19 Mars 2024

Nga Gazeta Sot

Avokat i njohur, Arben Llangozi ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në vendin tonë. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, zoti Llangozi është ndalur tek arrestimi i kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, shanset që ka Prokuroria Speciale (SPAK) për të kapur ata që në jetën e përditshme i quajmë si “peshqit e mëdhenj” dhe për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i takon mbështetjes ndaj reformës në drejtësi. Llangozi u shpreh se kryeministri Rama shumë shpejt do të dalë përpara drejtësisë dhe sipas tij, do mbajë fjalime nga maja e shtëpisë së tij në Surrel, ndoshta dhe në burg, pasi siç thotë ai, shefi i qeverisë është më i ri se kreu i Rithemelimit, Sali Berisha. Më tej avokati komentoi edhe vizitën e Sekretarit Blinken, ku theksoi se ai ka ardhur në Shqipëri për interesat e SHBA-së dhe jo për të përkrahur Ramën.

-Avokat Llangozi, çfarë ju duket e çuditshme dhe ju tërheq vëmendjen sa i përket arrestimit të kreut të ARRSH, Evis Berberit?

Më tërheq vëmendjen fakti se këto tendera nuk janë konfirmuar apo certifikuar nga zoti Berberi. Pra, ka një staf ose një komision, i cili mungon tek hetimi apo tek arrestimi që Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar GJKKO-së dhe GJKKO-ja e ka miratuar. Mungojnë komisionet përkatëse. Nuk e kuptoj pse këto nuk janë tek masa e arrestit aktuale dhe ajo që më bën që unë të dyshoj është edhe fakti nëse hetimet do të vijojnë apo jo më tej.

“Më tej” e kam fjalën qoftë për ministren Balluku, por edhe për Kryeministrin, sepse këto janë fonde publike. Nuk është se humbën njëmijë apo dy mijë euro, kanë humbur vlera të mëdha monetare. Në qoftë se ne i referohemi historikut, po marr tenderat që janë me vlera të larta, jo me vlera 1 milion euro, kemi tenderat e uniformave të policisë, fondet e AZHBR-së që janë zhdukur, koncesionet e inceneratorëve, pra inceneratorët që nuk ekzistojnë  janë marrë fondet, rreth 400 milionë euro, kemi pronat e ushtrisë, pronat e bregdetit që janë zhdukur, kemi sterilizimin.

Pra kemi një sërë aferash korruptive dhe nuk duhet të mjaftohemi u arrestua Berberi se mori 2.2 milionë euro, etj. Po kemi një skandal. Një kryeministër duhet të jetë rojtar i taksave tona dhe nuk mundet që këto taksa tona të shkojnë në dorë të krimit të organizuar sepse qeveria aktuale është me plot fjalën, krim ose organizatë kriminale që vjedh çdo qindarkë të taksave të shtetit shqiptar. Nuk është se kemi një humbje të vogël. Kemi rreth 1 miliard euro të faktuara tashmë nga SPAK që kjo qeveri i ka vjedhur dhe nuk po e kuptoj se ku do të përfundojë ky zinxhir. Unë mendoj se SPAK ka sfidë kryeministrin Ramën. Nëse nuk arrestohet Edi Rama, SPAK duhet që të shkrihet. Nuk mund që të merret me Berberin dhe përgjegjës është kryeministri i vendit. Ligji e detyron kryeministrin që të jetë përgjegjës për çdo qindarkë  të vjedhur dhe Rama është përgjegjës. Nuk është vetëm zonja Ballku, por edhe Rama.