17 Qershor 2023

Qindra qytetarë kanë dalë ditën e djeshme në një protestë para Kryeministrisë në mbështetje të Kosovës. Me flamuj kuqezi por edhe të UÇK-së, qytetarët shqiptarë janë mbledhur para kryeministrisë, për të kërkuar që qeveria jonë të mbështesë Kosovën në tensionet me Serbinë.

Më fjalët “As Jug as Veri, Mitrovica është Shqipëri”, ata i kanë bërë thirrje qeverisë që të mbështes Kosovën dhe të mos e lërë vetëm. Në protestë ka pasur edhe nga ata qytetarë që kanë theksuar se janë të gatshëm të shkojnë të mbrojnë Mitrovicën, nëse armatosen.

Protestës i është bashkuar edhe aktivisti Sazan Guri, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të ulet me Albin Kurtin dhe të diskutojnë në lidhje me ngjarjen. 

Kjo protestë ka ardhur edhe pas bojkotimit të mbledhjes së përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cila u anulua nga kryeministri Edi Rama disa ora para se të mbahej. 

“Unë kam një thirrje për kryeministrin, SHBA dhe BE: Jepuni shqiptarëve dhe kosovarëve armët siç i ka dhënë rusi dhe kinezi Serbisë dhe ti marrin ushtarët e EULEX dhe ata që rrihen si gomerë në veri. E mbrojmë vetë Kosovën. Nëse Kosova ishte nën pushtimin serbo sllav tani kërkojnë ta kenë nën pushtimin evropian dhe amerikan. Rama të mos bëjë strucin në rërë, të dalë dhe të thotë është më vëllezërit kosovarë apo me serbët. Kosovarët janë në trevat e tyre shekullore. –

Të na japin armët dhe ne e mbrojmë vetëm Mitrovicën”, tha qytetari. “I lutem kryeministrit shqiptar të mbështesë pa kushte Albin Kurtin, o sot o kurrë. Ne me sllavët po të njëjtin problem kemi. I lutemi kryeministrit të shkëputet nga marrëdhëniet me sllavët, të mbështesë qeverinë e Kosovës pa kushte. Duhet ta mbështesë Albin Kurtin”, tha një tjetër qytetar.

Gazeta Sot