9 Shkurt 2026

Pedagogu dhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e arsimit të lartë në hapësirën shqiptare, duke e cilësuar atë si të banalizuar dhe të zhveshur nga përmbajtja shkencore.

Në një postim në rrjetet sociale, Muka thekson se kombi shqiptar prodhon gjithnjë e më shumë universitete, por me shumë pak shkencë dhe kërkim. Ai sjell në vëmendje faktin se Kosova dhe Shqipëria së bashku kanë rreth 80 universitete dhe kolegje, mbi 70% e të cilave janë private, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet debat publik nëse 18 universitete janë të tepërta për vendin.

Për krahasim, Muka përmend Holandën, një nga vendet më inovative në botë, e cila me mbi 18 milionë banorë ka rreth 50 universitete, ku shumica dërrmuese janë publike dhe të orientuara drejt kërkimit shkencor dhe shkencës së aplikuar.

Sipas tij, kjo situatë përbën një shenjë të qartë të banalizimit intelektual në shoqërinë shqiptare, ku arsimi i lartë është trajtuar si një treg titujsh dhe diplomash, e jo si institucion i dijes. Ai nënvizon mungesën e kërkimit shkencor dhe inovacionit si një problem thelbësor.

Muka paralajmëron se pasojat e këtij modeli janë të rënda: largimi i të rinjve nga vendi, një ekonomi jo konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe një shoqëri që mbështetet vazhdimisht te ekspertiza e huaj, të cilën ai e quan një “pushtim modern”.

Postimi i plotë:

Pse po banalizohet dija shqiptare?

Kombi shqiptar prodhon më shumë universitete, edhe pse me pak shkencë. Në Maqedoninë e Veriut qeveria ka hapur një debat nëse 18 universitete për Maqedoninë janë shumë, ndërkohë që Kosova dhe Shqipëria së bashku kanë rreth 80 universitete/kolegje, ku mbi 70% janë private.

Për krahasim, Holanda që ka mbi 18 million banorë dhe renditet ndër vendet më inovative në botë ka ~50 universitete (14 universitete shkencore dhe 36 universitete të shkencës së aplikuar), pothuajse të gjitha publike.

Kjo është shenjë e një banalizimi intelektual në hapësirën shqiptare: arsimi i lartë është trajtuar si treg titujsh dhe diplomash, jo si institucion i dijes, pa përmbajtje, pa kërkim shkencor dhe aq më pak inovacion. Pasojat janë të mëdha: rini që largohet, një ekonomi jo konkuruese në arenën ndërkombëtare dhe një shoqëri që shikon gjithmonë drejt ekspertizës së huaj! Pra një pushtim modern!

Sot është urgjente një riformatim i thellë i universiteteve shqiptare dhe kthimi i tyre te cilësia, kërkimi shkencor dhe inovacioni, në mënyrë që të ndërtojmë një shoqëri moderne dhe industriale.
PS: Foto dhe të dhënat të marra nga I. Zeqiri

Image