Spartak Ngjela: – Gabimi historik i gjykatës së Kosovës, goditi stabilitetin për të ndihmuar korrupsionin

29/05/2020

Nga Spartak Ngjela 

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, bëri një gabim historik: goditi stabilitetin e shtetit të Kosovës, për të ndihmuar korrupsionin e lartë shtetëror.

Por nga kjo përfiton drejtpërsëdrejti Moska dhe Beogradi.

Janë naivë: ku mund të privohet një maxhorancë popullore me një vendim gjykate që nuk thotë dot asgjë teorike!!!

Por, a do ta lejojë shumica popullore të funksionojë një Parlament që ecën me paterica korruptive të pakicës popullore? Kurrë; se një shtet demokratik nuk privohet dot nga pushteti politik maxhoranca popullore.

Kjo do të ndodhë dhe në Kosovë. Sepse, nëse masa kompakte popullore e rrethon Kuvendin e Kosovës që në mbledhjen e parë të tij, të nesërmen do të shkohet domosdoshmërisht në zgjedhje të reja. Çdo krizë në demokraci, sheshohet ose me kompromis, ose me zgjedhje.

Bllokimi i mundshëm i Kuvendit të Kosovës nga populli maxhoritar, do ta çojë gjendjen në zgjedhje të reja.

Po Gjykata Kushtetuese e Kosovës që e solli këtë gjendje destabilizuese? Vendimi i saj joprofesional quhet në të drejtën penale: condicio sine qua non – kushti pa të cilin – domethënë, shkaku kryesor i përplasjes shoqërore. Anëtarët e asaj Gjykatë, të cilët e votuan vendimin që kemi parë, nëse ai është i vërtetë; do të shkojnë në proces penal.

Të shohim sesi do të precipitojnë ngjarjet.