U mbars mali e polli një draft

– 22/11/20

Përpjekja për t’i bërë një analizë teksti, mesazhit të Edi Ramës dje, është në vetvete një kohë e çuar dëm.

Jo vetëm se nuk ka më të reja në retorikën e tij, edhe pse mori 48 orë orë kohë, po edhe sepse nuk ja vlen të ushqehet strategjia që ndjek prej kohësh, me idenë; më shihni mua, jo çfarë po ndodh.

Ai vetë pat thënë dikur, se kur ka një fjalim të rëndësishëm, mbyllet ca orë të mira brenda në shtëpi.

 Po produkti i djeshëm, ishte shumë larg pritshmërisë, edhe për ata që ende kanë shpresë se Odiseu po i udhëheq si duhet drejt Itakës.

Itaka me ç’rast është mandati i tretë për rilindasit, dhe aspak një vend i mirë, a një atdhe më i begatë për të gjithë.

Kush po priste që Rama të ishte llogaridhënës për denoncimin e fortë të kreut të Opozitës, se qeveria manipulon numrat e të vdekurve nga kovidi, çka ai deklaroi se ishte arsyeja pse u kyç në qelë me penë në dorë, me siguri nuk është rrahur sa duhet nga qeverisja e Ramës në këto 7 vite e më tepër, ku kryeministri asnjë ditë nuk ka reflektuar, nuk është shpjeguar e nuk ka mbajtur përgjegjësi, nuk ka pranuar faje e gabime, e aq më shumë nuk ka kërkuar falje.

Nuk e bën Rama atë, edhe pse ja lehtësoi deri diku këtë të tatëpjetë, drejtori i mjekësisë ligjore, i cili konfirmoi se në morg ka shumë ngarkesë, dhe shpesh trupat lihen në dysheme. Pra konfirmoi fotot që çmeritën të madh e të vogël, e më së shumti shefin e madh.

Çfarë ngelet, është shtegu që ka marrë gjithnjë.

Të luajë me emocionet e njerëzve, dhe të nxisë sulmin ndaj kundërshtarit.

Po publiku është mpirë tashmë nga kjo gjendja që po zgjat, është lodhur, është dërrmuar nga pandemia që, edhe nëse në rastin më të mirë, nuk i ka prekur shëndetin, i ka prekur kuletën, ekonominë e psikologjinë.

Nuk ka më spektatorë për cirkun e Ramës.

Tek fushata ndaj opozitës, kryeministri nuk zhgenjeu as kësaj radhe, vetëm se tradhëtoi veten.

Pak ditë më parë, u shpreh se nuk është ai që e akuzon Bashën për dosjen dhe aktakuzën ndaj udhëheqësve të UÇK, duke theksuar se kreut të PD i takon të sqarohet.

Por mbrëmë doli haptazi, jo se njerëzit nuk e dinin, se është pikërisht ai pas çdo helmi e shigjete që hidhet ndaj liderit të Opozitës.

Duke i marrë e renditur një e nga një të gjitha akuzat.

Madje duke risjellë edhe ato të vjetrat, të vdekurat kauza, si zbulimet e Mother Jones, apo 21 janari. Përmendi kasetën e Krushës, edhe pse tashmë, zëri i parë i saj, dëshmitari Melaim, nuk e ka më me Bashën, po me mikun e kryeministrit.

Në krye të 48 orëve, Edi Rama nuk ja doli as të sajojë akuza të reja.

Ricikloi të vjetrat, dhe ato me fjalor shumë të përdorur.

Ena është zbrazur, nuk ka më çtë nxjerrë sado ta përziesh.

U mbars mali e polli një draft. Draft mbi të cilin do të ecin e harbojnë në ditët në vijim intelektualët e rilindjes të tipit T.Balla dhe mediat e qeverisë.

Gazeta Mapo