“U zhdukët, menduat iku ky. – Votat i kam unë, pa mua jeni një m..t”! Dalin detaje nga Asambleja e PS: “Tirana, e humbur nëse votohet sot”

Edi Rama
14 Nëntor 2026.
Rama: … “Jam më i madh se partia, pa mua jeni një m..t!”…
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste e zhvilluar këtë të shtunë me dyer të mbyllura ka qenë shumë më e tensionuar nga sa u paraqit publikisht pas përfundimit të saj.
Sipas faqes Vox News Rama ka zhvilluar një nga fjalimet më të ashpra ndaj deputetëve dhe drejtuesve socialistë, duke kombinuar kritikat me një fjalor që ka kaluar në fyerje të drejtpërdrejta.
“Më të vjetrit në PS, ku ishit ju kur Tirana u dogj..? Menduat se mbarova!”, “U zhdukët sepse menduat: iku ky…” “Ju keni vetëm logon, votat i kam unë”. “Jeni të padobishëm”, “Jam më i madh se partia, pa mua jeni një m..t!” – kanë qenë disa nga shprehjet e tij.
Burimet e Vox News e përshkruajnë sallën në këtë moment si të ngrirë, me shumë pak reagime nga të pranishmit.
Në një moment ish-deputeti socialist Pandeli Majko është ngritur në këmbë:
“Dua të them diçka që ju s’keni asnjëri guxim ta thoni, por të gjithë e mendoni: Tiranën e kemi të humbur. Nëse bëhen zgjedhje sot, ne nuk fitojmë!” – ka thënë Majko. Sipas të njëjtave burime, Rama e ka ndërprerë Majkon dhe nuk e ka lejuar ta vijojë më tej ndërhyrjen e tij.
Por jo të gjithë u vunë në shënjestër. Sipas informacionit të Vox News, Taulant Balla, Belinda Balluku, Niko Peleshi, Albana Koçiu, Ervin Demo ishin ndër të paktët emra që i shpëtuan fjalorit të rëndë që iu drejtua pjesës tjetër të sallës.
“Ju bëhet qejfi kur në Instagram dhe Facebook shahet Taulant Balla”, mësohet të jetë shprehur ai.
Veçanërisht e fortë ka qenë mbështetja për Albana Koçiun. Rama e ka prezantuar atë me tone aq të forta sa, sipas burimeve, deklarata e tij ka shkaktuar habi në sallë: “Albana është kryetarja që Tirana ka nevojë sot.”
Rama u ka kërkuar të pranishmëve që diskutimet e brendshme të mos dilnin jashtë.
“Kur të dilni nga kjo mbledhje, s’do tregoni asgjë çfarë u fol këtu”, mësohet tu ketë thënë Rama. “Do thoni vetëm se këtu ndezëm motorët për zgjedhjet bashkiake, dhe se do ta çojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian”.
Sipas një deputeti të pranishëm në mbledhje, kjo ishte “një nga mbledhjet më të turpshme të Asamblesë së PS”.
Nga: Gazeta Sot
