27 Shtator 2023

Në një postim të bërë pak minuta më parë në Facebook, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla bën me dije se një nga personat e vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Kosovës, që ishte pjesëmarrës i sulmit, është ish-truproja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandër  Vulin.

Ministri akuzon Serbinë si të përfshirë në sulmin terrorist ndaj Policisë me qëllim destabilizimin e Kosovës. Sipas ministrit, faktet janë dëshmi se synimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak që nga koha e Millosheviçit.

“Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiç në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, shkruan Zveçla në Facebook.

Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviçit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë.

Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qëndresën e Policisë së Kosovës atë ditë  dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin  nuk është lënduar lënduar asnjë civil”, shkruan Zveçla.

Gazeta Dita