“Tepsia për vete” – me punësimet në burgje… Në rrjetën e përgjimeve Manja, Spahiu, Gjylameti e Sterkaj.-

– 14.01.2019

Gazeta Shqiptare.

Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko ekspozojnë farsën e konkurseve publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.

Më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze. Çuko, i cili ndodhej nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohon në bisedë se e kishte firmosur punësimin më herët atë ditë.

“Fola me zonjën Bizhga para gjysmë orë dhe i thashë se u fut Vitjona në punë,” citohet të pohojë ai në transkriptin e zbardhur.

Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes një duzine përgjimesh dhe mesazhesh të shkëmbyera tregojnë se telefonata të ngjashme mbi punësimet apo transferimet e punonjësve në sistemin e burgjeve ishin pjesë e rutinës së përditshme të punës së ish-drejtorit Arben Çuko.

Zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe të zgjedhur vendorë janë përgjuar ndërsa shëmbenin trafik influence dhe kërkonin favore për punësime apo transferime nisur nga lidhjet partiake apo personale, dhe jo mbi bazën e meritës.

Përgjimet ekspozojnë gjithashtu se si një konkurs për rekrutime masive në policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për militantët socialistë apo njerëzit e lidhur me pushtetin-një fenomen ky i përhapur në administratën publike në Shqipëri.

Arben Çuko, një ish-komandant i Gardës së Republikës dhe ish-deputet i Partisë Socialiste u ngjit në krye të Burgjeve në korrik të vitit 2017, por vetëm disa muaj më pas u përfshi në hetimet e Prokurorisë, për shkak të komunikimeve të tij telefonike me anëtarët e një grupi kriminal për transferimin e një të dënuari.

Ai u shkarkua nga detyra pa mbushur ende vitin dhe në tetor 2018 u arrestua për korrupsion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Çuko i ka mohuar akuzat dhe ndodhet aktualisht në arrest shtëpie.

Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmoi se procedurat e punësimeve në Burgje janë në proces hetimi. Një drejtues i çështjes u rezervua megjithatë të komentonte nëse ishin marrë në pyetje persona të dyshuar për ushtrim ndikimi të paligjshëm.

Drejtoresha e kabinetit të kryeministrit, Vali Bizhga pranoi bisedën telefonike gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ndërsa shpjegoi se kishte ndërmjetësuar për rastin pas një kërkese për ndihmë nga motrat e Nënë Terezës. Thëniet e saj u konfirmuan edhe nga Motër Tereza Maria e misionit me qendër në Tiranë, e cila pohoi se i kishte transmetuar Bizhgës një kërkesë për ndihmë gjatë një takimi në Kryeministri, të cilin e quajti privat.

Zyra e shtypit e Kryeministrit nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi ndërhyrjet për punësime në burgje deri në botimin e këtij shkrimi. …