Arjan Dyrmishi

Universiteti “Luarasi”, diskutime për çështjet e sigurisë në vend. – Gjykatat janë institucionet më pak të besuara dhe më të korruptuarat

5 Shkurt 2022

Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit i Universitetit “Luarasi” ftoi Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, për të diskutuar publikimin e tyre të fundit në lidhje me barometrin për sigurinë në Shqipëri.

“Barometri për sigurinë në Shqipëri sjell realisht shqetësimet e qytetarëve nëpërmjet matjes së qëndrimeve dhe perceptimeve të tyre”, shprehet asoc. dr. Indrit Baholli.

Arjan Dyrmishi, drejtor i kësaj qendre thotë se bëhet fjalë për një dokument me shumë vlerë, profesional e që duhet t’u shërbejë fort politkëbërësve.”Qëllimi është për t’u shërbyer politikëbërësve në hartimin e politikave, si dhe në vlerësimin dhe zbatimin e tyre, por edhe që vetë qytetarët të shikojnë se cili është mendimi i tyre lidhur me këto çështje, por edhe shërben për t’i analizuar në një optikë më të plotë ato që quhen ngjarje të bujshme nga pikëpamja mediatike.

Dobësia qëndron që nuk ka një vazhdimësi të qëndrimit, qoftë të politikave qoftë edhe të zbatimit të tyre në mënyrë konstante”, u shpreh Arjan Dyrmyshi, drejtor ekzekutiv dhe themelues i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes. Sipas studimet, rezulton se Forcat e Armatosura janë institucioni më i besuar i sigurisë dhe perceptohen si institucioni më i pavarur nga ndikimi politik.

Ndërsa besimi tek institucionet e drejtësisë është ndër më të ulëtat. Gjykatat janë institucionet më pak të besuara dhe më të korruptuarat në vend, duke u pasuar më tej nga Prokuroria.

Ndërsa SPAK-u me 37.4% është institucioni më i besuar i drejtësisë. Sa i takon perceptimit mbi korrupsionin vetëm një në katër shqiptarë besojnë tek organet kundër korrupsionit. Rezultatet e anketës tregojnë se shumica e qytetarëve shqiptarë kanë besim të ulët te pjesa më e madhe e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

“Unë mendoj se shumica e shqiptarëve nuk tentojnë që të afrohen pranë institucioneve të sigurisë për të zgjidhur problemet e tyre, pasi ekziston ajo mendësi që shqiptarët mendojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Barometri për sigurinë tregon po të njëjtën situatë”, shprehet për “News 24” dr. Hergis Jica, pedagog në Universitetin “Luarasi”.

Gjatë diskutimeve në Universitetin “Luarasi” ku morën pjesë edhe studentë, u vu theksi se në një sistem demokratik, reflektimi i qëndrimeve dhe opinioneve të qytetarëve është domosdoshmëri për hartimin e politikave të sigurisë, ashtu edhe për vlerësimin e zbatimit e tyre. Gjetjet e barometrit për sigurinë në Shqipëri 2021 do i prezantohen edhe Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.

Gazeta Panorama