsin, Ora News dhe Jeta është Qejf.

Por sa do të ketë efekt një veprim i tillë, në fakt të detyruar ti përgjigjemi këtij shantazhi të ulët me interpretimin e të madhit Kadri Roshi.

“Më puth njëherë këtu në prapanicë!”

Nga OraNews