8 Maji 2023

Kryeministri Edi Rama ka debatuar me analistin Enton Abilekaj në emisionin “Të Paekspozuarit”, lidhur me artistët që mbështetën në fushatë Erion Veliajn, ndërkohë që shumë prej tyre ishin paguar nga Bashkia e Tiranës për koncerte dhe aktivitete të ndryshme.

Rama e quajti një praktikë normale që ndodh në të gjithë vendet e botës, ndërkohë që u “përplas” me analistin, i cili e konsideroi një fushatë propagande nga Erion Veliaj që po shfrytëzon fondet publike për interesat e tij elektorale.

Edi Rama: Shumë më pak se cdo kryeqytet të botës, edhe Bashkia e Tiranës jep fonde për të bërë një koncert. Ky që e bën këtë koncert, është këngëtar dhe mbush sheshin me gjithë rininë. Pse nuk i meriton? Si në të gjithë planetin. Unë lexoj letrat dhe dokumentat që media ose nuk i lexon, ose i lexon përgjysëm. Kjo është të kesh dy, një ta mbash dhe një ta çash. Këngëtari vjen, paguhet nga Bashkia, vjen dhe mbjell një pemë. Ky është korrupsion? Meqë dha lekët bashkia, ku të mos mbjellë pemë?

Enton Abilekaj: Bëjnë edhe fushatën e kryetarit të Bashkisë. Pse sponsoirizon këto dhe jo një festival të muzikës së lehtë? Janë taksat tona që i bën rrushë e kumbulla.

Edi Rama: Mos ta banalizojmë. Unë flas në parim. Pse nuk e shihni ndryshe, duke thirrur Noizyn për të mbjellë pemë, sensibilizohen lidhur me mjedisin.

Enton Abilekaj: Këto janë dhënë për kulturën, apo për per?

Edi Rama: Më fal, a nuk ju vjen zor juve që e keni nxjerrë këtu dhe në këtë bisedë, fusni dy njerëz që janë krenari kombëtare? Si mund ta dyshoni ju për një sekondë të vetme që Ermal Meta e bëjnë këtë gjë sepse e besojnë. Ata besojnë se lali Eri është personi që duhet mbështetur. Është e shëmtuar, është e ulët.

Enton Abilekaj: Pse po flet Rita Ora për Bashkinë e Tiranës? Ajo nuk ka folur më parë. Nëse është e angazhuar si këngëtare, mund të kishte folur. Pse angazhohet sot?

Edi Rama: Rita Ora ka financuar pas tërmetit. Dua Lipa ka financuar pas tërmetit.

Enton Abilekaj: Me paratë tona publike bëhet ky pr. Kjo ka të bëjë me parimin e rekrutimit. Është rekrutim i pastër.

Edi Rama: Pse nuk e mendon ti që këta njerëz e duan dhe besojnë këtë njeri?

Enton Abilekaj: Ku kanë qenë deri tani?

Edi Rama: Ata nuk janë analistë. Për cfarë të flisnin këta?

Gazeta Sot